Miqtë i thanë se nuk do të performojë asnjëherë në “Tomorrowland”, DJ Regard me këmbëngulje realizon ëndrrën e tij

30 Korrik, 2022 - 9:46 pm

Një nga DJ më të njohur edhe në nivel ndërkombëtar, DJ Regard, i cili është nga Kosova, ka shënuar së fundmi një nga arritjet më të mëdha në jetën e tij, shkruan KultPlus.

Dardan Aliu, i njohur me emrin e skenës “DJ Regard”, së fundmi ka arritur që të ketë paraqitje edhe në festivalin “Tomorrowland”.

Përmes një postimi në “Facebook”, Regard njofton se kjo është një ëndërr e fëmijërisë, që e ka realizuar tani.

Postimi i plotë:

“Wowww!!! @tomorrowland faleminderit!!! Sot shënohet një moment shumë i veçantë për mua në planin personal dhe profesional. Arsyeja ishte se 10 vjet më parë isha në një internet kafe duke parë Tomorrowland online, isha me disa miq dhe u thashë që “një ditë do të performoj atje”. Ata thanë se nuk do të ndodhë. Të performoj në Tomorrowland ka qenë gjithmonë ëndrra ime. Dhe sot ëndrra ime u bë realitet. Mesazhi është të ndiqni ëndrrat tuaja njerëz, sepse me këmbëngulje dhe përkushtim në punë ato mund të realizohen. Faleminderit të gjithë stafit që organizoi një festival kaq të mrekullueshëm dhe sigurisht ekipit tim të gjithë fansave që erdhën! Dashuri ❤️”, shkruhet në postimin e tij.

Regard do të jetë edhe pjesë e dy festivaleve të tjera në Kosovë muajin e ardhshëm. /KultPlus.com

Të ngjajshme