Nxënës të shkollave të ndryshme shënojnë Ditën e Vallëzimit në Prishtinë

25 Prill, 2019 - 9:07 pm

Sot në Prishtinë për nder  të Ditës Botërore të Vallëzimit u mbajt gara joformale e vallëzimit të fëmijëve nga shkolla të ndryshme të Kosovës, nën organizimin e shkollës ‘Evolution Dance’, shkruan KultPlus.

Kjo garë tashmë tradicionale dmbledhë fëmijë nga shkollat fillore. Shkollat që kanë  marrur  pjesë në këtë ngjarje janë Shkolla Fillore “Pavarësia”, Shkolla Fillore “Gjergj Fishta”, Shkolla Fillore  “Elena Gjika”, Shkolla Fillore “Hasan Prishtina” dhe Shkolla Fillore “Iliria”. Përveç shkollave garuese në këtë ngjarje përformuan edhe shkolla tjera që ishin nga vendet e ndryshme të Kosovës si Ferizaji, Gjilani, Mitrovica dhe Peja.

Sipas organizatores së kësaj ngjarje Dafina Rudi, gjithë ky organizim është bërë më qëllimin që të  inkurajohen fëmijët. Po ashtu ajo tha që për të vallëzimi është ushqim i shpirtit.

“Gjithë  ky organizim është me e shty aspektin edhe konkurrues po mbi të gjitha inkurajues për fëmijët. Duke parë vallëzimin si sport dhe si kulturë, vallëzimi mbi të gjitha është ushqim i shpirtit” u shpreh Dafina Rudi për KultPlus.

Në këtë garë u ndanë pesë çmime të ndryshme për të pesë shkollat garuese. Çmimet të cilat u ndanë  ishin çmimi  “Interpretuesi më i mirë” të cilën e fitoi shkolla “Gjergj Fishta”, çmimi  “Koreografia më e mirë” që e fitoi shkolla “Pavarësia”, vendin e tretë e fitoi shkolla “Hasan Prishtina”, vendin e dytë shkolla “Elena Gjika” dhe fitues i vendit të parë ishte shkolla “Iliria”. Fituesit e çmimit të parë, dytë dhe të tretë do të marrin mësime të vallëzimit në shkollën ‘Evolution Dance’.

Kryetari i jurisë Alion Qerkini, tha se përkrahja e fëmijëve në muzikë është shumë e rëndësishme duke marrur parasysh nivelin e Kosovës dhe Shqipërisë në këtë fushë,  ai po ashtu e vlerësoi lartë këtë iniciativë të marrur nga shkolla ‘Evolution Dance’.

“Është shumë e rëndësishme përkrahja e fëmijëve, sidomos për Kosovën dhe Shqipërinë sepse arti në këto dy vende nuk është në nivelin e vendeve të tjera të Ballkanit. Kjo është një iniciative shumë e rëndësishme nga shkolla Evolution Dance” tha Qerkini për KultPlus.

Dita Botërore e Vallëzimit është një eveniment që festohet në të gjithë botën qysh prej 29 prillit të vitit 1982, krijuar nga Këshilli Internacional i Kërcimit dhe UNESCO. E tani është bërë tradicionale shënimi i kësaj dite edhe në Kosovë./ Gzim Mujaj / KultPlus.com

Të ngjajshme