Muzika autentike e La Fazanit, spektakël në koncertin që i parapriu albumit ‘Specie Turshi’

9 Mars, 2024 - 11:05 pm

Flonja Haxhaj

Muzika autentike e Arbër Salihut jehoi mbrëmë në Kino Armata në Prishtinë  teksa u bë promovimi i albumit ‘Specie Turshi’, shkruan KultPlus.

Albumi ‘Specie Turshi’ është një album konceptual i cili përfshin këngë të realizuara nga La Fazani në katër vitet e fundit.

Koncerti ‘Specie Turshi’ i cili edhe i parapriu publikimit të albumit solli një atmosferë të paharrueshme për publikun, ku La Fazani interpretoi disa nga këngët e albumit, e mes tyre edhe këngën ‘Oj Kosovë’, këngën fituese të Festivalit të Këngës në RTk.

Kësaj mbrëmje, madhështinë ia shtoi edhe pjesëmarrja e solistëve të korit ‘Okarina’, të cilët e shoqëruan këngëtarin për pothuajse në shumicën e këngëve.

Pas koncertit, ‘La Fazani’ tha për KultPlus se ndjehet i lumtur për publikimin e albumit në të cilin ai punoi shumë përgjatë këtyre viteve.

“Ky koncert është shumë i rëndësishëm për mua sepse është kulmi i një pune shumë të madhe që e kam bërë në album. Në njëfarë mënyre po ndihem sikur i kam bërë pak padrejtësi albumit, sepse koncerti ja ka marrë peshën albumit, sepse në album unë kam punu tash e sa kohë”, u shpreh Salihu

Ai më tutje, u po ashtu vlerësoi faktin që pjesë e këtij koncerti ishin edhe kori ‘Okarina’.

“Jam shumë i lumtur për faktin që e kam pasë mundësinë me punu me korin ‘Okarina’, për shkak se thjesht gjithçka ka qenë e mbushur me pozitivitet me dashuri, me jetë dhe më ka dhënë shumë ndjenjë të mirë”, tha më tutje Salihu.

Ndërkaq, dirigjentja e korit Okarina, Elikona Hysaj – Shala, tha për KultPlus se bashkëpunimi i Korit të Grave, të Burrave dhe Ansamblit vokal “Okarina” me artistin Arbër Salihu ka qenë një bashkpunim krejt ndryshe nga ajo që jemi mësuar të shohim në skenën vendore.

“Ky bashkpunim ka qenë një kënaqësi e madhe, eksperiencë impresionuese, e po ashtu edhe sfiduese me këndu copëza korale nga kangët e Arbrit të cilat janë unike.  Muzika e Arbrit është autentike. Arbri përmes muzikës së tij shpreh dashurinë për jetën, për natyrën, veshtirësitë dhe pakënaqësitë e jetës sociale në vend, pakënaqësitë edhe ndaj sistemit politik, andaj me të drejtë unë do ta quaja një artist aktiv i cili sjellë gëzim e kënaqësi tek dëgjuesi e po ashtu Arbri është zëri i shumë njerëzve të pakënaqur të cilët rrëmbehen nga muzika e tij dhe bashkndjejnë pakënaqësitë të cilat hasin në përditshmëri”, u shpeh Hysaj-Shala, e cila mes tjerash shtoi se për Korin “Okarina” ky bashkpunim do të mbetet një nga bashkpunimet me energji të madhe që tek secili antar i Ansamblit dhe i Korit ka lënë mbresë dhe kënaqësi krejtësisht ndryshe përgjatë interpretimit të këngëve, e që nuk ishin në numër të vogël.

Solistja e korit ‘Okarina’, Anna Krasiqi, tha për KultPlus se pjesëmarrja në këtë koncert do t’i shërbejë karrierës së saj muzikore.  

“Jam shumë e lumtur që isha pjesë e këtij koncerti. Është një eksperiencë e jashtëzakonshme sidomos për mua që jam në fillim të karrierës muzikore. Bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë si me pjesëtarët e tjerë të grupit, ashtu edhe me Arbrin. Është një moment që do të mbetet gjatë në kujtesën time”, theksoi Krasniqi për KultPlus.

 Ndërkaq, me kënaqësi të madhe, këtë koncert e priti edhe solistja e korit ‘Okarina’ Esma Krasniqi, e cila shprehet se pavarëisht dallimit të moshës dhe rrymës së muzikës,  këtë koncert do ta mbajë mend gjithmonë.

“Ne me të vërtetë jemi mosha të ndryshme, mirëpo jemi gëzuar shumë kur na ka propozuar Elikona në bashkëpunim me Arbrin. Kemi punuar me shumë vullnet për çdo ditë nga 3-4 orë. Koncerti i sotëm ka shkuar shumë mirë, e kemi shiju shumë dhe do ta mbajmë mend gjithmonë”, tha Krasniqi për KultPlus.

Ju kujtojmë se pjesë e albumit ‘Specie Turshi’ janë këngët ‘Specie Turshi’, ‘Gjemi do pare’, ‘Falë Zotit që muj me ndr’u’,  ‘Jupiteri’, ‘Zemrën time e ke dhirë’, ‘Kemi hi për turshi’, ‘Hajde me shuplakë’, ‘Fluturoj’, ‘La Fazan, ku je ti?’, ‘Cakum-Pakum’, ‘La Fazan, ku je ti???’, ‘Rutinë’, ‘Rilindje’, ‘Hajde p’e gjejmë veten, bashkë’, ‘Sa mirë kanë dalë turshitë’./KultPlus.com

Të ngjajshme