Me veprën e Memli Kelmendit, ‘ReMusica’ thyen heshtjen me zërin e magjishëm të Besa Lluguqit

10 Shtator, 2020 - 10:34 am

Suada Qorraj

Ndonëse kishte filluar nata e dytë e festivalit “ReMusica”, në Sallën e Kuqe të kryeqytetit po përjetohej e pazakonta. Tingujt e parë të pianos, Misbah Kaçamaku tashmë kishte filluar t’i luante, ndërsa zëri i sopranos Besa Llugiqi filloi dalë nga dalë të pushtonte skenën, e përmes saj edhe ekranet, prej të cilëve përcolli emocione te kushdo e kudo, shkruan KultPlus.

Mbrëmjen e filluan me madrigalin e famshëm “Amarilli, mia bella”, të kompozitorit të monodisë dhe këngës solo, Giulio Caccini. Madrigali bënë pjesë në botimin më të rëndësishëm të Caccinit, “Le nuove musiche” të vitit 1602, në të cilin thuhet se janë shkruar rreth 1580 lutje.

Nuk ishte hera e parë që e gjente veten në Sallën e Kuqe të kryeqytetit, por për të ishte hera e parë që po përjetonte diçka që nuk e kishte menduar asnjëherë, të interpretonte për një publik që nuk e shihte dot. Edhe pse përball vetes kishte pianon, kurse përkrah saj ishte sopranoja që tingullit i shtonte zë, për pianistin Misbah Kaçamaku, mungesa e publikut tek ai krijonte ndjenjën e zbrazëtisë.

“Koncerti pa publik, ishte një eksperiencë e pa përjetuar nga unë. Ndjenjë e një “zbrazëtie” të çuditshme. Ishte mungesë e komunikimit me publikun, pa të cilin komunikim është mjaft vështirë të krijohet atmosferë e duhur”, ka deklaruar ai.

Edhe për sopranon, Besa Llugiqi, të interpretonte pa publik ishte ndryshe, por sipas saj, së bashku me pianistin kanë bërë të pamundurën që të interpretonin njëlloj sikurse të ishin në një sallë të mbushur plot.

“Të interpretosh pa publik ka qenë një ndjenjë ndryshe, por ne së bashku jemi munduar që të japim maksimumin tonë dhe të sjellim përpara ekraneve atë se çka do të sillnim edhe para publikut në sallë”, ka thënë ajo.

Nata e mbrëmshme ishte e mbushur me vepra të cilat kanë lënë gjurmë në historitë e sallave dhe koncerteve që i ofruan publikut të bukurën e mallëngjimin që sjell arti e muzika. E si çdo herë, në koncerte të tilla nuk mungon edhe përfshirja e veprave shqiptare, që mëtojnë të përçojnë një emocion ndryshe tek publiku.

“Flas me heshtjen”, ishte vepra premierë enkas për këtë koncert, e që erdhi shumë bukur nga loja e pianistit Kaçamaku, por edhe nga zëri i bukur i sopranos Besa Llugiqi. Për kompozitorin Memli Kelmendi vepra shfaqë shpresën, pikëllimin dhe heshtjen, e cila në tërësi krijon një atmosferë konstante.

“Ndonëse vepra kryesisht paraqet një atmosferë “konstante”, në momente të caktuara paraqitet si tendencë e shpresës, shpërthimit, pikëllimit, heshtjes… prandaj mendova pikërisht për këtë. ‘Flas me heshtjen’ është shkruar në një periudhë kohore shumë të shpejt, për dy ditë”, ka pohuar kompozitori në një intervistë për KultPlus.

Ai ka shtuar se vepra është ndërtuar mbi bazën e tekstit të Agim Deskut, e që sipas tij në të kishte elemente interesante që e inspiruan kompozitorin të krijonte diçka të re. Kelmendi e ka konsideruar pozitiv faktin që interpretimi i veprave po bëhet në formatin online sepse sipas tij, interpretimi së bashku me veprën do mbesin përherë të arkivuara.

Për sopranon, Besa Llugiqi, interpretimi i veprës së kompozitorit Kelmendi ka qenë kënaqësi sepse ishte pikërisht kjo vepër që thyente monotoninë e heshtjes.

“Ne çdo herë interpretojmë vepra premierë, edhe të interpretosh veprën e kompozitorit Memli Kelmendi ka qenë një kënaqësi, pasi që vet vepra në vete synonte të  thyente monotoninë e heshtjes, ndërkaq kompozitori çdo herë e dëshmon veten për talentin dhe përkushtimin e tij”, ka thënë sopranoja.

Edhe pianisti Misbah Kaçamaku ka theksuar rëndësinë e kësaj vepre, si kompozim i cili mund të luhet në piano, njëkohësisht të interpretohet edhe nëpërmjet zërave të magjishëm të sopranove.

Dyshja nuk ka lënë pa përmendur edhe eksperiencën e tyre përgjatë bashkëpunimit për festivalin “ReMusica”. Ata kanë theksuar se bashkëpunimi i tyre ka qenë i jashtëzakonshëm, duke krijuar kështu mes vete një kimi në muzikalitet por edhe teknikë.

Krejt për fund pianisti Misbah Kaçamaku ka thënë se festivali është një motor që inkurajon krijimtarinë e kompozitorëve kosovarë, duke e konsideruar njëkohësisht pjesëmarrjen e tij në këtë edicion shumë të vlefshme.

“Përndryshe, festivali është një lloj “motori” i cili investon dhe inkurajon krijimtarinë e kompozitorëve kosovarë, ku në të njëjtën kohë bënë dhe promovimin e po të njëjtave veprave me ansamble të ndryshme botërore. Në përgjithësi, një eksperiencë shumë e vlefshme për mua”, ka përfunduar ai.

Rëndësinë e “ReMusica” për promovimin e kompozitorëve shqiptar nuk e ka lënë pa e përmendur edhe sopranoja, Besa Llugiqi. Ajo madje theksuar se vetë durimi i organizatorëve karshi tyre ka qenë shembull dhe motiv për të mos u dorëzuar.

“Festivali  është një stimulues i madh sepse ju jep hapësirë shumë artistëve edhe atyre të rijnë që të shfaqin veten, si dhe ju jep mundësinë që të jepen vepra premierë, natyrisht me porosinë e tyre. Donika ka qenë një shembull për ne se si duhet bërë një organizim në kushtet në të cilat gjendemi sot, madje ajo ka qenë edhe një motivim se si të mos dorëzohemi dhe të gjejmë një shtysë që të jemi aktiv në kohë të tilla”, ka përfunduar kështu intervistën Llugiqi.

Drejtoresha e festivalit “ReMusica”, Donika Rudi ka thënë për KultPlus se ashtu siç kanë pritur koncertet po ndiqen nga e gjithë Evropa. Ajo ka shtuar se për artistët nuk ka qenë aq e thjeshtë sepse koncertet janë realizuar në atë  formë që ti krijojnë publikut ndjenjën e të qenurit në të njëjtën sallë me ta.

“Ashtu siç e kishim paraparë në fillim ashtu edhe po ndodhë, koncertet po ndiqen nga e gjithë Evropa, nga të gjitha moshat. Për artistët nuk ka qenë aq e thjeshtë sa mund të duket, sepse koncertet janë realizuar në atë formë ku si ide ka qenë që ato (koncertet) të jepen në një frymë dhe pa ndërprerje – njëjtë ashtu si edhe në koncert, në mënyrë që publiku ta përjetoj koncertin si të ishte aty”, ka thënë ajo.

Nata e dytë e festivalit “ReMusica” u përmbyll nën tingujt e veprave të Verdit, “Mercè, dilette amiche; I vespri siciliani”, dhe “Surta e la notte…Erani in volami”. Festivali i cili ka filluar që nga e hëna mbrëma do të zgjas deri më 21 shtator dhe do të transmetohet rregullisht me fillim nga ora 21:00 në Klan Kosova si dhe live në faqen e ReMusica./ KultPlus.com

Të ngjajshme