Me një koncert mbresëlënës “Chopin Piano Fest” kujtoi fagotistin Fatos Jaho

16 Maj, 2023 - 6:39 pm

Vjollca Duraku

Me një pikë interpretuese në nderim të figurës së fagotistit të ndjerë, Fatos Jahos, i cili ishte një nga themeluesit e parë të ansamblit Balkan Sextet ‘Pro Arte’, u hap koncerti i tretë me radhë, në festivalin e muzikës klasike, Chopin Piano Fest Prishtina 2023, shkruan KultPlus.

Ansambli Balkan Sextet, me koncertin e mbrëmshëm ka shënuar 10 vjetorin e themelimit të këtij ansambli, i cili është në përbërje nga anëtarët: Lejla Haxhiu-Pula-Piano, Astrit Mustafa-Klarinet, Enkelejda Zajmi-Gorani- Flaut, Ilir Kodhima-Korno, Orges Mala-Fagot dhe Marina Nikolovska-Obo.

Këta emra të mëdhenj, të dëshmuar në fushën e muzikës, kishin tërhequr një audiencë e cila kishe zënë vend në çdo cep të sallës, madje, një pjesë e të cilëve qëndruan edhe në këmbë, gjatë kësaj mbrëmje.

Këtë koncert me prezencën e tyre e nderuan, edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, disa ambasadorë të vendeve mike, si dhe figura të tjera të shquara nga fusha të ndryshme profesionale.

Kjo mbrëmje e cila pati një publik shumë të entuziazmuar, u hap me një pikë interpretuese, e cila ishte dedikim për njërin nga themeluesit e parë, të ansamblit Balkan Sextet, të fagotistit Fatos Jahos, i cili kishte ndërruar jetë në prill të vitit 2015.

Pas kësaj pike interpretuese, e cila u shoqërua me duartrokitje të shumta, fjalën e mori organizatorja e festivalit Besa Luzha , e cila fillimisht e tregoi simbolikën e pikës së sapo interpretuar dhe pastaj duke u uruar mirëseardhje mysafirëve të mbrëmjes, ftoi për interpretim edhe ansamblin.

Një skenë e zbukuruar me disa lule dhe një ndriçim fantastik, tanimë priste ardhjen e ansamblit Balkan Sextet, i cili do të perfomonte me një program artistikisht mjaft të vështirë për interpretim.

Artistët, pas daljes në skenë, e nderuan publikun me një përkulje para fillimit të koncertit, e cila u shoqërua me duartrokitje të shumta edhe nga ana tjetër. Vetë pozicionimi dhe ulja e artistëve, duke krijuar një hark mes pesë anëtarëve të ansamblit, dhe me një pianiste mbrapa, krijonte një pamje shumë të bukur estetikisht.

Ishte e para vepra e kompozitorit Ludwig Thuille, me Sextet B-Dur, Op. 6, e cila dhuroi në sallë melodi mjaft të këndshme, të cilën përpos publikut e shijonte edhe vetë ansambli, lëvizjet trupore të të cilëve u ngjanin një grumbull lulesh të bukura, të cilat lehtësisht i lëviz era.

Ritmi u bë mjaft i qetë kur në skenë performonte vetëm pianoja. Ky ritëm mori karakteristika më dinamike kur iu bashkëngjitën edhe fagoti, korno dhe klarineti, e të cilat ishin nën interpretimin e burrave të ansamblit. Performanca mori një ngjyrim të kompletuar, kur këtyre instrumenteve iu bashkëngjitën edhe oboa dhe flauti të cilat ishin në interpretimin e grave të Balkan Sextet.

Pastaj, pas një pauze disa sekondshe, e cila u pasua me duartrokitje nga një publik shumë i entuziazmuar me koncertin, filloi edhe pjesa tjetër interpretuese, valle të cilën e udhëhoqi kornisti, duke u pasuar nga pianoja e më vonë edhe nga instrumentet tjera, interpretimi i të cilave krijonte tinguj konstant, e të cilin ritëm, arriti ta ndryshonte vetëm lëvizja e shpejtë e tasteve të pianos.

Në sallë, pas një pauze 10 minutëshe u interpretua edhe vepra e kompozitorit Francis Poulenc. Kjo pikë, herë pasohej me tinguj mjaft të qetë, e herë me tinguj të cilët ishin të dendur për veshin e dëgjuesit. Ndërsa harmonia e mbrëmjes kulmoi kur instrumentet ndërthurnin tingujt e tyre me një interpretim të përbashkët, në të cilin, dukej sikur tingujt të gëzuar lëviznin në sallë, kështu duke dhënë edhe vulën e interpretimit.

Ndërsa pika e fundit e cila u interpretua mjeshtërisht nga ansambli Balkan Sextet, ishte kompozimi i kompozitorit kosovar Kreshnik Aliçkaj, i cila dhuroi tinguj të paharrueshëm për publikun në sallë. Fundi i performancës u shënua nga disa tinguj të shpejtë, e të përbashkët të të gjitha instrumenteve të skenës, të cilat e impresionuan publikun jashtë mase, e, i cili pëlqimin e tij e dha përmes duartrokitjeve të shumta.

Pas përfundimit të koncertit, në një prononcim për KultPlus, pianistja e ansamblit Balkan Sextet, Lejla Pula, tha se me këtë koncert i cili ka shënuar dhjetëvjetorin e themelimit, kanë pasur dëshirë të nderojnë bashkëthemeluesin e ansamblit Fatos Jahon, i cili nuk është në mesin e tyre që nga viti 2015.

Ajo më tutje tha se ndihej shumë e lumtur që sollën një program me kërkesa shumë të mëdha muzikore para publikut.

‘’Ishte kënaqësi, sepse është një program jashtëzakonisht i bukur, me kërkesa shumë të mëdha muzikore dhe teknike, të cilin besoj se sonte e ka shijuar audienca, sepse është një program i cili interpretohet shumë rrallë, është një program shumë i vështirë por shumë i bukur”, ka thënë pianistja Lejla Pula.

Ajo gjithashtu tha se ndihej e nderuar me pjesëmarrjen e kryeministrit Kurti dhe disa ambasadorëve të disa shteteve, pasi niveli i tyre artistik tërheq interesim të këtyre figurave, që praktikisht i bën artistët të jenë si Ambasadorë të Kulturës së Kosovës.

“Më erdhi shumë mirë që na nderoi me pjesëmarrje edhe kryeministri, ishin edhe disa ambasadorë të cilët shprehin interesim dhe kureshtje për programet tona. Jemi shumë të kënaqur që me nivelin tonë mund t’i tërheqim të gjithë dhe praktikisht ne bëhemi si Ambasadorë të Kulturës së Kosovës.”, ka thënë pianistja.

Ndërsa fagotisti, Orges Malaj, ka thënë se koncerti ishte dinjitoz dhe i kishte arritur pritshmëritë e tyre, pasi duartrokitjet e publikut ishin vlerësuesit më të mirë për punën e tyre.

“Ishte një koncert vërtetë dinjitoz nga fakti që veprat ishin shumë të vështira teknikisht por edhe muzikalisht. Mendoj që shkoi shumë mirë, publiku e mirëpriti shumë mirë, ku një test i vlerësimit të koncertit, janë edhe duartrokitjet e publikut. Mendoj që gjithçka shkoi sipas parashikimeve dhe shpresojmë edhe për të tjera bashkëpunime”

Ndërsa klarinetisti, Astrit Mustafa tha se publiku i shumtë krijoi një atmosferë shumë të mirë, gjë e cila bëri që koncerti të kurorëzohej me sukses.

“Ishte një atmosferë mjaft e mirë pas një përgatitje intensive të kësaj shfaqje. I befasuar me prezencën e publikut, një publik i bollshëm, ku u krijua një atmosferë shumë e mire në të cilën edhe ne u kënaqëm në interpretim. Jemi takuar disa ditë para koncertit i kemi bërë disa prova, dhe e kemi lidhur programin bashkë, ku gjithçka sot u kurorëzua me sukses”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa kompozitori Kreshnik Aliçkaj, vepra e të cilit u interpretua si premierë në koncertin e mbrëmshëm tha se ishte një koncert shumë i mirë, pjesë e të cilit ishte edhe vepra e tij të cilën pati rast të dëgjoj për herë të parë.

‘’Sonte ishte një program shumë i mirë, në të cilin e pata edhe unë një vepër, do të thotë që e kam shkruar enkas për këtë ansambël dhe për këtë sextet. Veprën e kam shkruar në vitin 2013. Do të thotë ka qenë porosi nga ansambli, pikërisht nga profesoresha Lejla Pula. Dhe sonte pikërisht pas dhjetë viteve, pata rastin edhe vet ta dëgjoj veprën time si risi’’, ka thënë kompozitori Aliçkaj.

Koncerti i radhës, i katërti me radhë do të mbahet më 17 maj, në të cilin do të interpretojë pianistja Adrienne Hauser./ KultPlus.com

Të ngjajshme