Në Ditën Ndërkombëtare të Jazz-it, nga Prishtina u përçuan mesazhe paqeje dhe uniteti

1 Maj, 2019 - 3:01 pm

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Jazz-it, Hamama Jazz Bar i cili gjendet në Prishtinë, mbrëmë organizoi një event të veçantë për të shënuar këtë ditë. Tinguj e muzikës jazz u shpalosën nga bendi “Gesundheit Quartet” i Visar Kuçit dhe nga mysafiri special i kësaj mbrëmje, pianisti dhe kompozitori i muzikës jazz, Ilir Bajri, i cili njihet ndryshe edhe si ‘veterani’ i muzikës jazz, shkruan KultPlus.

Organizimi i këtij eventi, Hamam Jazz Bar-it i është kërkuar zyrtarisht nga Ambasadori Herbie Hancock, i cili është një ambasador i vullnetit të mirë në UNESCO. Përndryshe Hamam Jazz Bar është partner zyrtar i Ditës Ndërkombëtare të Jazz-it në Kosovë.

E pianisti dhe kompozitori që i kushtoj jetën kësaj muzike, Ilir Bajri, e konsideroj si shumë të rëndësishme marrjen e të rinjve me këtë muzike e po ashtu ai tha se shpreson që muzikantët të merren sa më shumë me këtë lloj të muzikës.

“Për të rinjtë është e rëndësishme muzika jazz njësoj siç është e rëndësishme të dëgjojnë muzikë dhe të shohin filma të kohës së sodit që janë prodhuar në shoqëritë tjera. Jazz-i është aso muzike që gjithmonë është aktuale, muzikë që ndodh tani. Mirëpo kjo si muzikë nuk është e lehtë që të mësohet e të dëgjohet për këtë arsye është më vështirë që të hysh në këtë lloj muzike. Unë mendoj që është mirë të ketë sa më shpesh kësi lloj organizimesh dhe sa më shumë muzikantë që merren me këtë lloj muzike”, u shpreh Bajri për KultPlus.

Muzikanti Visar Kuçi, tha që këtë organizim janë duke e bërë që disa vite mirëpo nata e sotme ishte me e veçantë sepse ky organizim ishte kërkuar nga UNESCO.

“Ky është një organizim që ne e bëjmë që disa vite, por sonte është më official sepse UNESCO, organizata që e ka shpall Ditën Ndërkombëtare të Jazz-it në vitin 2011, këtë herë e ka kontaktuar “Hamamin” si një vend adekuat për të kremtuar këtë ditë. Kjo është një lloj përkrahje prej anës së tyre, më shumë përkrahje institucionale po jo financiare, këtë event e financon prapë Hamam Jazz Bar”, tha Kuçi për KultPlus.

Po ashtu Visari shtoi që sonte përmes muzikës jazz përçohen mesazhe të paqes dhe unitetit nëpër botë.

“Arsyeja që ata e kanë shpallë këtë ditë është që të përhapet sa më shumë mesazhi i paqes dhe unitetit nëpërmjet muzikës nëpër gjithë botën. Kështu që edhe ne sonte e përçojmë këtë mesazh por edhe qëllimi tjetër është që me tërheq muzikant të ri që të na bashkëngjiten në promovimin e kësaj muzike”, u shpreh ai.

E shumë i nderuar, nga ftesa që ju bë nga UNESCO, u ndje pronari i Hamam Jazz Barit, Dardan Islami, i cili po ashtu tha që të rinjtë duhet të frymëzohen nga muzika dhe duhet ta kultivojnë atë.

“Kjo ftesë nga organizata UNESCO na nderojë dhe ne vendosëm që ta ftojmë bendin “Gesundheit Quartet” dhe Visar Kuçin, si një nga muzicientët më të mirë të gjeneratave të reja që i kemi. Njëkohësisht vendosëm edhe Ilir Bajrin i cili është një prej veteranëve të Jazz muzikës në Kosovë. Të rinjtë duhet të frymëzohen nga muzika çfarëdo që të jetë ajo, le të dëgjojnë muzikë të mirë, le ta kultivojnë atë dhe uroj që të bëjnë muzikë sa më shumë”, tha Islami për KultPlus.

UNESCO ka caktuar 30 prillin si Ditën Ndërkombëtarë të Muzikës Jazz, me rezolutën e miratuar në Konferencën e Përgjithshme të kësaj organizate, në nëntor të 2011-ës./ Gzim Mujaj/ KultPlus.com

Të ngjajshme