займ на карту онлайн потребительский кредит

Merita Rexha dhe Lirika Pula, tandemi pianistik që solli KamerFest 2018

26 Tetor, 2018 - 6:00 pm

Alberina Haxhijaj

Mbrëmë, në kuadër të edicionit të 19-të të festivalit KamerFest 2018 erdhi një koncert i veçantë i cili bëri së bashku në një piano, pianistët Merita Rexha- Tërshana si dhe Lirika Pula- Kasapolli, shkruan KultPlus.

Me të paraqitur në skenë pianistja Merita Rexha- Tërshana dhe Lirika Pula- Kasapolli përmes komunikimit të tyre përmes tingujve që krijojnë me lojën e tyre në piano dëshmojnë që janë një tandem i përsosur. Për të arritur këtë afërsi por edhe për të bërë një lojë aq premise dhe elegante së bashku sigurisht ka ndikuar fakti që ato ka kohë që njihen dhe punojnë së bashku. Loja e tyre e cila erdhi e gërshetuar shumë bukur përmes katër duarve të këtyre dy zonjave në një piano, u vlerësua edhe nga të pranishmit.

Pianistja Pranvera Hoxha u shpreh për KultPlus se loja e tyre ishte e bukur dhe me një program shumë mirë të përzgjedhur. Tutje Hoxha tregoi se disa nga vepra që u luajtën i ka luajtur edhe ajo vet si pianiste prandaj dëgjimi i tyre ngjalli emocione shumë interesante.

“Do të veçoja që te ne është mungesë shumë e madhe e koncerteve me duo, dy piano ose katër duar, mendoj që një pjesë e konsiderueshme e pianistëve fokusohen në lojë solo apo në performim me instrumentistë të tjerë dhe shumë pak gjejmë kohë për duo. Mirëpo, këtë vit ka pasur disa interpretime të tilla kështu që po me gëzon ky fakt pasi që është një inspirim shumë i mirë edhe për pianistët e ri dhe nxënësit e studentët tanë në mënyrë që ata të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Muzika me katër duar është shumë e gjerë dhe është shumë e bukur njëlloj siç ishte edhe koncerti sonte prandaj i përgëzojë të dy pianistet”, përfundoi ajo.

Në këtë koncert i cili ishte menduar kohë më parë që të realizohej, erdhën vepra të kompozitorit Ludwing van Beethoven, Franz Schubert, Gabriel Faure dhe Antonin Dvarak. Pianistja Merita Rexha –Tërshana e veçoi këtë koncert si një nga koncert që i ka lënë më së shumti përshtypje në Prishtinë.

“Ishte një dëshirë që prej kohës e kishim, Lirika është studentja ime e parë nga Kosova, kur kam filluar klasën e pianos, Lirika ka qenë nxënësja ime e parë kështu që është gurithemeltar i klasës sime dhe jam shumë krenare që studentja ime e parë është një pianiste kaq e mirë. Kemi sjellë këtë program pasi që kemi dashur që programi të jetë i ndërtuar në atë mënyrë që të sjellë atë intimitetin në mes të interpretuesve dhe dëgjuesve”, u shpreh ajo për KultPlus.

Ky koncert i cili ishte bashkëpunimi i parë në skenë i këtyre dy pianisteve ka qenë shumë i veçantë për pianisten Lirika Pula- Kasapolli e cila pas shumë vitesh performoi së bashku me ish-profesoreshën e saj të studimeve.

“Unë pata fatin dhe nderin të luaj me ish-profesoreshën time Merita Rexha me të cilën i kam kryer studimet në Tiranë për katër vite. Ishte kënaqësi shumë e veçantë, nuk e di nëse kam përjetuar diçka të ngjashme pasi që përpos që shkëmbyen ide për programin dhe bashkëpunuam, unë përmes këtij koncerti jam kthyer pas shumë vitesh në atë ndjenjën e të qenurit studente. Nuk më ka rastisur që të dëgjojë shumë koncerte për katër duar në Prishtinë mirëpo kam përshtypje që në të ardhmen do të dëgjojmë më shpesh koncerte për katër duar në një piano”, theksoi ajo.

Sonte në kuadër të KamerFest 2018 do të mbahet koncerti “Hello AMERICA vs Brahms “a la Zingarese” duke filluar nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare./KultPlus.com

Të ngjajshme