Me koncert solemn shënohet 115-vjetori i lindjes së Shën Nënë Terezës dhe 20-vjetori i Katedrales

27 Gusht, 2025 - 7:10 pm

Me rastin e 115-vjetorit të lindjes së Shën Nënë Terezës dhe 20- vjetorit të bekimit të gurëthemelit të Katedrales që mban emrin e saj është mbajtur një koncert solemn për të nderuar veprën e shenjtores së njohur në mbarë botën, shkruan KultPlus.

Ky aktivitet solemn i cili ka mbledhur personalitete të shumta nga arti, kultura, religjioni dhe politika është organizuar nga Ipeshkvia Prizren-Prishtinë në bashkëpunim me Qendrën për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore (QTSHK).

Pjesa e parë e mbrëmjes iu dedikua fjalimeve përshëndetëse, ligjëratës historike nga Don Shan Zefi për 20-vjetorin e gurthemelit të Katedrales dhe dokumentarit me pamje arkivore nga dita e bekimit të gurëthemelit.

Ndërsa, pjesa e dytë solli një program të pasur artistik me: Besiana Mehmedi (mezzosoprano), Mariana Leka (soprano), Gerald Murra (tenor), Bledar Domi (bas), Rudina Ciko (piano), kori “Të Mirët e Kombit” nën drejtimin e dirigjentit të njohur Zhani Ciko.

Një atmosferë e paharrueshme me tinguj që vallëzonin në hapësirën e madhe të këtij objekti të rëndësishëm religjioz u dha përmes veprave të njohura si: “Ave verum corpus”- “W.A. Mozart, “Ombra mai fu nga opera Xerxes”-G.F. Handel, “Pieta, Signore”- A. Stradella, “Panis Angelicus”- Cesar Franck, “Lamtumirë”- Lorenc Antoni, “Aria e Rozafës”- Imzot Mikel Koliqi, “Nënës së mirë”- Gjon Gjeveleka”, “Fanar”-S. Piraj, “Me gjak shqiptari”- Gj.Simoni, “La Vergine degli angeli nga La forza del destino”-G. Verdi, “Valsi i lumturisë”- A.Mula, “Happy Birthday”- Chopin, “Ti më je si një gonxhe”.

Ndërkaq, aktorja Safete Rogova e veshur me “sari”-n që e mbante veshur e madhja e popullit shqiptar, në një mënyrë shumë origjinale solli “Lutjet e Shën Nënë Terezës” duke bërë thirrje për paqe, mëshirë dhe dashuri. Aktori Xhevat Limani përmes performancës së tij solli në skenë figurën e “Skënderbeut”, duke sjellë porosi për mbrojtjen e atdheut dhe bashkimin e trojeve shqiptare.

Në këtë mbrëmje dedikuar misionares së shenjtë, me mirënjohje për kontributin e saj ndaj Ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën e vitit 1999 u nderua Stanë Pjetër Gashi- Nëna e UÇK-së, nga Ipeshkëvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.

Në fjalimin e tij, Imzot Dodë Gjergji, përmes fjalëve të Shën Nënë Terezës ka bërë thirrje për të kontribuar për vendin.

“Nga viti 1997 kur ajo kaloi në amshim, ia shtrëngoi dorën e Zotit, dhe ka vazhduar të thotë të njëjtën fjalë, jam i bindur me fe, bën diçka për popullin tim. Dhe, me të vërtetë me Nënë Terezën qielli është afruar më afër popullit tonë, sikurse edhe populli jonë është afruar më afër qiellit, sepse një kishë e këtij vendi i dhuroi botës një nënë të bamirësisë, mirësisë, butësisë, vuajtjes, shërbimit dhe sakrificës. Ai nga qielli na dhuroi një shenjtëreshë, një shenjtëreshë e cila vazhdon të ndritë zemrat e të gjithë njerëzve” ka thënë Imzot Dodë Gjergji.

Kurse, artisti i njohur i skenës, dirigjenti Zhani Ciko ka thënë se e ka lumturuar pjesëmarrja në këtë përvjetor të rëndësishëm të figurës së Shën Nënë Terezës dhe të katedrales qe mban emrin e saj.

“Po nderojmë me modestinë tonë artistike dhe qytetare një figurë shumë të madhe. Unë jam i lumtur që kam në krah partnerë dhe kolegë të artit, një numër të shkëlqyer të tyre. Jam i lumtur dhe e quaj për nder që jam i ftuar sot të jap kontributin tim në këtë drejtim”, ka thënë dirigjenti Zhani Ciko.

Ndërkaq, udhëheqësja e mbrëmjes artistike dhe solistja Besiana Mehmedi ka thënë se programi për një figurë kaq domethënëse është realizuar në saje të një përkushtimi të veçantë.

“Koncerti solemn ‘Shën Nënë Tereza- Nëna e mbarë globit’ është bërë më një dashuri dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. Faleminderit që keni mbushur këtë katedrale të kryeqytetit tonë plotë dhe na keni mbushur zemrat plot”, ka thënë ajo.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu- Nëna Terezë ka lindur më 26 gusht 1910 në Shkup. Me misionin e saj u shëndrrua në një nga personalitetet më me ndikim në botë, duke fituar edhe Çmimin Nobel për Paqe (1979). Shën Nënë Tereza u përkujdes për 960 mijë të sëmurë në mbarë botën në 213 qendra dhe është përkujdesur për 47 mijë viktima me lebrozë. Në vitin  2003 është shpallur e Lume nga Papa Gjon Pali II, ndërsa në vitin 2016 është shpallur Shenjtore nga Papa Françesku./ KultPlus.com

Të ngjajshme