Meghan Trainor lanson album me muzikë të Krishtlindjeve

30 Nëntor, 2020 - 9:29 am

Meghan Trainor i ka tejkaluar shumë sfida të jetës, është martuar me burrin e ëndrrave, është në pritje të fëmijës së parë, si dhe e ka realizuar ëndrrën e kamotshme me albumin e saj të fundit, “A Very Trainor Christmas”.

“Jam shtatzënë kështu që po ndihem shumë e plotë dhe në kontroll të jetës sime, por kjo është një ndjenjë shumë e bukur. Është kënaqësi ta promovosh një album me muzikë Krishtlindjes. Më pëlqen t’i vesh këto rroba shumëngjyrëshe dhe jo atraktive të festave të fundvitit, dhe më vjen mirë që nuk jemi të obliguar sivjet të udhëtojmë, por po qëndrojmë të sigurt në shtëpitë tona”, ka deklaruar këngëtarja në një intervistë të fundit për Reutersin.

Krishtlindjet gjithnjë kanë pasur kuptim të rëndësishëm për Trainorin, transmeton Koha. Ajo thotë se gjithmonë ka qenë e obsesionuar me këtë festë sepse ditëlindja e saj është më 22 dhjetor, të cilën e ka festuar me dekorimet e Krishtlindjeve. Kështu, ajo gjithnjë është ndier sikur kjo është festa e saj. Këngëtarja po ashtu është fejuar për ditëlindje, prandaj dritat dhe dekorimet e Krishtlindjeve, i sjellin shumë emocione dhe e bëjnë të qajë nga gëzimi.

“Albumi i Krishtlindjeve ishte gjithmonë një pikëpyetje, por këtë vit derisa isha në karantinë vendosa t’i përvishem punës dhe ta realizoja atë, sepse tani më shumë se kurrë kemi nevojë t’i sjellim gëzime njerëzve, në një vit të mbushur me momente të errëta, pikëlluese dhe kaotike”, ka shtuar tutje këngëtarja.

Albumi përbëhet nga ‘cover’ të këngëve klasike të Krishtlindjeve si: “White Christmas”, “Silent Night” dhe “Winter Wonderland”, përfshirë këtu edhe gjashtë këngë të reja për festat e fundvitit, të cilat Trainor i ka shkruar bashkë me vëllezërit e saj gjatë kohës së karantinës. Titulli i albumit, “A Very Trainor Christmas”, e nderon angazhimin dhe kontributin e familjes së saj në realizimin e këtij incizimi.

“Holidays” është njëra prej këtyre këngëve të reja e cila e përfshinë edhe bendin “Earth, Wind & Fire”. Një grup i valltareve kishte arritur ta realizojë videoklipin e kësaj kënge, pavarësisht pandemisë së koronaviorusit.

“Është çmenduri të realizosh videoklip në këtë kohë, sepse gjithçka ka ndryshuar. Çdo person është testuar para se të hyjë në ndërtesë, të gjithë jemi dashur të presim me orë të tëra në veturë, për të na u dhënë leja të vazhdonim me xhirimet. Por, ishte një eksperiencë emocionuese sepse mua më shoqëronte foshnja ime në bark. Në fillim i kemi xhiruar pjesët e anëtarëve të bendit sepse nuk doja t’i mbaja për shumë kohë në ndërtesë, dhe dëshiroja që ata të ndiheshin sa më rehat që ishte e mundur. Gjithashtu, kjo ishte hera e parë në shumë kohë që po qëndroja me take të larta. Pas disa orësh, fillova të kem dhimbje në këmbë dhe këtë e mora si shenjë që fëmijës nuk po i pëlqen të qëndroj më gjatë duke punuar”, ka deklaruar Trainor.

Albumi me titull “A Very Trainor Christmas” tashmë është lansuar për publikun. / KultPlus.com

Të ngjajshme