“Muzika është jeta ime, jeta ime është muzika”

29 Janar, 2020 - 10:00 am

Wolfgang Amadeus Mozart ka lindur me 27 janar të vitit 1756. Ai është biri i Leopold dhe Maria Pertl Mozart. Babi i tij kishte filluar që t’ia mësonte notat në piano vajzës së tij Maria Anna të cilën e thërrisnin Nannerl, gjersa Mozarti një tre vjeçar i shikonte duke imituar notat që ajo krijonte. Kështu ai filloi që të tregojë shumë shpejtë aftësitë e të kuptuarit të zërit, tonalitetit dhe ritmit. Babi i tyre përpiqej që ti mësonte që të dy më shumë për muzikën duke i afruar me të si një mënyrë e argëtimit, mirëpo duke mos lënë anash mësimet. Kështu që të dy fëmijët u treguan të suksesshëm në këtë drejtim madje Mozarti filloi që të kompozoj në moshën 5 vjeçare duke treguar aftësi mahnitëse në klaviçembal dhe violinë.

Kurse në vitin 1762, babi i tyre mori Nannerl, në atë kohë 11 vjeçare dhe Mozarti 6 vjeçar performuan në oborrin mbretëror në Bavari, në Munich ku edhe filluan paraqitjen e tyre të cilat pastaj vazhduan si një lloj turne nëpër Evropë. Në këtë mënyrë Mozarti filloi që të takojë shumë muzikantë dhe performues të ndryshme në mesin e të cilëve ishte Johann Christian Bach i cili pati një ndikim të madh në punën e Mozartit. Mirëpo karriera e motrës së tij përfundon në kohën kur ajo arrin moshën për tu martuar, pasi që, në atë kohë konsiderohej se ajo nuk duhet që të shfaqet më në publik, gjersa Mozarti vazhdon karrierën edhe jashtë Austrisë së bashku me babin e tij.

Disa nga veprat e tij janë: operan “La Finta Giardiniera”, “Idomeneo, Mbreti i Kretës“,“Martesa e Figaros“ (1784), “Don Zhuani“ (1787), “Flauti magjik”, si dhe sonata të ndryshme për violinë, për piano, kuintete, pastaj simfoni të ndryshme, sonata, si dhe muzikë kishtare.

Mozarti ishte gjithë kohën i zënë duke kompozuar, duke dhënë mësime, duke organizuar koncerte apo duke mbyllur pagesa për punët e tij. Menjëherë pasi puna e tij shitej, blerësi i saj mund ta kopjonte e ta shiste duke fituar para nëpërmjet saj, pa shkuar asnjë kacidhe në xhepat e autorit (E drejta e autorit akoma nuk ishte e njohur në Austri deri 30 vjet pas vdekjes së tij). Për këtë arsye Mozarti i ruante manuskriptet e tij duke mos përfunduar pjesët për piano në mënyrë që të nxirrte fitime prej tyre. Kjo mund të jetë dhe arsyeja pse në një pjesë të veprave të tij mungon pjesa për piano.

Në 1782-shin, kundër dëshirës të së atit, Mozarti martohet me motrën e vogël të ish të dashurës së tij, Kostancën. Pas martesës, Mozarti shkon në Vjenë, ku për një farë kohe gëzon sukses me veprat e tij. Ndërkohë marrëdhëniet e tij me të atin dhe motrën ishin ftohur, kështu ai u përjashtua edhe nga testamenti i të atit të tij.

Kompozitori i famshëm gjatë karrierës së tij është përballur shumë me probleme financiare. Ai i ndodhur në gjendje shumë të vështirë ekonomike filloi të merrte hua. Letrat që ka lënë ai janë zemërcopëtuese, pasi që në to ai lutej për të marrë të holla hua nga njerëzit. Në 1789-ën Mozarti udhëtoi në Berlin e më pas në Frankfurt duke shpresuar për një pozitë më të mirë, por asgjë. Bashkëpunimi me Emanuel Schikaneder, pronarin e një teatri në zonën e klasës së mesme të Vjenës, dhe trupën e tij, solli në skenë operan “Flauti magjik”, që u bë menjëherë popullore e i dhuroi Mozartit një shije të fundit të suksesit.

Më poshtë disa thënie të njohura të Mozartit:

Muzikë nuk janë notat, por heshtja midis tyre.”

“Muzika është jeta ime, jeta ime është muzika.”

“Të flasësh bukur e rrjedhshëm është art shumë i madh, por është art po aq i madh edhe të dish çastin kur duhet të reshtësh së foluri.”

“Duhet t’i besojmë Zotit dhe të ngushëllohemi me idenë se e mirë është çdo gjë që bëjmë sipas vullnetit të të Gjithëfuqishmit, sepse Ai e di çfarë është e vyer dhe e dobishme për lumturinë tonë të përkohshme e për shpëtimin e përjetshëm.”

“Zotin e kam gjithmonë para syve. Njoh plotfuqishmërinë e Tij dhe i druhem zemërimit të Tij, por nga ana tjetër njoh edhe mëshirën e dashurinë që Ai ka ndaj krijesave të Veta.”

“Dashuri, dashuri, dashuri, ky është shpirti i gjeniut” /KultPlus.com

Të ngjajshme