Me veprat e Mozartit, Puccinit dhe Verdit jetësohet në skenë koncerti i tretë i ‘PriVocalFest’

9 Tetor, 2023 - 7:09 pm

Vjollca Duraku

Me një repertor të ngjeshur, me vepra edhe të Mozartit, Puccinit dhe Verdit u mbajt mbrëmë koncerti i tretë me radhë i festivalit “PriVocalFest”, në të cilin interpretuan sopranoja Kejsi Haxhija, baritonët Shinasi Ramadani e Harris Bajraktari si dhe pianisti Melos Buza, shkruan KultPlus.

Interpretuesit e natës së mbrëmshme i dhuruan publikut një program mjaft të larmishëm, i cili u dha në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare të Kosovës. “Leave me, Loathsome Light!” e kompozitorit Gorge Frideric Handel, ishte vepra e parë me të cilën u shënua hapja e këtij koncerti, nën interpretimin e baritonit Shinasi Ramadani dhe pianistit Melos Buza.

Lëvizjet trupore të baritonit i cili tashmë gjendej para publikut, sikur e plotësonin personazhin, i cili kishte lëvizje të shumëta të mimikës, të cilat herë-herë pushonin qetësisht.

Veprat tjera me të cilat performoi baritoni Ramadani ishin “L’heure Exquise” e Reynaldo Hahn, “The sarry gardens” e Benjamin Britten, “If I where a rich man” e Sheldon Harnick & Jerry Bock, ku secila performnancë e tij përfundonte me një përkulje para publikut duke vendosur duart në gjunjë.

Më pas skena u vesh me shkëlqimin e fustanit të sopranos Kejsi Haxhija, perfomanca e së cilës u karakterizua nga duar të vendosura njëra mbi tjetrën. Kjo pozitë e duarve të saj sikur i mblidhte gjith fuqinë e muskujve të trupit për ta shndërruar më pastaj në zë, të cilin tashmë po e ndiqte publiku.

Pikat me të cilat sopranoja performoi qenë “Ave Maria” e Giulio Caccinit, “Quando me’n vo’” e Giacomo Puccinit, “Ach, ich fuhl’s” e Wolfgang Amadeus Moxart, “Volta la terra fronte alle stelle” e Gusepe Verdit, “Vanne, o rosa fortunata” e Vincenzo Bellinit dhe “Bylbyli” të Limoz Dizdarit.

I treti në radhë, me një pamje më strikte, me fytyrë e cila nuk karakterizohej nga mimika e shumtë si dhe me kokë të ngritur lartë, filloi interpretimin baritoni Harris Bajraktari.

Veprat me të cilat interpretoi baritoni Bajraktari ishin “Notte e Giorno Faticar” dhe  “Ein Madchen oder weibchen” të Wolfgang Amadeus Moart, “Vien, Leonora” dhe   “Come paride vezzoso”  të Geatano Donizetti dhe “Deh’ ti ferma” të kompozitorit Giaochino Rossini.

Krejt në fund të koncetit sopranoja Kejsi Haxhija dhe baritoni Harris Bajraktari interpretuan së bashku veprat “Bei manner, welche liebe fuhlen” të Wolfgang Amadeus Moxart dhe “Rrjedh në këngë e ligjërime” të kompozitorit Feim Ibrahimi, të cilën pikë publiku e shijoi më së shumti.

Koncetin të sukseshëm në përgjithësi e ka quajtur baritoni Harris Bajraktari, në një prononcim për KultPlus krejt në fund të mbrëmjes.

“Ka qenë një koncert shumë i suksesshëm duke e pasur parasysh që repertorin e kemi pasur goxha të rëndë. Kam pasur vepra të ndryshme me goxha bagazh, aq kanë qenë disa javë me të vërtetë shumë të lodhshme, mirëpo ja kemi dal siç duhet”, ka thënë baritoni Bajraktari, duke cilësuar shumë të mirë edhe bashkëpunimin me pianistin Melos Buza, i cili me interpretimin e tij fantastik e ka lehtësuar interpretimin e tij në natën e mbrëmshme.

Ndërsa baritoni Shinasi Ramadani, tha se kanë pasur prova intensive për t’i dhuruar publikut koncertin e tretë me radhë të “PriVocalFest”, e që sipas tij ia kanë vlejtur pasi ishte ndarë i kënaqur me performancën.

“Sipas meje koncerti shkoi shumë mirë. Mënyra me të cilën performova ishte më shumë solide, edhe pse publiku mund të përgjigjej më mirë për këtë, por sidoqoftë mua shumë më pëlqeu. Kemi pasur prova intensive brenda tre ditësh. Nga dy prova në ditë dhe shpresoj që ja kanë vlejtur për koncertin e sotëm.”

Kurse sopranoja Kejsi Haxhija e cila vinte nga Shqipëria, tha se ndihej e lumtur që i ishte dhënë mundësia për të prezantuar në këtë koncert i cili pati një repertor të gjerë nga Mozarti, Puccini, Verdi etj.

“Ishe një eksperiencë shumë e bukur, pasi më është dhënë mundësia për t’u ngjitur në këtë skenë, sepse jo çdo kush mund të ishte. Pra, ishte një përzgjedhje që mua më pëlqeu. Ndihem shumë e lumtur për performancën sepse jo çdo kush mund të dal dhe të prezantohet se kush është, për më tepër duke qenë nga një vend tjetër. Në këtë koncert është shpalosur një repertor i gjerë, një repertor mix, me kompozitor si  Mozarti, Puccinii”, tha krejt në fund sopranoja Haxhiu.

Koncerti i radhës i “PriVocalFest” do të jetë më datën 10 tetor, në ora 20:00, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”/KultPlus.com

Të ngjajshme