Ministri i Kulturës u bën thirrje organeve të sigurisë ta ndalojnë Cecën të hyjë në Kosovë

7 Dhjetor, 2018 - 4:07 pm

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, i kontaktuar nga Gazeta Express nëse Ceca ka marrë leje nga dikasteri që e udhëheq, për të mbajtur nesër koncert në veri të Mitrovicës, ka thënë se një gjë të tillë nuk është bërë nga këngëtarja dhe sipas tij, hyrja duhet t’i ndalohet.

Javë më parë Express ka raportuar se asnjë sportist nga Serbia nuk ka mundur të hyjë në Kosovë pa marrë leje nga federatat sportive të Kosovës. Ndërsa, fatin si të sportistëve mund ta ketë edhe këngëtarja e njohur serbe Ceca. Kujtim Gashi po bën thirrje te organet e sigurisë që ta ndalojnë hyrjen e saj.

“Ministria u bën thirrje doganave dhe policisë që të mos lejojnë hyrjen e këngëtarëve për të mbajtur koncerte të kësaj natyre”, tha Gashi.

Sidoqoftë, vetë Ceca ka deklaruar se ndihet e lumtur për koncertin e nesërm në veri. Koncerti pritet të jetë pjesë e protestave kundër taksës 100 për qind dhe në përkrahje të serbëve në Kosovë.

Të ngjajshme