Në dy vjetorin e themelimit të ‘Noricum Culture’, në Prizren mbahet koncert me veprën ‘Karnevali i Kafshëve’

23 Mars, 2023 - 9:37 pm

Në dy – vjetorin e themelimit të shoqatës ‘Noricum Culture’, në Prizren, do të mbahet një koncert në bashkëpunim me Orkestrën e të Rinjve të Kosovës, ku do të interpretohet vepra ‘Karnevali i Kafshëve’ nga kompozitori Camille Saint – Saëns, shkruan KultPlus.

Koncerti i cili do të mbahet në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”, do të dirigjohet nga Hajrullah Syla, e po ashtu do të jetë e ftuar edhe aktorja Fatlume Bunjaku.

Kryetari i shoqatës ‘Noricum Culture’, Norik Nushi, në një prononcim për KultPlus thotë se ndër veçantitë e këtij koncerti do të jetë aktorja e cila do të bashkëbisedojë në formë pyetje-përgjigje me fëmijët që do të jenë në publik gjatë kohës së performancës së orkestres.

Ndërkaq, ju kujtojmë se  ‘Noricum Culture’ është një shoqatë edukative kulturore –artistike e themeluar në mars të vitit 2021 dhe që nga hapja ka realizuar katër koncerte.

Koncertin e parë e realizoi në Prizren më 22 qershor të vitit 2021, ‘Koncert i Përbashkët’– me nxënësit e shkollave të muzikës ‘Lorenc Antoni’ nga Prizreni dhe ‘Halit Kasapolli’ nga Peja dhe po i njëjti u mbajt më 23 qershor në Pejë.

Më 28 shkurt 2022, ‘Noricum Culture’ realizoi ‘Koncertin Instrumental Kamertal’, ku morën pjesë instrumentistë profesionistë nga Kosova si dhe një musafire nga Shqipëria.

Ndërkaq koncertin e katërt shoqata i dedikon koncert instrumentit frymorë, Klarinetës “Skena e Klarinetës”. Ky koncert u mbajt më 27 dhjetor 2022 në shkollën e muzikës ‘Prenk Jakova’ në Prishtinë.

Në shkurt të këtij viti 2023, shoqata Noricum Culture ndihmoi me një donacion shkollën e muzikës “Halit Kasapolli” në Pejë, duke i’a akorduar pianon e amfiteatrit në të cilën mbahen majft koncerte gjatë tërë vitit.

“Të gjitha aktivitetet dhe iniciativat e shoqatës bëhen për t’u dalë në ndihmë kulturës së vendit tonë dhe për inkurajimin e të rinjëve”, shprehet Nushi.

Tani radhën e ka koncerti i pestë që do të mbahet të martën, më 28 mars, ora 17:00, në Universitetin Ukshin Hoti në Prizren./ KultPlus.com

Të ngjajshme