Nisin provat e Festivalit të Këngës, kësaj radhe mbahet në shesh

15 Dhjetor, 2020 - 3:48 pm

Festivalin e 59-të të Këngës nuk e ndal as nga pandemia Covid 19. Ndonëse, në mungesë të orkestrës së RTSH, 26 këngëtarët në garë dhe organizatorët kanë nisur provat në skenografinë e realizuar, si rrallëherë në ambiente të hapura tek “Kolonat”. Regjisori Pali Kuke e cilëson këtë festival të veçantë, sepse kjo muzikë është për jetën.

“Është një festival shumë special, mund të titullohej festivali që s’do bëhej, i murtajës edhe i pandemisë, që ka ngrirë të gjithë botën. Të gjithë jemi prekur nga të afërmit tanë që luftuan edhe humbën jetën nga kjo murtajë. Të rezistosh, të luftosh për të  bërë festival sjell muzikë për dashurinë për jetën. Ky është lajtmotivi i një qëndrese të madhe tek të gjithë njerëzit, këngëtarët edhe të gjithë të tjerët, që punojnë për këtë produkt artistik”, tregon Kuke.

Kuke tregon se ky festival në zemër të qytetit vjen për të përcjell një mesazh të fortë të gjithë njerëzve që u është dashur të përballen me këtë situatë të vështirë të krijuar për shkak të pandemisë Covid 19.

 “Tek të gjithë ndihet dashuria që do ta bëjmë. Artistët kanë kaluar provat natën dhe janë përballë me lagështirën, sepse duan që të mos çedojë asgjë. Po ecim mirë. Festivali hapi krahët edhe doli në zemër të qytetit, doli nga skena, luksi edhe që është rezauruar. Aty mbase do kthehemi, por do që t’i flas qytetit që t’i kthehet jetës normale, duke përballuar këtë qenie mostër, që me grepat e tmerrshëm u ngul edhe solli vdekjen gjithkund. Kjo është e gjithë arsyeja përse po bëjmë festivalin”, thotë Kuke.  

Festivali do të regjistrohet në datë 16-17 dhe 18 dhjetor 2020, ndërsa do të transmetohet për publikun në ditën e fundit të këtij viti. /Shqiptarja.com/ KultPlus.com

Të ngjajshme