Me artin si rrugë për të krijuar dritare të reja në Ballkanin e ndarë, ‘OneBeat Balkans’ dhuron momente të paharruara në Prishtinë

9 Prill, 2023 - 9:15 pm

Flonja Haxhaj

Grupi ‘OneBeat Balkans’ erdhi mbrëmjen e 7 prillit në Prishtinë duke dhuruar një natë të paharrueshme.

Grupi prej 11 muzikantëve nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Kroacia, Maqedonia dhe SHBA, dhuruan çaste unike nëpërmjet tingujve dhe këngëve që u performuan për herë të para para publikut, shkruan KultPlus.

Koncerti i OneBeatBalkans, që mbushi plot skenën alternative të Teatrit Kombëtar të Kosovës, hapi turneun e që ndalesën e radhës do ta ketë më 10 prill në Novi Sad të Serbisë.

Para fillimit të koncertit, i pari e mori fjalën Mak Murtic, i cili përveç se për programin që u luajt atë mbrëmje foli edhe për vetë qëllimin e ‘OneBeatBalkans’.

“Është një lloj programi që bashkon të gjithë njerëzit e Ballkanit dhe ata të Shteteve të Bashkuara, duke krijuar art dhe muzikë të re. Ky program ishte planifikuar të mbahej në vitin 2020 kur ishte koha e koronavirusit, kështu që ne i patëm filluar provat online. Ne bëmë një rezidencë online, e cila më vonë u zhvillua në një rezidencë të plotë në një vend afër Novi Sadit, ku ne në fakt ushtruam muzikën e të cilën do ta luajmë sonte. Më pas erdhëm në Prishtinë dhe filluam të bënim prova. Ky turne përfshin Prishtinën dhe Novi Sadin dhe ai lidh njerëzit dhe muzikën në një proces të përbashkët”,  u shpreh Murtic e i cili në këtë grup paraqitet si saksofonist.

Më pas fjalën e mori solistja Marta Kolega e cila dha më shumë informacione rreth programit, e i cili ka një koncept, nostalgjinë.

“’OneBeatBalkans 2020’ përfshin konceptin e nostalgjisë  si një mall për të kaluarën që nuk ka ekzistuar kurrë me të vërtetë. Përgjatë kujtimeve private dhe kolektive ne krijuam këngë përmes historive të treguara dhe muzikës”, tha Kolegi, duke ftuar më pas edhe muzikantët si një shenjë që koncerti tashmë do të fillojë.

“Romae”, ‘Qingji i vogël’, ‘Oj devojče, devojčee’, e shumë këngë të tjera erdhën në një kombinim dhe me emocione krejtësisht ndryshe nga ajo që jemi mësuar t’i dëgjojmë më parë, e krejt kjo falë bashkëpunimit të pashoq të muzicientëve të përbërë prej Aleksandra Aleksandrovic, Agona Shporta, Bajram Kafu Kinolli, Chad S Broën, Granit Paçarada, Iliriana Gjoni, Leland Baker, Mak Murticm Marta Kolega, Oliver Nastovski, Sara Renar dhe Tomor Kuçi.

Ndërkaq, i ftuar special në këtë mbrëmje ishte mjeshtri i violinës Visar Kuçi, i cili bashkë me muzikantët e ‘OneBeat Balkans’ interpretoi veprën  ‘Iternal space’ të kompozuar nga vetë ai. 

“Jam shumë i nderuar që jam këtu sonte dhe të performoj me këta muzikantë të mrekullueshëm dhe do të doja të falënderoja ‘OneBeat Balkans’ dhe Ambasadën Amerikane që e kanë organizuar këtë ngjarje e të cilën para tre vjetësh ishte e pamundur ta realizonim. Çfarë dua të them është se jam shumë i lumtur të jem këtu. Është një gjë të jesh kreativ, sepse ne zakonisht jemi kreativë kur jemi vetëm dhe secili këtu është një artist apo krijues individual dhe kanë projektet e tyre. Por, të jesh kreativ në bashkësi me një grup të madh njerëzish e të ndash përvoja e ndajnë kultura të ndryshme është vërtet e mrekullueshme”, u shpreh Kuçi

E krejt në fund të konertit u performua kënga ‘Kalle Llamen’, e ku u dallua zëri i solistes Agona Shporta, shoqëruar nga një pjesë e pjesëtarëve të grupit, e ku më pas iu bashkuan edhe mysafirët e dytë të mbrëmjes, kori ‘Okarinat’ nën dirigjimin e Elikona Hysaj.

Ndërkaq, ju kujtojmë se “OneBeat Balkans” bashkon 12 muzikantë të angazhuar shoqërorë, të cilët krijojnë muzikë të re dhe vepra multidisiplinare së bashku, drejtojnë seminare publike dhe përdorin artin për të rivendosur besimin dhe zhvillimin ekonomik në Ballkanin e ndarë. Edicioni i tretë i këtij viti i OneBeat Balkans po mbahet si vazhdimësi e edicionit 2020, gjatë të cilit, për shkak të pandemisë së koronavirusit, shfaqjet publike u anuluan. Tani, 3 vjet më vonë, muzikantë nga 6 vende të ndryshme do të takohen përsëri dhe pas një qëndrimi dhe provash të përbashkëta në Prishtinë, do të performojnë në koncertet e shumëpritura në Prishtinë dhe Novi Sad./ KultPlus.com

Të ngjajshme