“N’drras të vekut kush po kjan”

10 Shkurt, 2022 - 9:00 pm

Shkruan Ilir Seci

Motivi i dashurisë në një perlë folklorike malësore…

Etnografët e kanë theksuar se këngët folklorike kane qenë shumë të rëndësishme në mënyrën e jetesës së kulturave njerëzore. Studimet e këtyre këngëve na ndihmojnë për të parë rëndësinë e muzikës folklorike në traditat, ritualet, ceremonitë fetare, dhe vazhdimësinë e jetës së këtyre kulturave. Këto këngë në dukje spontane, qe emërtohen ne te gjithë kulturat si “këngë popullore”, përbejnë nënshtresën nga erdhi edhe muzika e kultivuar. Sot këngëtarë shumë të njohur shkruajnë dhe këndojnë atë qe e kanë quajtur zakonisht këngë popullore, sepse forma dhe mendimi kanë ngjashmëri me ato nënshtresa qe vijnë nga thellësitë e shekujve. Tekstet e këngëve popullore tradicionale kane mbërritur deri ne kohen moderne, pikërisht sepse përçojnë karakteristikat universale te artit, temat e përjetshme qe kane shoqëruar dhe shoqërojnë njerëzimin, si dashuria, jeta, dhe vuajtja. Tipar themelor i këngës popullore është përcjellja e ngjarjeve te vërteta për dëgjues që e përjetojnë nja ngjarje qe ndodh ne kohen e tyre duke bere qe secili individ te identifikohet menjëherë me mesazhet qe ka përçuar kënga. Ndoshta ky identifikim personal e ka bërë këngën popullore të çdo vendi, me rëndësi jetike. Këngët folklorike kane larmi te pamase temash, nga këngët e trimërisë, kurbetit, dashurisë dhe secila nga këto tema te trajtuara ka karakteristikat e veta qe i dallon…te gjithë këto teme të marra së bashku dëshmojnë universin e paratë te pasurisë shpirtërore te popullit qe i krijoi. Ndër temat qe janë trajtuar ne këngët folklorike, tema e Dashurisë është ndoshta edhe me e përkora në lirikat folklorike te Shqipërisë së Veriut. Duke pasur parasysh kushtet shoqërore në të cilat këto këngë u ngjizen, rapsodi e ka ngritur deri ne perfeksion mënyrën e te shprehurit që të thotë sa më shumë dhe të mos keqkuptohet. Ti këndohet Vashës që i pëlqen artistit, vajzës që e ka shituar me bukurinë e saj, sot është e lehtë, por paramendoni kohën kur mbahej pushka krahut, kur për një shikim te pakontrolluar bëhej gjëma!? Ishte një çensurë e pashpallur dhe artisti duhej të ishte shumë i kujdesshëm e të ndërthurte tekste me shumë nënkuptime, qe askush tjetër pos vajzës se cilës i drejtohej kënga mos ta merrte vesh mesazhin…nga ana tjetër autori te ishte gjithmonë i mbrojtur dhe te mos dilte hapur. Nga kjo lloj “ çensure” çdo varg kishte nëntekste shume kuptimplote, ngjeshur me mesazhe e kode komunikimi te cilat ishin aq te arrira sa u mbijetuan shekujve e mberrinë deri ne kohen tone. Ka mundësi qe edhe artiste tjerë nëpër shekuj i ripunuan edhe i lëmuan me shume duke i përsosur deri ne perla… Një nga modelet me te arrira folklorike, qe vështirë se mund te gjenden ne Folklor, është kënga shume e njohur qe këndohet ne Malesitë e Veriut, por edhe me gjere ne viset shqiptare Kënga: ”N’DRRAS TE VEKUT”…

“N’DRRAS TE VEKUT KUSH PO KJAN”…

“N’drras te vekut o kush po kjane Kjane syzeza o per Jaran’ Dushk e bar o ne mal po i than Nuk po e len veren me dale

S’po e len veren me dal sivjet Per qat Djal o qe i ka vdeke Per qat Djal o Djalo te ri A e din Nane ne vorr ku e kan shti

N’vorre te reja ner ni Bli A m’jep iz oj Nan t’shkoj e t’rri Shkoj syzeza i ra permi Çou shkodran o djal i ri

Ku e ke besen qe ma ke dhane M’thojshe jam o trim azgan Gjylja e topit s’mund me m’zan Plumbi i pushkes shenj s’me ban

Kur ta ndiej thojshe zanin tand Edhe i dekun n’vorr me kane Menjeher’ çiko çohna n’kambe Dhe e drrasa i gjuej menjane.

Që në vargun e parë kemi një nëntekst shumë domethënës që na shpalon dramaticitetin e Këngës, gjendja në të cilën është thurur kënga…vasha është duke vajtuar “N’Drras te vekut”…Veku është Avlemendi, Tezgjahu, pra vajza është duke përfunduar pajën e nusërisë…Në traditën malësore dihet që kur vajza ulej në Vek, (Tezgjah, Avlemend), i kishte ditët e ndara dhe do shkonte te burri. Te kjo kënge, vajza është duke vajtuar ndërsa po përgatit Pajën?! Pret te shkojë te Burri dhe ”Kjan syzeza për Jaran!”… Është vaji i një vashe për te dashurin qe ka vdekur…Ndoshta Jarani, (i dashuri), ka vdekur pikërisht për të!? Sepse në atë kohe kur është marre vesh lidhja e fshehur me një djalë ka kërcitur pushka. Ky hamendeshim e bene dhe me intrigues tekstin e këngës sepse më poshtë vajza i kërkon “Ize”, (Leje), nenës së vet që të shkojë deri te varri i djalit të ri të vdekur në lule të moshës… Figuracioni që e përshkruan dhimbjen e vajzës është brilant: ”Kjan syzeza o për jaran/Dushk e bar o ne mal po i than/Nuk po e len veren me dale”…Aq e madhe është dhimbja e zemrës së saj sa as Vera nuk guxon te dalë atë vit. Një asocim brilant me zemrën e thyer të cilën e prêt zymtësia e një martese kundër dëshirës… Çdo varg i kësaj kënge është brilant …me tutje Vajza e pyet Nanen e vet se ku e ka varrin Djali i Ri: ”A e din nane ne vorr ku e kane shti/” dhe Nana ja kthen: ”N’Vorre te reja nen nji Bli”… Pra djali i ri është varrosur te Varret e Reja një asocim me moshën e tij të këputur në mes. Tjetër nëntekst që thekson moshën e tij është edhe vargu “N’Vorre te reja nen nji Bli”, druri i Blirit siç dihet lulëzon në Bjeshkë menjëhere sa shkrin bora, një metafore e shpërthimit të jetës. Por mëqe Vasha me vajin e saj “Nuk po e len Veren me dale” atehere Blini ka vendose të ruaje varrin e djalit të ri…vazhdimi eshte prekes,vajza bie mbi varrin e te dashurit edhe i kujton premtimin e dhene se si ai i kishte premtuar se: ” …”Gjylja e topit s’mund me m’zan/ Plumbi ipushkes shenj s’me ban”…Ne vargun ku thuhet “Çohu shkodran o djal i ri”, duhet te ndalemi e të kujtojmë se në viset shqiptare, ne Malësi e Kosove, emri “Shkodran” ka qene kthyer ne cilësor, pra me tipare mbiemri, pasi Shkodra kishte shume zë mbas trimërive te Dasho Shkrelit, Oso Kukes apo Kupe Danes dhe malësoret uronin ne atë kohe : ”U rrit’te e u bafte shkodran!”… Vazhdimi i këngës dhe mbyllja e saj artistikisht përcjellin një mesazh shumë optimist, djali edhe pse i vdekur është gati te ngrihet kur ta dëgjoje zërin e saj : ” Kur ta ndiej thojshe zanin tand/Edhe i dekun n’vorr me kane/Menjeher’ çiko çohna n’kambe/Dhe e drrasa i gjuej menjane”…Pikërisht për ketë tipar, kënga edhe pse përcjell një mesazh shume te dhimbshëm, tragjik ne fakt, nuk është Elegji. Ne gjithë rezonancën e saj kjo kënge asnjëherë nuk përçon dëshpërim, që mund të ishte i kuptueshëm nga dhembja e madhe. Sepse ka brenda mesazhin e Pamundësisë… Te gjithë ne e njohim atë ndjenje…atë regetime zemre për atë që kemi dashur në fshehtësi e që ndoshta edhe nuk ia thamë kurrë por që na ngrohu e na ngazëlleu. Dashuria kur është e pamundur është edhe me pervëlonjëse. Prandaj edhe vaji i vajzës qe shkon te varri i te dashurit te vdekur nuk kthehet ne Elegji sepse e tillë është jeta, të gjithë e kemi në zemër nga nje varr të tillë dashurie të pamundur, ndoshta një regëtime, një shpresëz, një iluzion pak rëndesi ka… Ndërsa për atmosferën muzikore të këngës ajo është një mrekulli me vete…melodia qe ne fillimet e veta të jep përshtypjen e tringëllimës së heshtur te lotit qe bie mbi Vek,(tezgjah), mbytur nga karkërima e përplasjes së Vekut, (tezgjahut)…Është vaji i heshtur i zemrës që mbytet nga karkërrima e tezgjahut të jetës, vrazhdësisë së saj. Duket sikur ato lot bien si nota muzikore drejt e ne pentagramet e shpirtit… Atmosfera muzikore, ajo qe studiuesit e muzikës e quajnë “Shtimung muzikor”, (“Stimmung”), gjate gjithë këngës është atmosfere optimiste nuk bie ne zvargie zëri e vajtime dëshpëruese karakteristike për këngët orientale, rapsodi duket ka pase në mendje tringëllimat e krojeve, tringëllimet e lotëve te akullnajave qe shkriheshin në Bjeshkë. Ai ka marre për model gurgullimën e krojeve të Malësisë, melodinë e parajst të rrjedhave të Valbonës, të Cemit apo lumit te Shales…Kjo kenge shpeshhere eshte kenduar e percjelle vetem nga melodia e fletes, ne Malësi ka pasë rapsode që e krijonin melodinë vetëm me një gjethe të njome ahu, dëshmi kjo e një sinkretizmi te plote me natyrën…Vetëm imazhi i një djali te ri duke i rene fletës, (gjethes) në një Rudine bjeshke teksa shoqëron zërin engjëllor te një bareshe te re qe këndon përmallshëm, “N’Drras te vekut…” mjafton për t’u kredhur ne një bote ëndërrimesh, bote prej se cilës askush nuk do dëshironte te dilte ndonjëherë…/ KultPlus.com

Të ngjajshme