Me ndërprerje të rrymës u mbajt mbrëmë festivali DAM, veprat e Artan Hasanit e interpretimi i ansamblit “Zanat” mrekulluan publikun (FOTO)

4 Prill, 2018 - 2:14 pm

Gili Hoxhaj

Festivali DAM, si në netët e tjera edhe në natën e gjashtë të tij publikut i solli përplot tinguj të instrumentistëve e solistëve vendor. Me instrumentistë të njohur të vendit filloi pjesa e parë e koncertit të mbrëmshëm që shënoi koncertin e parë recital të kompozitorit Artan Hasani.

Amfiteatri i Bibliotekës Universitare, për disa net radhazi është bërë adresë e tingujve nga instrumentistë të njohur që Dam-i i mbledh në këtë skenë. Ende pa zbritur shkallëve të sallës së madhe, dëgjohen tingujt e instrumentisteve që bëhen gati për t’i dhënë publikut një natë përplot muzikë. Kur futesh brenda në sallë, depërtimi tek ulëset është tejet i vështirë pasi që adhuruesit e muzikës klasike tashmë kanë zënë vendet e ulëseve të kësaj salle. Një pjesë e të pranishmëve në këmbë e të tjerë ulur së bashku futen në një rrugëtim muzikor të veprave të kompozitorit Hasani.

“The moon” e “The flying carpet”, ishin dy nga veprat e punuara nga Artan Hasani që mbrëmë erdhën nga instrumentistë të kuartetit harkor e kuarteti i klarinetave, të cilat hapën mbrëmjen koncertale. Këto vepra që publiku i shijoi mbrëmë ishin interpretuar më parë edhe në shumë vende të botës, ato kishin depërtuar në skenën e Amerikës, Tokios e Polonisë por për kompozitorin Hasani, ky ishte rasti i parë që t’i dëgjoi këto vepra për së afërmi, për çka edhe shprehet se i ka përjetuar një kënaqësi të jashtëzakonshme.

“Labyrinth” titullohet një nga veprat e tij që erdhi mbrëmë në Dam. Kjo vepër më parë ishte interpretuar edhe në Japoni nga “Flute Trio Fioritura”. Këtë vepër Hasani e kishte kompozuar para shtatë vitesh e si e tillë është interpretuar në versione të ndryshme por siç duket interpretimi i mbrëmshëm i ka lënë atij një përshtypje tejet të mirë. Kjo vepër mbrëmë erdhi përmes lojës së Artemida Qarri Haxhiaj në piano, Visar Mehmeti dhe Nina Shala në flaut. Vepra për oktet klarinetash që erdhi mbrëmë premierë për publikun e Prishtinës, është e shkruar për një nga klarinistet më të mira botërore, Barbara Borowicz e cila është edhe laureate e më shumë se 20 çmimeve kombëtare e ndërkombëtare.

Kompozitori Hasani shtoi se në veprat e tij përpiqet të gërshetoi të gjitha stilet me të cilat ka pasur mundësi që të njihet.

“Kam luajtur muzikë latine muzikë xhaz, jam profesor në shkollën e muzikës, kështu që në muzikën time jam përpjekur t’i gërshetoi të gjitha elementet e muzikës me të cilën kam pasur rast të njihem dhe t’i luaj por siç duket edhe publiku e pëlqeu dhe të gjithë patën mundësi ta gjejnë veten”, tha Hasani.

Derisa publiku po shijonte tingujt e parë të Avni Krasniqit në trumpetë, Bledar Bujupit në korno e Betim Krasniqit në trumbon, salla do të mbetej pa dritë, për shkak të ndërprerjes së rrymës. Por publiku nuk do të mbetej edhe pa tingujt që kjo natë kishte planifikuar t’u sjellë. Instrumentistët e tunxhit në skenë vazhduan lojën e tyre, duke e bërë që publiku në errësirë të përqendrohet tërësisht në ata tinguj. Dy nga organizatorët, me dritën ndriçuese të telefonave do të ngjiteshin në skenë për t’u dhënë dritë partiturave të instrumentistëve të cilët do ta vazhdonin lojën deri sa ndriçimi në sallë të kthehej përsëri.

Trumpetisti Avni Krasniqi tha për KultPlus se ata tashmë janë mësuar me vështirësi të ndryshme gjatë koncerteve por që mbrëmë kjo arriti kulmin, megjithatë thotë se duartrokitjet e mbështetja e publikut ishin ato që ndihmuan vazhdimin e lojës edhe në rrethana të tilla.

“Ne sikur jemi mësuar me situata të tilla dhe për fat me mbështetjen e publikut i cili ishte mjaft i madh në numër, e menaxhuam edhe atë situatë. Edhe pse në kushte të jashtëzakonshme, ne nuk e lëshuam skenën dhe vazhduam interpretimin nën ndriçimin e dritave të celularëve”, tha Krasniqi ndërsa shtoi se ky ishte dhe një mesazh që komuniteti muzikor, pa marr parasysh vështirësitë dhe sfidat, do të vazhdojnë pa ndalur punën në promovimin dhe ngritjen e kulturës në vend dhe jashtë vendit.

Pjesa e dytë e koncertit e gjeti sallën po ashtu të mbushur plot e që me duartrokitje pritën ansamblin vokal “Zanat”. Ky ansambël është formuar së fundmi me anëtaret e solistet e Filharmonisë së Kosovës. Ansambli i përbërë nga Adelina Thaçi- Meta, Elida Kryeziu- Hoti, Diellza Sylejmani, Arstina Kelmendi, Albana Piperku ka për qëllim ruajtjen dhe kultivimin e muzikës shqiptare. Zërat e tyre, të përcjellë nga Artan Hasani në piano sollën një interpretim të veçantë të veprave të njohura shqiptare “Nji lule”, “Fustanin që ta solla mbrëmë”, “Hapi sytë e zezë”, “Kaçurrelja”, “Ç’u mbush mali plot me rrush”, ishin veprat që njëra pas tjetrës erdhën e u pritën me emocion të njëjtë nga publiku. Hapësira e shkurtër mes interpretimit të tyre, përcillej me duartrokitje e çdo këngë ngjallte duartrokitjet e publikut sikur të ishte kënga e fundit. “Bjeri çiftelisë” e “Këngë moj buçit në male” erdhën fuqishëm e me një gjallëri muzikore duke e bërë publikun pjesë të saj me duartrokitje gjatë interpretimit. Ky ansambël i ri që mbrëmë solli prezantimin debutues dëshmoi që publiku do të mbetet akoma i etur për interpretime të tjera.

Njëra nga solistet e ansamblit, Adelina Thaçi- Meta tregoi për KultPlus se për këtë interpretim sonte atyre u është dashur shumë punë e përkushtim, ndërsa për ta sjellë këtë version të veprave, ajo tha se kanë përdorur edhe kreativitetin e tyre pasi që edhe i kanë aranzhuar vet këngët në mënyrë që t’i sjellin me aranzhmane tërësisht të ndryshme.

“Kemi pasur prova pa fund, fillimisht për zgjedhjen e repertuarit mandej ky repertuar është aranzhuar shumë herë në mënyra të ndryshme dhe ne për ta bërë dallimin është dashur ta punojmë dyfishim që të sjellim diçka por sa e ka atë sakrificën e kohës e ka gjithnjë edhe kënaqësinë pasi që sonte u shpërblyem nga duartrokitjet e publikut”, u shpreh Adelina Thaçi-Meta.

Festivali DAM, do të vazhdojë rrugëtimin e tij muzikor me koncertin e radhës që do të mbahet këtë të diele, më datë 8 prill ku publiku do të ketë mundësi të dëgjojë koncertin e korit “Hpd Slavulj” nga Kroacia. Koncerti i radhës do të mbahet po ashtu në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë./ KultPlus.com

Të ngjajshme