‘Melodia e Vjetër’, kur familja Shala shënon histori dhe nuk njeh fund

14 Gusht, 2019 - 5:01 pm

Arbër Selmani

Nën kthetrrat e një regjimi të dhunshëm jugosllav, muzika shqiptare megjithatë nuk e humbi veten dhe nuk la të degradohet ose zhduket krejt. Sepse muzika dhe zëri i njeriut e ka këtë fuqi.

Disa anëtarë të një familjeje për herë të parë performuan para publikut në një koncert të organizuar me rastin e pritjes së Vitit të Ri në Gjakovë, në Fabrikën ‘Metalik’. Viti 1983. Ideja ishte e Faik Shalës, që të grumbullonte rreth vetes një pjesë të familjes për të kënduar së bashku. Faik Shala ishte violinisti fillimisht i shtëpisë, më pas i ahengjeve të vogla dhe më vonë i një iniciative që do të përthekohej në diçka tjetër më madhore.

Dy vajzat e tij. Nezafetja e posedonte zërin e saj si ‘armë’ të fortë. Nezahatja luante në piano. Dy djemtë, Asimi dhe Njaziu e kompletuan mozaikun me mandolinë dhe i dyti me vokal e me kitarë. Familjes Shala, e cila fillimisht do të njihej si e tillë në mesin e mbrëmjeve muzikore, iu bashkua edhe Agimi si anëtar i rregullt, vokal dhe kitarë në këtë grup që nga viti 1994. Pos tij, edhe emra të tjerë.

Dhe kësisoj, edhe sot një trashëgimi e tillë e këtij grupi merr frymë.

Edhe sot familja Shala, ndonëse jo e kompletuar, jetësohet me anë të këngëve. I kanë bërë ballë kohërave më të thyera e rënduara ndër shqiptarë, po i bëjnë ballë sot edhe banalizimit muzikor. Familja Shala është shkrirë në Grupin ‘Melodia e Vjetër’ të cilët përkujdesen që mos ta ndalin hovin dhe dashurinë për muzikën.

***

Familja Shala e ka kultivuar muzikën që nga vitet e 70-ta.

Faiku, kryefjala e tërë familjes dhe ai falë të cilit sot ky grup vazhdon të këndojë, e ushqeu në këtë familje ndjenjën e melosit popullor, folklorit, këngës qytetare dhe këngës së mirëfilltë. Restaurant “Bajram Curri” në rrugën e ish-Dubrovnikut, “Te Syla” – rrugës për në Gërmi në Prishtinë, te Ali Dybeshi në Mëhallën e Muhaxhirëve, lokacioni “Rozafa” në kompleksin e Qafës…këto janë disa prej vendeve ku Familja Shala mblidhej bashkë për të kënaqur zemrat e shqiptarëve me muzikën më të mishëruar shqipe.

Faiku kishte qenë një fotograf i famshëm, dhe si për ta mbushur tutje shpirtin e tij artistik zgjodhi krahas kësaj edhe muzikën.

Melodia e Vjetër / Facebook

“Grupi u bë bashkë dhe më pas ka kultivuar këngët e vjetra qytetare nga Shqipëria e Mesme dhe ajo e Veriut, të këngëtarëve me zë të asaj kohe si Fitnete Rexha, Hafsa Zymberi, Shyqeri Alushi, Vaçe Zela, Anita Take, Luçie Miloti, Luan Zhegu, Ibrahim Tukiçi e Bajram Spahija por edhe ka sjellë këngët e vjetra gjakovare të kompozitorëve Ymer Riza, Qamili i Vogël e Mazllom Myezini. Këngët janë interpretuar në mënyrë shumë origjinale dhe e kanë ruajtur formën, melodinë dhe tekstin” tregon Nezafete Shala. Nezafetja sot është 64 vjeçare dhe ende vazhdon të jetë pjesëmarrësja aktive dhe zëri kryesor i grupit.

“I ndjeri Faik Shala në atë kohë e ka kultivuar në mënyrë profesionale artin e fotografisë, megjithatë muzika e zuri vendin kryesor në familjen Shala. Ai muzikën e kishte pasion, duke e parë talentin e fëmijëve me shumë vullnet dhe disciplinë filloi ushtrimet me ta, për mësimin e këngëve e melodive dhe për luajtjen në instrumentet respektive. Faiku gjithashtu ka qenë edhe anëtar i grupit të atëhershëm ‘Ymer Riza’ dhe më pas edhe në grupin ‘Hajdar Dushi’, ku ishte shumë aktiv” tregon Agim Malazogu, pjesë e grupit.

Nga Familja Shala në ‘Melodia e Vjetër’, ky formacion muzikor është i bukur nga brenda e jashtë, me një ndërtim muzikor të thellë dhe me një aurë të cilën e reflekton secili anëtar i grupit, edhe në qoftëse kalon shumë pak kohë me ta.

Unë, në një intervistë që e pata realizuar me grupin në vitin 2013-të, kujtoj se në një shtëpi simpatike dhe në një dhomë aromë natyre, me xhamat e hapur dhe me pastërtinë e mendjes, grupi po këndonte e performonte para meje, para shikuesit të vetëm të shtangur. Kjo nuk ndodhë pa arsye. Të shpeshta janë herët kur grupi mirëpret mysafirët me muzikë. 

*

“Melodia e Vjetër’, emri të cilin grupi e mori pas vitit 2000, ishte një zgjedhje e vetë anëtarëve të grupit.

Nezafete Shala / Facebook

Grupi jo pak herë ka bashkëpunuar edhe me instrumentalistët tjerë, përpos formacionit standard. Behar Arllati në fis-harmonikë dhe profesor i muzikës në Gjakovë, Lulzim Kazazi poashtu në fis-harmonikë, Gazmend Makolli në violinë dhe Masar Spahiu në klarinet disa herë i janë bashkuar grupit që emocioni për dëgjuesin të jetë në formën më të përkryer muzikore.

“Sot, merita kryesore për grupin i takon Nezafete Shalës, e cila me zërin e saj mahnitës, ka bërë për vete publikun e gjerë e pothuajse të të gjitha moshave. Ajo veçohet për modestinë, origjinalitetin, stilin dhe zërin e saj të bukur” tregon Agimi.

Por Agimi veç sa e konfirmon madhështinë e Nezafetes.

Një grua e pak fjalëve dhe plot notave, Nezafetja ka diplomuar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë – dega e solokëndimit dhe ka përfunduar specializimin në Zagreb.

Nezafetja të jep ndjenjën e një piktureje e cila lëviz, një honepsje e lehtë që Zoti ka ditur t’i japë formën e një gruaje. E ta mendosh që Nezafetja për pak donte të linte gjithçka e të mos vazhdonte me muzikën. Mëkat, por i cili nuk ndodhi, për fatin tonë të mirë.

“Pasi ka vdekur baba, unë nuk kam dashur të vazhdoj këndimin. Nëna ka qenë ajo e cila ka insistuar që të vazhdoj të këndoj sepse unë isha në një disponim ndryshe. Unë edhe sot nuk e konsideroj veten si pjesën kryesore të grupit, por unë gjithmonë këndoj në kujtim të babës” tregon Nezafetja, jashtëzakonisht e lidhur me Faikun- Agën, babain e saj i cili ndërroi jetë në vitin 2007.

Nezafetja sukseset i ka të kahmotshme, dhe ndonëse nuk i përmendë shpesh ato mbesin të tilla, të pakontestuara dhe pjesë e plotësimit shpirtëror të një artisteje që e kompleton një grup artistësh. Nezafetja, zëri i ëmbël në Radio Prishtinë i dha grupit emocionin e Gjakovës dhe Shqipërisë së Mesme.

Me këngën “Lule për të dashurën” Nezafetja në vitin 1983 triumfoi në asokohe Akordet e Kosovës, festivalin që mbajti gjallë shqipen. Suksesi u përsërit në vitin 1985, kur ajo prapë fitoi me këngën “Një fjalë goje, një martesë”. Këngët kanë vulën e Rahmi Ymerit dhe Nezafetes, dhe i hapën rrugë asaj dhe grupit për një karrierë e cila edhe sot nuk e sheh fundin e saj.

Njaziu, anëtari tjetër i familjes, ka fituar dy herë në festivalin ‘Revyja e Muzikës’ në Gjakovë, vendin e parë me këngë emetuese shqiptare dhe vendin e parë me këngë origjinale.

Me ardhjen e viteve të 90-ta, nuk do të ishte e lehtë edhe për grupin të vazhdonte të funksiononte në mënyrën më të mirë. Familja ishte gati në skamje, Faikun e larguan nga puna ndërsa fëmijët i larguan nga Koret Profesionale ku ata bënin pjesë.

“Vështirësitë ekonomike të cilat lindën pas largimit nga puna të mijëra shqiptarëve nga regjimi serb detyruar shumë familje të punojnë profesione të ndryshme private për mbijetesë. Kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore që familja Shala ka filluar të bëjë muzikë nëpër restaurane të ndryshme, punë kjo e cila përcillej me shumë vështirësi. Njëra nga to ishte rreziku që u kanosej muziktarëve nga forcat serbe, nëse këndoheshin këngë me motive patriotike. Kjo po që ishte një sfidë nga më të vështirat” fillon e tregon Njazi Shala.

Faiku i ndjerë i thoshte tërë familjes që çdo ardhje e mysafirëve në shtëpi duhej të shoqërohej me muzikë.

“Baba thoshte merrni instrumentet dhe sa herë kemi mysafirë duhet me këndu. Atëherë edhe në ishim në sinkron me të dhe silleshim të gjithë më mirë se herëve tjera, meqë ishim shumë fëmijë dhe dinim të bënim problem” tregon Njaziu.

Një sfidë paraqesin pikërisht këto vite dhe një kërkesë e një familjeje nga Presheva që familja Shala t’i vizitonte dhe të performonte në një martesë.

“U nisëm për Preshevë me një veturë shumë të vjetër, të pesë anëtarët e grupit, rrugët në atë kohë ishin vështirë të kalueshme, është dashur të kalohet nëpër rrugët malore për Gjilan e Preshevë. Ishte kohë e ftohtë, rrugët me baltë e borë dhe të pa asfaltuara dhe ishte e rrezikshme, disa herë ishim në rrezik, por arritëm në Preshevë dhe ahengu u mabjt me sukses. Morrëm shumë herë falenderime nga familja e dasmorëve” tregon Agimi. 

***

Agim Malazogu, i lindur në vitin 1961, është pjesë e grupit që nga viti 1994.

“Bashkëpunimi me anëtarët tjerë dhe me familjen Shala ka qenë shumë i lehtë. Thjeshtësia, bujaria, ngrohtësia dhe afërsia e familjes ka sjellë sukses në tërë grupin dhe kjo është dëshmia më e mirë që grupi ende funksionon i bashkuar dhe fuqishëm. Është e vertëtë që interesi i bashkon njerëzit, por në familjen Shala vlera e njeriut është mbi të gjitha” tregon Agimi.

Ndër vite, grupi ka qenë në përbërje të Faik Shalës, Nezafete e Nezahate Shalës, Asim e Njazi Shalës, Agim Malazogut dhe Lulzim Kazazit. Sot, anëtarë të rregullt të grupit janë Nezafetja, Asimi,  Njaziu, Agimi dhe Lulzimi.

Muzika e grupit ka vlera të mirëfillta artistike, kultivohet muzika e pastër e cila nuk përmban elemente bastarduese që e humbin origjinalitetin. Përmbajtjet e teksteve të këngëve janë të natyrave të ndryshme, kryesisht i dedikohen natyrës, dashurisë apo luleve, pra jane tekste me motive pozitive. Kjo muzike është padyshim dëshmi dhe trashëgimi e kulturës sonë.

Para dy vitesh, në dokumentarin nga Fatime Kosumi dhe Vincent Moon gjejmë brenda edhe këtë grup dhe bagazhin e tyre, në mesin e të tjerë këngëtarëve që kultivuan e kultivojnë muzikën rapsodike në Kosovë.

*

Të kthehemi pak në vitet e 90’ta, përsëri. Në vitin 1992, familja sikur ra në një humnerë të pavullnetshme, të shtypur në të gjitha anët. Ishte një krizë financiare për familjen, e cila do të tejkalohej duke përdorë talentin që familja e bëri punë të përditshme, muzikën.

Familja ftohej në bufenë e Kosova Filmit, aty ku edhe mund të rimëkëmbte veten dhe muzikën e saj.

“Aty kemi nisur të vinim në vete, duke performuar e kënduar para plot intelektualëve të kohës, edhe pse në kushte të rënda shkaku edhe i orës policore serbe por edhe rrethanave në përgjithësi. Policët e Serbisë vinin por megjithatë nuk na pengonin, na thonin ‘Këndoni se luftën me muzikë do ta fitoni’. Bënim muzikë edhe në orët e para të mëngjesit” tregon Nezafetja.

Një pëlqim gati në adhurim grupi e ka pasur sidomos për Fitnete Rexhën, këngëtaren e njohur shqiptare të folklorit e cila u bë shpejt inspirimi më i fuqishëm për grupin. Fitnete Rexha, në një mënyrë, po e mbante gjallë këtë grup.

Grupi nga Gjakova ditëve të sotme ekzekuton në def, kitarë, mandolinë, tupan, tarabuk dhe në të kaluarën edhe në udi.

“Vitet ikin tutje”, “S`mendoja”, “Në Shkodër të vish”, “Lulet e majit”, plot e plot këngë tjera janë sot pjesë e repertorit të grupit.

“Sot angazhimet tona janë të shumta, netët muzikore janë të shpeshta, jemi në festivale të ndryshme që organizohen nga Ministritë, Komuna, Muzeu, jemi edhe në rajonin e Maqedonisë, në Preshevë, në lokalet e ndryshme të qytetit. Ka plot vende e mundësi për publikun të vijë e ta shijojë muzikën tonë” tregon Nezafetja.

“Muzika të cilën sot e performojmë në krahasim me atë të viteve të mëhershme nuk ka dallime të mëdha. Jemi munduar që ta ruajmë në maksimum origjinalitetin tonë. Tash në repertory kemi inkuadruar edhe këngë të reja të cilat janë aktuale dhe pëlqehen nga publiku i gjerë. Instrumentet janë të njëjta, të gjitha klasike” përfundon Agimi.

( Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit Arbër Selmani dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it ose AGK-së )

Të ngjajshme