Natë magjike në Tiranë, Nikos Vertis koncert madhështor në “Air Albania Stadium”

26 Maj, 2023 - 11:58 am

“Magjike nata sot në Air Albania Stadium”, shkroi kryeministri Rama ndërsa ndau në rrjetet sociale pamje nga koncerti që mbajti mbrëmjen e djeshme këngëtari Nikos Vertis, në kuadër të Javës Kulturore të Greqisë.

Kjo ishte hera e parë që Vertis këndonte në Tiranë, ku siç u pa edhe nga pjesëmarrja dhe jehona që pati, këngëtari ka një numër të madh adhuruesish.

Vertis ka kënduar live, i shoqëruar edhe nga kori i spektatorëve të shumtë në “Air Albania Stadium”.

Koncerti i realizuar mbrëmë në Tiranë, renditet ndër shumë të tjerë të programuar në turneun e tij të titulluar “20 vjet ritëm dhe pasion”.

Në kuadër të këtij turneu Vertis ka qenë edhe në Sofie, Jerevan, Beograd si dhe në shumë qytete të Greqisë.

Ylli i muzikës greke gjatë vizitës së tij në Tiranë, u takua edhe me kryebashkiakun Veliaj, ku së bashku zbuluan edhe origjinën e tij arvanitase.

Ky koncert mund të konsiderohet pikë kulmore e Javës Kulturore Greke në Shqipëri./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme