21 Maj, 2025 - 10:41 pm
Flonja Haxhaj
Në një mbrëmje që do të mbetet gjatë në kujtesën e artdashësve prishtinas, festivali Chopin Piano Fest Prishtina mirëpriti mbrëmë një nga emrat më të spikatur të gjeneratës së re pianistike, pianistin francez Nathanaël Gouin. Ky koncert u shndërrua në një udhëtim emocional përmes tingujve të Ravel, Bizet dhe Chopin, nën interpretimin brilant të virtuozit francez, shkruan KultPlus.
Këtë mbrëmje fillimisht e hapi drejtoresha artistike e festivalit, Lejla Pula, e cila përshëndeti të pranishmit me fjalë mirëseardhjeje dhe falënderimi, duke theksuar rëndësinë e këtij festivali në skenën kulturore të Prishtinës dhe përkushtimin e tij ndaj cilësisë artistike.
“Sot ne e kemi vërtet një kënaqësi të veçantë, ta presim në skenën e “Chopin Piano Fest’ pianistin francez të gjeneratave të reja, Nathanaël Gouin, Ai ka një karrierë shumë të gjatë, edhe pse është shumë i ri, sepse ka filluar herët të të mësojë piano, dhe vërtet kemi qenë shumë të lumtur që e ka pranuar ftesën tonë që të vijë sonte këtu dhe të luajë një program të mrekullueshëm”, u shpreh Lejla Pula në hapje të festivalit.
Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot emocion, edhe Ambasadori i Francës në Kosovë, z. Olivier Guerot, mbajti një fjalë përshëndetëse para të pranishmëve. Me theks të veçantë në rëndësinë e këtij festivali për jetën kulturore të Kosovës dhe në bashkëpunimin e vazhdueshëm franko-kosovar në fushën e artit, ambasadori shprehu mbështetjen dhe përkushtimin e Francës ndaj zhvillimit të skenës muzikore dhe kulturore në vend.
“Që nga fillimi, Ambasada Franceze ka mbështetur me krenari Festivalin Chopin, duke kontribuar çdo vit përmes sjelljes në këtë skenë të disa prej emrave më të shquar të muzikës klasike nga Franca. Kjo mbështetje e vazhdueshme pasqyron përkushtimin tonë të fortë për ndërtimin e urave kulturore mes dy vendeve tona dhe për mbështetjen e komunitetit artistik të gjallë në Kosovë, si dhe të Kosovës në tërësi. Jemi veçanërisht të kënaqur që mirëpresim në këtë skenë njërin nga pianistët më të jashtëzakonshëm të gjeneratës së tij, Nathanaël Gouin, karriera e të cilit tashmë është përmendur dhe rikujtuar”, u shpreh ambasadori francez në Kosovë.
Koncerti nisi me një homazh madhështor për 150-vjetorin e lindjes së Maurice Ravel, ku Gouin interpretoi me finesë dhe thellësi emocionale kryeveprën “Gaspard de la Nuit”, një nga veprat më sfiduese të repertorit pianistik. Publiku u përball me një përjetim të rrallë të tingullit dhe teknikës së përkryer, ku çdo notë u shpërfaq me një ndjeshmëri të rrallë muzikore.
Në vazhdim të koncertit, publiku pati rastin të përjetojë një homazh të ndjerë për kompozitorin e shquar francez Georges Bizet, në shënim të 150-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta. Nocturna e zgjedhur për këtë rast, një vepër e rrallë dhe delikate, u interpretua me ndjeshmëri të veçantë, duke sjellë në sallë një atmosferë të mbushur me qetësi dhe melankoli.
Kulmi emocional i mbrëmjes erdhi në pjesën e dytë, kur pianisti Nathanaël Gouin iu përkushtua plotësisht Frédéric Chopin-it, figurës që frymëzon vetë identitetin e festivalit. Me një interpretim të thellë dhe të rafinuar të ciklit 24 Preludëve, Gouin solli në jetë të gjitha nuancat shpirtërore dhe kompleksitetin emocional të kësaj vepre madhështore, duke krijuar një përjetim të paharrueshëm për publikun.
Pas një performance mbresëlënëse që u prit me duartrokitje të gjata nga publiku, pianisti Nathanaël Gouin ndau me KultPlus përshtypjet e tij për vizitën e parë në Kosovë. I ftuar në edicionin e 15-të të Festivalit Chopin, Gouin solli një program të pasur artistik që përfshinte vepra të Maurice Ravel dhe Frédéric Chopin, duke dëshmuar mjeshtërinë dhe ndjeshmërinë e tij interpretative.
“Është hera ime e parë në Prishtinë, në Kosovë, madje edhe në rajonin e Ballkanit. Ndjehem shumë i lumtur që pata mundësinë ta zbuloja këtë vend dhe që u mirëprita nga një organizim i tillë. Ishte vërtet mbresëlënëse. Atmosfera ishte shumë e ngrohtë dhe gjithçka ishte kënaqësi nga fillimi deri në fund. Jam vërtet i lumtur. Në këtë koncert recital, doja të bëja një homazh, para së gjithash, për një kompozitor francez, Maurice Ravel. Ndoshta vepra e tij kryesore, Gaspard de la Nuit, që është një triptik shumë poetik dhe shumë i vështirë për t’u interpretuar. Gjithashtu, desha të luaja pak Chopin, ku interpretova Preludet. Është një kryevepër” tha Gouin, duke shtuar më tutje se të 24 preludet janë disa nga veprat më të vështira që ka kompozuar Chopin, megjithatë për të ishte një përvojë e veçantë.
Përveç koncertit, Nathanaël Gouin një ditë përpara mbajto edhe një puntori me studentë të rinj të muzikës në Prishtinë, po ashtu në kuadër të Chopin Piano Fest. Përmes këtij bashkëpunimi të drejtpërdrejtë me të rinjtë, pianisti francez pati mundësinë të njohë nga afër potencialin, pasionin dhe përkushtimin e brezit të ri të muzikantëve në Kosovë.
“U mahnita nga kaq shumë njerëz të ndjeshëm dhe të përkushtuar ndaj muzikës. Qasja e tyre ishte shumë bujare dhe ata dëgjonin me vëmendje, gjë që nuk ndodh gjithmonë në puntori të tilla. Më bëri shumë përshtypje që kishte profile të ndryshme muzikantësh, sepse zakonisht ndodh që të kesh studentë me prapavijë të ngjashme. Këtu ishte krejt ndryshe, me repertor, karaktere dhe personalitete të ndryshme. Jam shumë i lumtur për Kosovën që ka talente të tilla. Me padurim pres të shoh çfarë do të arrijnë në të ardhmen”, tha Gouin për KultPlus.
Ndërkaq, ju kujtojmë se festivali Chopin Piano Fest Prishtina do të zgjasë deri më 9 qershor, e përgjatë këtyre ditëve publiku do të ketë mundësi të shijojë performanca të artistëve të mirënjohur vendorë e ndërkombëtare./KultPlus.com