‘Meloditë e Mesdheut’ magjepsin Durrësin, Inva Mula interpreton repertor të zgjedhur

6 Gusht, 2025 - 6:10 pm

Amfiteatri antik i Durrësit u kthye në një skenë magjike ku muzika, arti dhe historia u bashkuan në koncertin “Meloditë e Mesdheut”, duke sjellë emocione të forta dhe përjetime të veçanta për publikun.

Sopranoja e njohur Inva Mula, një nga zërat më të mëdhenj të skenës operistike shqiptare dhe ndërkombëtare, u ngjit për herë të parë në skenën e këtij monumenti historik.

Ajo interpretoi një repertor të zgjedhur enkas për publikun durrsak, e shoqëruar nga instrumentistët virtuozë Ekland Hasa në piano dhe Redi Hasa në violinçel, si dhe kori i fëmijëve “Okarina”.

Sopranoja ndau emocionet e këtij debutimi në Amfiteatër, duke e cilësuar koncertin si një përvojë të veçantë dhe të paharrueshme.

Edhe pianisti Ekland Hasa shprehu emocionin e të performuarit për herë të parë në Durrës, në një mbrëmje ku muzika dhe historia u bashkuan në mënyrë të jashtëzakonshme.

Publiku, i përbërë nga qytetarë dhe turistë, përjetoi një udhëtim muzikor përgjatë brigjeve të Mesdheut, nëpërmjet tingujve që sollën frymën e përbashkët të këtij rajoni.

Një ngjarje kulturore që do të mbetet gjatë në kujtesën e të pranishmëve, duke e forcuar edhe më tej rolin e Durrësit si një qendër e rëndësishme e jetës artistike në vend./ balkanweb/ KultPlus.com

Të ngjajshme