4 Qershor, 2025 - 1:38 pm
Në kuadër të Javës Kulturore Italiane u organizua një mbrëmje e veçantë në Lungomare-n e Vlorës.
Grupi i mirënjohur italian “Neri per caso” kremtuan 30-vjetorin e fitores së tyre në Sanremo, me një koncert në qytetin bregdetar. Koncerti u ndoq nga qindra të pranishëm në shesh, mes të cilëve edhe shumë italianë të cilët gjenden si vizitorë apo edhe rezidentë në vendin tonë.
Të pranishmit u zhytën në hitet e paharrueshme të “Neri per caso”, duke përjetuar një koncert plot emocion dhe magji, ku nostalgjia u bashkua me vokalin e jashtëzakonshëm të këngëtarëve italianë.
6 djemtë nga Salerno, u bënë pjesë e skenës italiane pas fitores në seksionin e të rinjve, në festivalin e Sanremos 1995, ku kënduan a cappella, hit-in e tyre “Le ragazze”.
Edhe në Vlorë ata kënduan a cappella disa prej këngëve më të dashura të muzikës italiane dhe u shoqëruan nga publiku. Në fund të koncertit ata u shprehën për mediet se ndiheshin si në shtëpinë e tyre duke qenë se këtu ka plot italianë, ashtu siç ka plot shqiptarë në qytetin e tyre Salerno. Koncerti i “Neri per caso” ashtu si edhe Java Kulturore Italiane përkoi me festën e Republikës Italiane. /atsh/ KultPlus.com