Mbyllet Festivali Ndërkombëtar ‘Takimet Muzikore të Dy Botëve’

1 Nëntor, 2017 - 4:44 pm

Rrugëtimi artistik i Festivalit Ndërkombëtar “Takimet Muzikore të Dy Botëve” është mbyllur mbrëmjen e djeshme në një mbrëmje të madhe, ku emocionet kanë ndërthurur sëbashku magjinë e pianos me tingujt e violinës.

Ka qenë një mbrëmje e mbushur me emocione ajo e mbrëmshmja në mjediset e Hotel “Sheraton” në Tiranë, ku është mbyllur edicioni i XI-të i festivalit “Takimet Muzikore të dy Botëve” që edhe këtë herë tregoi se është një histori suksesi.

Dy artistë virtuozë si Silva Skënderi, pianiste nga Shqipëria dhe Miran Begiç, violinist nga Mali i zi, ndërthurën muzikën klasike me traditën shqiptare dhe malazeze. Dhe nuk kishte se si të mos tërhiqte vëmendjen e publikut, pasi programi i koncertit përmbajti tre sonata nga Wolfgang Amadeus Mozart, Ludvig van Bethoven, Edvard Grieg dhe valle nga Aleksandër Peçi dhe Hercigonja Dances. Fal realizimit nga Shoqata Kulturore “Argjiro” dhe mbështetjes së partnerëve RTSH dhe Albanian Daily News, ky festival dëshmoi realizimin e misionit të tij, ndërthurjen e muzikës.

“Me këtë koncert ndërthurja e zhanreve muzikore përmbush dhe mision e këtij festivali, pasi në XI edicione “Argjiro” ka pasur si lajtmotiv ndërthurjen e muzikës klasike me atë tradicionale. Të ndërthurësh të dy botët në një, të gërshetosh traditën dhe identitetin me klasiken dhe modernen, ndërsa mbetesh besnik ndaj identitetit tënd, do të thotë të kthehesh nga e ardhmja dhe jo nga e kaluara, bëri me dije për KultPlus, Ilda Mara drejtuesja e organizatës.

Shoqata kulturore ‘Argjiro’ u krijuar në qershor të vitit 2007 dhe me anë të Festivalit Ndërkombëtar “Takimet Muzikore të Dy Botëve” synon ndërtimin e urave të dialogut kulturor midis Shqipërisë dhe Europës, ndërgjegjësimin e opinionit publik për mbrojtjen dhe transmetimin e kulturave të ndryshme si pjesë e trashëgimisë kulturore, si dhe rivitalzimi i qendrave historike dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Pas Dropullit, Shkodrës, skenës së Universitetit të Arteve në Tiranë festivali u mbyll suksesshëm këtë vit për të vijuar vitin e ardhshëm me të tjera surpriza në edicionin e radhës. / KultPlus.com

Të ngjajshme