‘Mik Festival’ sjell magjinë e muzikës në ishullin e Maligradit

26 Korrik, 2021 - 8:58 pm

“Mik Festival” u rikthye për katër netë me radhë nga 21-25 korrik në Korçë, në edicionin e katërt të tij me pjesëmarrjen e artistëve të njohur shqiptarë dhe të huaj.

Ky edicion ishte më i veçantë se të tjerët, pasi u zhvillua Korçë, Kolonjë dhe Pustec. Magjia e muzikës së zgjedhur, e shtrirë në kohë, zhanre dhe gjeografi të larmishme, erdhi plot ngjyra dhe frymëzim në Korçë, pas një periudhe të vështirë për shkak të pandemisë.

Në ditën e fundit të festivalit, që u zhvillua në ishullin e Maligradit, nën tingujt e muzikës dhe magjinë që ofron Prespa përmes bukurive të saj, u zhvillua koncerti A cappella “Nën tingujt e Zanave”, interpretuar nga ansambli vokal “Zanat”.

Po ashtu violinisti i njohur Olen Cezari mbylli këtë festival mbrëmjen e  djeshme me një koncert në Prespë, ku interpretuan edhe këngëtarja Francesa Carli dhe Michael Rodi në piano.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, ambasadorja e Francës në Shqipëri, Elisabeth Barsacq, ambasadori i Gjermanisë, Peter Zingraf, etj.

Duke falënderuar të pranishmit, ministri Klosi tha se “pandemia bëri shumë të këqija në botë, por për ne shqiptarët bëri që të vizitojmë më shumë Shqipërinë. Organizimi i këtij festivali këtu në këtë vend lindi si shkak i pandemisë. Duke kërkuar që të gjenim më të bukurën tonë  ne krijuam këtë festival, mbështetëm idenë gjeniale të Inva Mulës, Niko Peleshit, Sotiraq Filos, për të krijuar një ngjarje kaq të madhe turistike, në vendin tonë”.

Në katër ditët e festivalit përveç muzikës klasike ky edicion solli edhe muzikën e filmave, muzikën e lehtë, atë latine, por edhe sfilatë mode. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme