Muzika, deklaratë e heshtur dhe jehonë dashurie

15 Dhjetor, 2020 - 6:29 pm

 Prej shekujsh muzika klasike mbart në vetvete një sërë misteresh dhe mesazhe të fshehura përmes notave, të kompozuara dhe të fshehura nga vetë kompozitorët, nga nënshkrimet e thjeshta muzikore, deri te shprehjet e dashurisë, përfshirë mesazhe të fshehura me natyrë politiko-fetare.

Përtej bukurisë zanore, jo rrallëherë muzika mund të përçojë në vetvete të gjitha llojet e imazheve, historive dhe referencave abstrakte, që shërbejnë për ta çuar atë më tej.

Gjithsesi, hera-herës ka mesazhe të fshehura, të futura me zgjuarsi nga kompozitori midis temave dhe zërave të ndryshëm muzikorë. Kjo surprizë e fshehur merr rëndom formën e nënshkrimit të thjeshtë muzikor të emrit të kompozitorit, një referencë personale e autorit, si në rastin e regjisorit Alfred Hitçkok, i cili shfaqet si figurant në filmat e tij.

Mjeshtri absolut i vetëreferencës është Johann Sebastian Bach. Muzika e tij është e stëpikur me motive kompozuar me shkronja të emrit: si bemol – la  – do – si naturel, ose B-A-C-H në shënimet muzikore gjermane, që shërbyen si frymëzim për Art de la Fugue (Artin e arratisjes). Mirëpo, Bach nuk është i vetmi, përkundrazi. Edhe Robert Schumann fsheh një referencë të vogël në koleksionin për piano “Carnaval”, përmes notave S-C-H-A (mi bemol-do-si naturel-la). Dmitry Shostakovich gjithashtu luan me motivin D-S-C-H, duke përdorur D-në e emrit dhe tri shkronjat e para të mbiemrit në transliterimin gjerman, Schostakowitsch. Puna e tij është nën kërcënimin e vazhdueshëm nga diktatura dhe censura staliniste, si rrjedhojë motivi shërben si gjurmë e përhershme në disa prej veprave, përfshi Simfonitë nr.8, nr. 10 dhe nr. 15, apo në disa kuartete dhe koncerte për violinë dhe violonçel. Por jo vetëm, gjejmë po ashtu nënshkrime muzikore të Schubert (F-S-C-H), Schoenberg (A-S-C-H-B-E-G) dhe Béla Bartók (B-E-B-A ose B-A-B-E).

Mirëpo, përtej vetëreferencës së disave, të tjerët zbaviteshin duke fshehur mesazhe tejet të rëndësishme, qoftë për arsye admirimi profesional, dashurie apo faji, politike, devocioni fetar apo edhe për arsye ende të panjohura gati një shekull më pas. J.S.Bach duket si aktual, madje motivi B-A-C-H shfaqet në punët e shumë kompozitorë që dëshirojnë t’i bëjnë homazhe mjeshtrit të madh të muzikës, përfshi Schumann, Liszt, Rimsky-Korsakov, Honegger, Schönberg, Poulenc, Webern, Koechlin dhe Pärt. Veçse duket sikur referenca e parë e motivit B-A-C-H nuk është për Jean-Sébastien, por më shumë për një nga paraardhësit e tij (gjithashtu muzikantë shumë të njohur) nga kompozitori hollandez Jan Pieterszoon Sweelinck.

Emocioni më i fuqishëm dhe burim i pashtershëm frymëzimi, dashuria, mbetet burimi i veprave të panumërta muzikore. Kështu, të panumërt janë kompozitorët që shpalosin në kompozimet e tyre deklarata të vërteta miqësie dhe dashurie, si Robert Schumann. Kompozitor romantik i jashtëzakonshëm dhe adhurues i zjarrtë i enigmave muzikore, pra s’është për t’u habitur që ky i fundit të ketë luajtur me idenë e fshehjes në muzikë mesazhe dhe deklarata dashurie për dashurinë e tij të përjetshme, Clara.

Kështu, më 1841, Robert Schumann kompozoi brenda dy javëve një Fantazi për piano dhe orkestër, që më vonë do të bëhej lëvizja e parë e Koncertit të tij për piano në 1845, e kompozuar për Clara-n, me motivin C-H-A, një referencë për pseudonimin Clara, “Chiara”, që dominon lëvizjen e parë dhe punohet dhe ripunohet në mënyrë të përsëritur në forma të ndryshme. Për disa, një deklaratë dashurie. Për të tjerët, një miratim i një lidhjeje jashtëmartesore ose një dashuri e paharruar. Edward Elgar ishte një njeri i apasionuar pas enigmave, kriptogrameve dhe lojërave të fjalëve (për shembull, ai shkroi në 1897 një mesazh të koduar me 87 karaktere për shoqen e tij Dora Penny, i cili vijon të jetë i padeshifruar). Madje, për disa muzika shërben edhe si një mjet i shprehjes fetare, pavarësisht konteksteve politiko-fetare ndonjëherë shumë të rrezikshme për ata që nuk i përmbahen asaj.

Në shekujt 16 dhe 17, Anglia luhatej midis katolicizmit të Mbretëreshës Mary I dhe Protestantizmit të Mbretëreshës Elizabeth I, një autoritet monarkik me fare pak tolerancë ndaj refraktarëve. Një nga kompozitorët më të njohur nën Mary I, William Byrd, një katolik i supozuar, gëzoi mbështetjen dhe mbrojtjen e Mbretëreshës së re Protestante Elizabeth I, në sajë të talentit të tij muzikor. Kompozitor i Kapelës Mbretërore, ai kompozoi një sërë veprash muzikore për liturgjinë e Kishës Anglikane. Megjithëkëtë, ai kompozoi po ashtu, në kundërshtim me monarkinë protestante, vepra të shumta të muzikës së shenjtë në mbështetje të komunitetit katolik refraktar dhe klandestin në Angli, kundër protestantëve./Konica.al/ KultPlus.com

Të ngjajshme