Violonçelisti rus Denis Shapovalov, me një paraqitje teatrale hapi festivalin “KamerFest”

18 Shtator, 2019 - 10:30 am

Qendrim Badalli

Me duartrokitje që zgjasnin me minuta të tëra dhe me një paraqitje pothuajse teatrale të violonçelisti rus, Denis Shapovalov, është hapur edicioni i 20-të i Kosova Kamerfest 2019 me koncertin e titulluar “KamerFest Fishekzjarrët”, shkruan KultPlus.

 Para një numri të madh të të pranishmëve, Sihana Badivuku, ka folur në mënyrë të përgjithshme për këtë edicion të “KamerFest” dhe për karakteristikat që i ka ky edicion.

“Shpresoj që KamerFest 2019 do ta gjallëroj Prishtinën. Kemi katërmbëdhjetë koncerte që i kemi planifikuar në muajt shtator, tetor dhe nëntor. Karakteristikë e këtij edicionin janë datat e shpërndara për koncertet”.

Ajo ka thënë se pjesë e këtij edicioni do të jenë emra eminent nga brenda dhe jashtë Kosovës.

“Kemi siguruar emra të mëdhenj të skenës botërore por në kombinim edhe me artistët shqiptar që t’i hapin dyert e festivalit dhe po ashtu pjesëmarrëse do të jenë edhe talent të ndryshëm”. Tutje, Badivuku, ka falënderuar të gjithë mbështetësit financiar të këtij organizimi që realizohet që njëzet vite radhazi.

“Çdo edicion mbështetës financiar e kemi Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit por këtë vit një falënderim të posaçëm shkon për Ambasadën e SHBA-së , Austrisë dhe Francës”.

Në koncertin e mbrëmjes së parë të Festivalit, të titulluar “KamerFest Fishekzjarrët” fitues i Çmimit të parë në konkursin prestigjioz “Tchaikovsky”, Denis Shapovalov, me Orkestrën harkore të festivalit kanë performuar veprat e Vivaldit, Rossini, Shapovalov.

Koncerti u mbajt në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare-Prishtinë duke filluar nga ora 20:00.

Sivjet në këtë edicion jubilar do të performojnë rreth 40 artistë botëror si dhe mbarë shqiptar dhe ansamble harkore, pianistike e frymore. 13 Koncerte do të realizohen në Amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore të UP-së përpos koncertit të mbrëmjes përmbyllëse i cili do të realizohet në Pallatin e Rinisë-salla e kuqe. / KultPlus.com

Të ngjajshme