Ndjenja krenarie e patriotike në koncertin e “Shotës” për 13 vjetorin e Pavarësisë

17 Shkurt, 2021 - 9:56 am

Xhemile Hysenaj

Sot Kosova shënon 13-vjetorin e Pavarësisë, e për të nderuar këtë ditë të madhe për popullin tonë, mbrëmë në skenën e Teatrit Kombëtar, Ansambli i Këngëve dhe i Valleve ‘Shota’ erdhi me një koncert festiv, duke rikujtuar kështu edhe njëherë sakrificën e madhe të popullit të Kosovës, shkruan KultPlus.

Koncerti nuk kishte si të fillonte ndryshe përveçse me Himnin e Kosovës, ky qysh në fillim publiku u emocionua e festa u ndez në brendësi të tyre.

Vallja instrumentale për çifteli dhe orkestër nën ekzekutimin dhe autorësinë e Gent Hoxhës ishte pika tjetër që po mbante ritmin e koncertit e publiku vetëm sa entuziazmohej më shumë.

Krejt kjo, i la vend Ansamblit ‘Shota’ që erdhi me këngë e valle shqiptare, të cilat ngjallën ndjenja krenarie e patriotike tek të gjithë ata që ishin të pranishëm e të cilët nuk i kursyen duartrokitjet pas secilës performancë. Vallja e parë ishte ajo e Tiranës, për të vazhduar kështu me këngë të interpretuara nga Majlinda Cakiqi, Sokol Latifi, Myrvete Bajrami, Ismet Bugujevci, Riza Bytyqi e Violetë Kuaj, këngë këto që i këndoheshin Shqipërisë, Kosovës, vëllezërve Gërvalla, familjes së Jasharëve e mbarë historisë së popullit shqiptar.

Fyelli, tupani, defi e çiftelia kumbuan në secilën skutë të Teatrit Kombëtar, të shoqëruar nga arti skenik i jashtëzakonshëm i trupës së Ansamblit ‘Shota’, të cilët më shumë se publikut, dukej sikur i vallëzonin historisë sonë të lavdishme.

Pas një viti tejet të vështirë, ‘Shota’ kishte filluar me përgatitje për këtë koncert, pasi pandemia, si në shumë fusha tjera të artit edhe tek ansambli pati ndikimin e vet jo të mirë. Duke i vështirësuar e shpesh edhe pamundësuar përgatitjet e përbashkëta të kësaj trupe.

“Këtë vit e kemi filluar me kapacitet të plotë, por prapë kemi pasur pengesa gjatë rrugëtimi pikërisht për shkak të pandemisë. Ndërkaq, për këtë koncert që u organizua për nder të ditës së Pavarësisë së Kosovës, me gjithë vështirësitë, trupa është munduar të bëjë maksimumin”, ka theksuar drejtori i këtij Ansambli, Shefqet Gjocaj për KultPlus.

Ndër performancat më emocionuese ishte ajo e Majlinda Cakiqit, e cila para publikut erdhi me këngën ‘Mora fjalë’. Një performancë kjo për të cilën Cakiqi ka treguar se është përgatitur shumë moti.

“Jam përgatitur qysh moti, ndërkaq dy javët e fundit kemi pasur prova intensive. Kur këndon live është gjithmonë një emocion i veçantë. Kam kaluar jashtëzakonisht mirë”, është shprehur Cakiqi për KultPlus.

Koncerti përfundoi, por për të pranishmit do të mbetet gjatë në mendje. Emocionet dhe ndjenjat patriotike që u ngjallën mbrëmë nuk harrohen lehtë, kjo padyshim vërehej në fytyrat e gjithsecilit.

Krejt për fund, drejtori i Ansamblit “Shota”, Shefet Gjocaj kishte edhe një ankesë kundrejt Ministrisë së Kulturës. Sipas tij, në fund të vitit të kaluar, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, bëri të ditur se ‘Shota’ do të bëhet institucion në vete, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur akoma. Për këtë gjë, Gjocaj konsideron se si një hap i parë drejt pavarësimit të institucioneve qendrore të kulturës siç është kodi buxhetor i cili edhe pse është miratuar, ‘Shota’ vazhdon ende të jetë varur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në mënyrë ekstreme.

“Fakti që ne kemi mungesa në trupë dhe nuk mund të hapim konkurse, nuk kemi mundësi të planifikojmë asgjë pa miratimin e MKRS. Për pavarësi të institucionit as që bëhet fjalë, është punë e mirë ajo që ka nisur Dumoshi sepse kodi buxhetor është tejet i rëndësishëm, mirëpo kjo nuk do të thotë pavarësi e institucionit, pasi kjo pavarësi vie kur ‘Shota’ ka njësinë e burimeve njerëzore, zyrën e financave, kur ne e planifikojmë buxhetin etj”, ka deklaruar Gjocaj. / KultPlus.com

Të ngjajshme