27 Qershor, 2025 - 7:45 pm
Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës çel sot edicionin e tij jubilar të 20-të pranë katedrales “Shën Luçia”.
Ky festival, tashmë i njohur për nivelin e lartë profesional dhe artistik të koncerteve do të prezantojë përgjatë një muaji zhanre të ndryshme të muzikës së dhomës.
Kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako tha se festivali do të vijojë deri në 21 korrik dhe do të sjellë në zemër të qytetit bregdetar, në katedralen “Shën Luçia”, një udhëtim të pasur përmes muzikës së dhomës.
“Artistë nga mbi 10 vende, formacione të njohura, projekte të reja artistike dhe bashkëpunime ndërkombëtare, në një festival që bashkon traditën dhe risinë, tingujt klasikë dhe emocionin e drejtpërdrejtë”, tha Sako.
Sipas programit, festivali nis sot me koncertin e trios “Amadeus”, grupi i njohur që vjen nga Austria, ndërsa performanca e fundit e parashikuar në datën 21 korrik do të jetë një koncert piano kuartet me artistë nga Shqipëria, Amerika dhe Italia.
Festivali zhvillohet nga shoqata Arti dhe Kultura Italo-Shqiptare, që u krijua me iniciativën e disa artistëve durrsakë, të cilët kanë studiuar e kaluar një pjesë të veprimtarisë së tyre në Itali. Qëllimi i kësaj shoqate ka qenë dhe është bashkëpunimi i artistëve shqiptarë me të huaj, këmbimi i eksperiencave të kulturave të vendeve të ndryshme.
Gjatë aktivitetit të këtyre viteve kjo shoqatë ka organizuar mjaft koncerte në Durrës, Tiranë dhe Itali të cilat kanë përcjellë në publik një nivel të lartë interpretimi artistik.
Sipas organizatorëve ky festival u krijua pikërisht me qëllimin për të siguruar një vazhdueshmëri jo vetëm në njohjen e kulturave të ndryshme nëpërmjet artistëve të ardhur nga Italia, Austria, Franca, Greqia, Zvicra, Kosova, etj., por edhe me dëshirën e madhe për t’u ballafaquar me këto kultura dhe kjo nëpërmjet shfaqjeve të përbashkëta me instrumentistë shqiptarë.
Një tjetër synim i këtij aktiviteti është pjesëmarrja e artistëve shqiptarë, që jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë./atsh/ KultPlus.com