Nesër nis PriVocalFest, sjell një program të pasur me artistë të njohur

5 Tetor, 2022 - 10:56 am

Prishtina International Vocal Festival i cili u themelua në vitin 2018 si i vetmi festival në vendin tonë që promovon muzikën vokale, është gati për edicionin e 5-të i cili do të nis nesër, më 6 tetor, shkruan KultPlus.

Që nga krijimi, festivali ka arritur të sjell në vend artist, ansamble, kore të njohura ndërkombëtarisht me renome botërore por duke mos lënë anash dhe ata vendor. Përveç aktiviteteve koncertale synimi i tyre është të promovojë poashtu vepra vokale nga kompozitorët shqiptar, duke i futur në repertorët e interpretuesve vendor dhe ndërkombëtar.

Aktiviteti i PriVocalFest zgjerohet edhe në aspektin e ofrimit të njohurive rreth vokalit, kompozitorëve të muzikës vokale dhe performancave të ndryshme e karakteristike duke organizuar punëtori/masterklase me profesionist të fushës.

Këtë vit (2022) Prishtina International Vocal Festival feston 5 vjetorin e themelimit, me një edicion special ku do të ketë një program atraktiv dhe mjaft të pasur me artist të njohur.

Këtë vit, festivali nisi me një koncert i cili i parapriu edicionit të pestë, koncert ky i mbajtur në muajin maj, ku e ftuar në skenë ishte mexosoprano Elikonë Hysaj Shala nën shoqërimin e pianistes Pranvera Hoxha Bryma, me mysafirë special, korin e fëmijëve dhe të grave “Okarina” të cilët sollën një program shumë simpatik dhe atraktiv.

Në vazhdën e festivalit këtë edicion do jenë 5 netë me koncerte të pasura me vokale të ndryshme, laramani veprash e kompozitorësh vendor dhe të huaj; dhe me një ndryshim nga vitet e kaluara këtë edicion përveç netëve koncertale vokale, është organizuar edhe një panel diskutimi me kompozitorin e njohur botëror Ēriks Ešenvalds. Koncertet e këtij edicioni do të mbahen nga data 6 deri më 12 Tetor 2022.

Hapja e këtij edicioni do të bëhet nesër me Ansamblin “Argjiro” të cilët do interpretojnë perla të muzikës karakteristike labe, trashëgiminë dhe pasurinë e muzikës vokale shqiptare, këngë si: epike, lirike, dashurie, trimërie etj; duke vazhduar me panelin e diskutimit rreth krijimtarisë së kompozitorit të njohur botërisht me prejardhje nga Letonia- Ēriks Ešenvalds, një diskutim rreth veprës Legjenda e gruas së murosur, vepër e kompozuar nga Ešenvalds e cila ndërtohet mbi motivet e muzikës së Jugut të Shqipërisë.

Data 6 Tetor (Koncerti dhe paneli do të mbahen në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës, nga ora 20:00). Nata e dytë e këtij edicioni vazhdon me Skena e Re, ku do të prezantohen në skenë Kori i fëmijëve të shkollës së muzikës së Gjilanit të udhëhequr nga Artan Jerliu dhe në pjesën e dytë të programit do të jetë Martina Lekaj, soprano dhe Ylberinë Avdyli, soprano. Kjo mbrëmje që mbahet më 7 tetor në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, nga ora 20:00. Nata e tretë e festivalit do vazhdojë me The Siwngle Singers- ansambli me renome botërore, fitues të 5 çmimeve Grammy Awards, për herë të parë në Kosovë duke sjellur programin e tyre atraktiv përmes këndimit shumë specifik me efekte vokale dhe program të përzgjedhur me pjesë mjaft interesante. Data 10 Tetor (Ky koncert do të mbahet në qendrën “Bogdani Polis”-katedralja “Nëna Terezë” nga ora 20:00 )

Nata e katërt e PIVF do vazhdoj me sopranon e skenës sonë Arta Jashari e shoqëruar nga pianistja Pranvera Hoxha Bryma. “Mbi Re” është quajtur programi i cili përmban këngë të përpunuara dhe të mirëfillta shqipe të së madhes Nexhmije Pagarusha. Data 11 Tetor (Ky koncert do të mbahet në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, nga ora 20:00)

Dhe nata e pestë dhe përmbyllëse e festivalit sjell në skenë Korin e Filharmonisë së Kosovës të udhëhequr nga kompozitori, dirigjenti Ēriks Ešenvalds të cilët do interpretojnë program me vepra nga kompozitor të ndryshëm duke përfshirë dhe vepra nga krijimtaria e Ešenvalds si dhe kompozitorëve shqiptarë. Data 12 Tetor (Ky koncert do të mbahet në Kishën Katolike “Shën Ndou”-Prishtinë, nga ora 20:00). /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme