Me Malda Susurin, nga kënga e parë deri te gjyshi, arti konceptual dhe kthimi në muzikë

28 Gusht, 2020 - 6:50 pm

Arbër Selmani

‘Qysh si fëmijë kam qenë e angazhume në disa fusha. Kam qenë një fëmijë aktiv dhe nuk kom pasë asnjëherë qejf me u marrë veç me një send, e pastaj me stopu. Kom qenë edhe në shkollë të muzikës, e në shkollë fillore edhe në kor të shkollës. E kemi pasë me dy shokë një trio, dhe kemi këndu në secilën festë e mbledhi të shkollës. Më pas e vazhdova shkollën e mesme, dhe kam qenë edhe pjesë e korit të Shoqërisë Kulturore Artistike ‘Agimi’ në Prizren. Sidomos pas luftës, me këtë grup kemi udhëtu shumë, kemi shku gati në çdo vend të Kosovës, kjo për mu ka qenë një përvojë e mrekullueshme dhe më ka ndihmu sidomos në këndim, me mësimet që i kom marrë aty, me ushtrimet e zërit që kanë qenë shumë ndihmuese”.

Për fillim, që ta kuptoni më mirë secilën fjalë të këtij rrëfimi, lejojani vetes një zhytje në muzikën e Malda Susurit. Malda, saktësisht në të 20-tat e saj, u fut në skenën muzikore moderne shqipe me një stil që u vërejt e ra në sy pa një pa dy. Jo një stil vetëm në pamje, ku ajo edhe sot dallon në çdo paraqitje si artiste, por edhe në llojin e muzikës që e kultivoi për disa vite. Asgjë nuk ka mbaruar, megjithatë. Ndoshta nuk ishin shumë këngë e shumë paraqitje të saja, ajo këtë e di shumë mirë, por edhe është e qartë se Malda e ka lënë shenjën e saj aspak të njollshme në librin e historisë së muzikës së mirë e asaj që bart mesazh.

Unë e intervistoj Maldën duke dashur të kuptoj më shumë se ku është ajo sot, si hyri në muzikë dikur, si arriti që qysh me këngën e parë të merrte zemrat e publikut shqiptar, dhe prej kah rrjedh energjia që Malda të mos jetë vetëm një shpirt që i takon muzikës, por edhe artit pamor, fushë ku ajo thotë se po e gjen veten mrekullueshëm dhe ku do të punojë më aktivisht viteve të ardhshme të jetës së saj. Është e rëndësishme që Malda dhe muzika e saj nuk skadojnë, dhe njëjtë as tregimi pas.

*

Malda Susuri, para se t’i futej muzikës me projektet e saja – servimin më të mirë që i ka bërë publikut deri sot, e provoi veten në një spektakël që dikur në Shqipëri synonte të nxirrte zëra të mirë dhe po këtyre zërave t’u mundësonte të futeshin në skenën muzikore, e cila atëherë ishte më ndryshe se sot. Më pak e frikshme dhe arrogante, tunel më i lehtë për zërat e mirë dhe personalitetet e veçanta.

“Nisa me këndu më pas vet, si soliste, nëpër neja të ndryshme me shoqëri. Ka qenë koha kur edhe e provova veten në ‘Ethet e së premtes mbrëma’, ishte spektakël që ishte shumë i përcjellur nga shqiptarët kudo. Kujdestarja e klasës sime në shkollë të mesme, në Gjimnazin ‘Gjon Buzuku’ në Prizren,  insistoi atëherë që unë me konkuru në këtë emision televiziv ku zbuloheshin talente dhe zhvillohej garë. Aty nuk më kanë pranu, më thanë që nuk kam zë. Sidoqoftë, unë vazhdova me u marrë me muzikë që me iu tregu atyre që unë kam zë dhe muj me këndu. Aplikova pastaj në një tjetër spektakël, ‘Pop Idol’ dhe aty fitova vendin e dytë” tregon Malda.

Dhe si gjithmonë, të fortit nuk lejojnë neglizhimin dhe apatinë e të tjerëve, e ndoshta as vlerësimin e pamenduar e shpejtuar, të ndikojë në vazhdimin e karrierës së tyre. Malda këtu edhe do të niste depërtimin në skenën shqiptarë të muzikës asokohe, dhe me këngën e parë të cilën e solli në skenë si 22 vjeçare, ajo krijoi një hit që sot është nostalgji por për kohën ishte melodi.

‘Dashuri e Hidhur’ e çoi Maldën në finalen e festivalit ‘Top Fest’ në vitin 2006, gjegjësisht në edicionin e tretë të këtij festivali që sot mungon por nga viti 2004 e deri në vitin 2016 ishte një pikë reference për muzikë dhe për këngëtarët e dalluar. Në këtë festival, në debutimin e saj, Malda Susuri, sot 36 vjeçare, e fiton çmimin për artisten e re më të mirë në këtë festival, paraqitje kjo e cila edhe e shënon fillimin serioz të Maldës në muzikë.

“Unë gjithmonë jam mundu me e mbajtë një stil timin, mos me u komercializu sikur plot sot, gjest ky që e kanë bërë shumica. Kangët e mia, gjithmonë kam pasë qef me qenë të thjeshta por të cilat mbesin në vesh, që nesër e pasnesër publiku mundet me i dëgju e me i këndu bashkë me mu. Tekstet, kam dashtë me qenë përherë edukative, mos me pasë gjuhë të ndryshme e cila përdoret sot. Kohëve të fundit, kam shumë probleme me tekste. Për momentin, e kam një këngë që shumë moti du me e realizu, dhe po del si problem teksti, përshtatja e tij. Kohëve të fundit edhe tekstet janë orientu kah muzika komerciale dhe shpesh janë pa kurfarë koncepti, plus me fjalë të gjuhëve të huaja” tregon Malda.

Kënga ‘Dashuri e Hidhur’ doli fort e ëmbël për Maldën, duke ia hapur asaj rrugën drejt skenave tjera. Malda do t’i shfrytëzonte disa mundësi të mira për tu rritur në karrierë, shpesh me performanca nëpër festivale por edhe me realizimin e videoklipeve të ndryshme të cilat i japin jetë e jehonë këngëve.

Në muzikalitetin e zërit të saj, shumë karakteristik, kanë ndikuar patjetër edhe netët muzikore të cilat ajo përgjatë viteve i ka pasur të shpeshta. Që prej debutimit në vitin 2006, deri në vitin 2012 Malda do të ishte aktive në muzikë, më pas për të pauzuar, sepse braktisja e muzikës nuk ishte e nuk është në planet e saj.

“Jam distancu, nuk kam stopu, veç pak distancë prej skenës dhe intervistave. Gjithmonë kam preferu me punu diçka, dhe për atë punë më pas me qenë në skenë e me diskutu. Pak kohë më merr edhe profesioni dhe arti konceptual ku tashmë jam e angazhume. Po më pëlqen shumë në fakt, aty e kom gjetë veten shumë ma shumë. Jom shumë e re në aspektin e artit konceptual por kam projekte që kanë me ardhë në atë drejtim” vazhdon tutje Malda.

*

Jo, nuk largohemi prej këngëve të Maldës. Në vitin 2007, Malda i rikthehet festivalit Top Fest me këngën ‘Jeta pa ty’. Një tjetër këngë që nuk është e re për veshin e dëgjuesit shqiptar është ‘Heronjtë’, e cila pasoi në vitin 2008.

Në vitin 2009, Malda i qëndroi besnike festivaleve me pjesëmarrjen e saj prapë në Top Fest, edicionin e gjashtë, me këngën ‘Vetëm shko’. Tekstin e këngës e shkroi motra e Maldës, Aurora Susuri Gunga, muzikën e krijoi Faton Dolaku, ndërsa Malda nuk u mjaftua pa ia realizuar këngës edhe një videklip të këndshëm.

Maldën e kemi në mesin tonë, si këngëtare, si artiste të artit pamor, si autokritike e kritike të të tjerëve, si një reflektuese e menduese e skenës. Malda bën hapin e saj në muzikë atëherë kur ajo e sheh se ka fjetur muzika e përçudnuar dhe pa shije, por ka dalë në pah një muzikë e mirë që meriton të godasë shpirtin e dëgjuesit.

“Muzikën nuk e kom lonë anash, sivjet e planifikoj një koncert timin ku do të ketë këngë të mia të vjetra, të cilat kuptohet që do të përpunohen në një stil më ndryshe, dhe dy këngë të reja, njëra prej tyre po shpresoj me videoklip. Më pas, do të jem më e shpeshtë dhe më e pranishme në skenë, por dua që këtë koncert ta mbaj ashtu siç e kam planifiku, në mënyrë normale, e së fundmi kemi qenë në një situatë të çuditshme për të gjithë neve” thotë Malda.

“Sidomos e dua këngën time të parë, ka domethënie sepse mbetet e para. Ne këngëtarët e quajmë ‘fëmijën e parë’ – artin ose veprën ose muzikën që e bëjmë. Me atë këngë e kom pa qysh osht një publik i tërë me këndu me ty kangën tënde dhe me e pëlqy, dhe kurrë nuk i harroj ato emocione. Te ajo këngë bazohesh kur don me vazhdu përpara, i sheh gabimet, e merr kohën si shembull që me përparu” tregon Malda.

Pikërisht këngës së parë, ‘Dashuri e Hidhur’, Malda në vitin 2014 ia realizoi një videoklip, në versionin remix të këngës, dhe veç sa e konfirmoi edhe një herë se kënga e ka përmbushur veten dhe Maldën, misionin që të mbetet e fuqishme dhe e këndshme, si e tillë, një ‘old school’ dhe gati një ‘classics’.

*

“Muzika, arti në përgjithësi, ka qenë gjithmonë pjesë e familjes time. Nana osht marrë me muzikë, i ka pasë disa kangë të veta, daja merret ende me muzikë, motra e madhe Aurora osht marrë me muzikë për një kohë, Enxhi poashtu – motra tjetër, Arti – djali i dajës. Të gjithë të përkrahin dhe është ndjenjë e mirë” më tregon Malda.

Gjyshi i Malda Susurit ishte aktori dhe piktori Sulejman Lokaj, një burrë me goxha ndikim te Malda.

“Gjyshi im ka qenë inspirimi më i madh, në shumë aspekte. Është interesante kur rritesh në një familje artistësh, kur mëson si bëhen kombinimet e ngjyrave ose çka janë kompozicionet. Unë e pata fatin të rritesha në një kombinim ngjyrash, pata fatin me e përjetu secilën ngjyrë që gjyshi e ka përdorë, por edhe me e dëgju shpirtin e asaj piktureje që gjyshi e bënte. Gjatë studimeve, fillova më shumë me u angazhu rreth dizajnit e artit në përgjithësi. Më lindi një ide që ta bëj një ekspozitë për hatër të gjyshit, si befasi për krijimtarinë e tij, në ditëlindjen e tij të 77-të. Problemin kryesor e kisha te fakti se qysh me ia marrë veprat për në ekspozitë, por e manovrova situatën dhe i morra rreth 400 piktura dhe plot skica tjera, e plot fotografi edhe nga jeta e tij në teatër. Ia realizova një ekspozitë duke u mundu me i ftu të gjithë miqtë e kolegët e tij. Kjo ka qenë dhurata më e bukur që gjyshi e ka marrë ndonjëherë, gjithashtu ndër kujtimet më të bukura për mua dhe familjen time. Kam qenë tepër e lidhur me të, gjithçka e kemi ndarë bashkë, çdo projekt, çdo ide, ka qenë përkrahës i madh në çdo drejtim” tregon Malda.

Sulejman Lokaj, gjyshi i Maldës, njeriu që do të shkonte në shumicën e koncerteve dhe mbrëmjeve ku Malda performonte në Gjakovë dhe ai prej të cilit Malda morri shumë ngjyrim artistik e piktoresk, punoi në arsim, punoi si aktor në Teatrin e Kombësive në Shkup e më pas edhe në Teatrin Popullor të Gjakovës. Pos ekspozitave individuale, ai ka marrë pjesë edhe në shumë ekspozita kolektive. Pos roleve të shumta teatrore, ka luajtur edhe shumë role filmike e televizive, mes tyre edhe te ‘Era e Lisi’ dhe ‘Kur pranvera vonohet’.

Nuk kishte si të ishte ndryshe.

Malda, në shtator të vitit 2019-të, bashkë me Rudina Vocën e hapën një ekspozitë, ky si një shpërthim i Maldës në një dashuri tjetër të sajën përpos muzikës.

Ekspozita ‘Molla’, në Prizren, me 12 fotografi synonte t’i thyente bindjet negative dhe t’i jepte kuptim mollës, duke i portretizuar femrat që mbajnë mollat si femra fuqizuese, të forta e të bukura. Duke qenë se Malda është feministe, ka shumë kuptim që ajo të angazhohet që edhe në artin e saj, edhe në artin e saj të çfarë-do-formësh, të mos gjejnë vend bastardimet e ndryshme ndaj femrave, grave, gjinisë femërore në përgjithësi.

*

Në vitin 2011-të, Malda u bë pjesë e festivalit ‘Kënga Magjike’ me këngën ‘Jam e huaj’ ndërsa një vit më pas ajo do të sillte këngën ‘Larg vetes’ të cilën poashtu e realizoi me videoklip. Maldës kësisoj do t’i krijohej një diskografi dhe një numër këngësh të cilat e gjejnë lehtazi vendin e vet në ata që e pëlqejnë Maldën.

“Kom shumë artista të cilët më kanë inspiru me vazhdu me u marrë me muzikë dhe janë krejt kohën pjesë e listës sime muzikore. Tina Turner, Michael Jackson, Phil Collins, Queen, U2, Sinéad O’Connor, këngët e vjetra e të dikurshme më pëlqejnë shumë dhe kanë luajt një rol të madh sa i përket muzikës, tek unë. Nuk kam tentu me i kopju sepse kom provu me e kriju një stil timin në muzikë dhe me vazhdu me atë stil. E kam këtë stil, jom mundu, dhe e kam” thotë Malda.

E përfundojmë ngadalë bisedën me Maldën duke e pyetur pak për muzikën shqiptare sot. Malda i takon një tjetër plejade artistësh, një tjetër rryme dhe ambienti muzikor prej atij që sot mbizotëron në vend, një tjetër klase artistësh, një tjetër edukimi artistik, por edhe një tjetër doze tekstesh e partiturash në studio.

“Ka këngëtarë të mirë në muzikën shqipe, por të cilët dita ditës po shuhen. E përmendi këtu Armendin dhe Aidën, të cilët kanë bo muzikë tepër të mirë. Ardit Stafaj, pastaj Grupi Marigona, Enis Potoku tash po më kujtohet, e ka një këngë të cilën e du shumë. Ka pasë edhe këngëtarë të tjerë si puna ime që kanë bo muzikë të mirëfilltë dhe moderne, por dita ditës janë shu, disa edhe kanë ndërru stil shkaku i të ardhurave. Unë kom fat që me profesion jam dizajnere dhe nuk fitoj prej muzikës, pra nuk jetoj prej saj. Kur boj muzikë, harxhoj, e shumica prej shokëve e shoqeve të mia këngëtarë nuk e kanë pasë këtë fat dhe fatkeqësisht është dashtë me e ndrru stilin e muzikës dhe me u komercializu, për me qenë prezent në treg”

“Shumë prej tyre e shoh që po këndojnë edhe nëpër dasma. Unë nuk e kam problem muzikën popullore dhe këndimin në dasma, sepse edhe vet shpesh dëgjoj muzikë popullore, është pjesë e kulturës tonë. Por, mos të harrojmë, për me qenë artist i mirëfilltë dhe me u njoftë në art duhesh me kriju stilin dhe identitetin tënd si artist” shpalosë mendimet e saj kësisoj Malda.

Disa herë gjatë intervistës ajo e potencon faktin se këngëtari dhe artisti duhet luftuar për veçanti në krijimin e personalitetit të tij, dhe sikur me këtë diskurs Malda dëshiron të thotë se fakti që dallohesh dhe provon të mbetesh unike dhe kreative shpesh edhe mund të të dëmtojë e penalizojë në fushën ku ti shkëlqen e provon të prodhosh.

“Momentalisht nuk dëgjoj muzikë shqipe, këto frymat e reja nuk më përshtaten, ndonjëherë i dëgjoj pak, tekstet janë tepër banale, në videoklipe befasohesh se çka sheh, si feministe çuditem me prezantimin që i bëhet grave në videoklipe. Përderisa nuk kemi ligje, nuk kemi censura, le të ecë secili deri në pikën që mendon se mundet me shku. Mua më mungon koha e festivaleve të mirëfillta, më mungon koha kur një artist e servonte një kangë e tekst të mirë, më mungojnë edhe videoklipet me skenar e me koncept” tregon Malda.

Për fund, prapë, ky tekst do të ketë shije më të mirë nëse fundoseni në këngët e Maldës nëpër vite dhe e kuptoni mirë valsin e krijimeve ku është vulosur zëri i saj.

(Ky tekst është botuar me ndihmën e Komunës së Prishtinës dhe subvencioneve kulturore vjetore nga kjo Komunë)

Të ngjajshme