Oleg Arapi, Lule Elezi dhe Orkestra e Operës së Kosovës magjepsin Prishtinën me virtuozitet

23 Maj, 2025 - 8:23 am

Era Berisha

Gjithsej gjashtë vepra brilante janë ndërthurur me mjeshtëri në programin e zgjedhur për koncertin e veçantë të Orkestrës së Operës së Kosovës. Ky koncert, i mbajtur brenda një atmosfere të thellë muzikore, dëshmoi për një interpretim që kapërcen kufijtë e zakonshmes, duke u shndërruar në një përjetim të rrallë artistik. Nën drejtimin finesë të dirigjentit të njohur Oleg Arapi dhe me pianisten e talentuar Lule Elezi në qendër të vëmendjes, skena u shndërrua në një univers emocionesh të pastra, ku secila vepër mori frymë me një shpirt të vetin. E gjithë nata u kthye në një dialog të fuqishëm mes muzikës dhe shpirtit, një simfoni e harmonisë që jehonte thellë në zemrat e të pranishmëve, shkruan KultPlus.

Fillimisht, të pranishmit nisën të mbërrijnë një e nga një, duke u ulur me kujdes në karriget e vendosura me përpikëri në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Sallës iu rikthye zëri i gjallë i artit, e çdo cep i saj u mbush me praninë e atyre që e ndjejnë thellë nevojën për të qenë dëshmitarë të magjisë së muzikës së gjallë. Perdet e zeza në sfond qëndronin si gardianë të elegancës, ndërsa reflektorët në ngjyrë vjollcë ndriçonin me një dritë ëndërrimtare, duke e kthyer hapësirën në një altar të tingujve.

Ora shënoi 20:00. Heshtja zuri vend në mënyrë solemne. Celularët u fikën, zërat u fashitën, dhe një pritje e ëmbël filloi të lëkundej në ajër. Duartrokitjet shpërthyen me ngrohtësi në momentin kur instrumentistët zunë vendet e tyre në skenë. Mes tyre, u shfaq dirigjenti Oleg Arapi, me një prani të qetë por të fuqishme, i përshëndetur me përzemërsi nga publiku. Me një buzëqeshje të përmbajtur, ai iu përgjigj brohoritjeve, si një poet që sapo ka hyrë në skenën e fjalëve të tij të heshtura – tingujt.

Vepra e parë që u interpretua në këtë mbrëmje të veçantë ishte uvertura nga opera “Don Pasquale” e kompozitorit italian Gaetano Donizetti. E krijuar në mesin e shekullit XIX, kjo uverturë i paraprin një prej komedive më të njohura të repertorit operistik belkantist dhe është një shembull i mrekullueshëm i finesës dhe gjallërisë që karakterizon stilin e Donizettit. Qysh në notat e para, muzika u shpalos me një dritë lozonjare dhe një elegancë të lehtë, si një shëtitje e qetë përmes rrugëve të Romës së vjetër. Fijet e violave dhe violonçelëve sollën një fillim të ngrohtë, teksa frymorët i shtonin ngjyra një tabloje që rritej gradualisht në temperament dhe dinamizëm. Kjo uverturë është një hyrje e shkëlqyer në botën satirike të operës, e cila përmes tingujve ndriçon karakteret plot humor dhe situatat absurde që pasojnë.

Pas uverturës plot sharm e gjallëri të Donizettit, nata vijoi me një kthesë dramatike dhe emocionale përmes tingujve të “Sonatës Patetike për piano dhe harqe” nga Ludwig van Beethoven. Në këtë vepër, ndjeshmëria e thellë e mjeshtrit gjerman u shpalos me një fuqi që kapërcen kohën, ku çdo akord i pianos, në dialog të ngushtë me harqet, sillte një përzierje të dhimbjes së përmbajtur dhe krenarisë njerëzore. Lule Elezi, me prekje të butë dhe të sigurtë, gdhendi me ndjeshmëri secilën frazë, duke krijuar një hark emocional që zgjaste përtej skenës dhe përfshinte çdo zemër të pranishme.

Më pas, nën dritën e një qetësie të brendshme, nisi të rridhte “Nocturne në cis-mol, B.49” nga Frederic Chopin – një gjuhë muzikore e ëndërruar, plot melankoli dhe hijeshi. Kjo vepër, e butë si një pëshpëritje nate, u shtri si një qilim heshtjeje mbi sallë, ndërsa çdo tingull i pianos dukej se vinte nga një tjetër botë, një kujtim i largët e i shenjtë. Në të pasuan ngjyrat intime të “Intermezzos nr. 1” të Manuel Ponce, ku melodia me nuanca latine lundronte si një vallëzim i heshtur ndërmjet harqeve dhe pianos, duke përqafuar thellësinë shpirtërore me një thjeshtësi mahnitëse.

Ky udhëtim muzikor u ngrit në një frymë teatrale me “Suitën nr.1 nga Carmen” e Georges Bizet – një shpërthim ngjyrash dhe ritmesh që mbushën hapësirën me gjallëri dramatike, pasion dhe temperament jugor. Tingujt ikonikë të Bizet-it sollën në sallë aromën e flaktë të Spanjës, ndërsa performanca e orkestrës, nën drejtimin preciz të Oleg Arapit, ringjalli fuqinë e narrativës së “Carmen”. E gjithë mbrëmja u përmbyll me një vrull festiv e triumfues përmes “Uverturës Light Cavalry” nga Franz von Suppé – një vepër që ngërthen humorin, shpejtësinë dhe elegancën në një ndjesi finale përplot me energji e gëzim, si një përshëndetje e hareshme nga muzika drejt audiencës së saj të magjepsur.

E njohur për lojën e saj të fuqishme dhe njëkohësisht delikate (FCE – Luksemburg), e cilësuar si virtuoze në interpretim (Momag – Austri), dhe e vlerësuar për emocionin e thellë e të përshkueshëm në veprat e Chopin (Bergedorfer Zeitung – Gjermani), pianistja e mirënjohur Lule Elezi u ngjit për herë të parë në skenë me Orkestrën e Operës së Kosovës, në një koncert që solli një përjetim të pasur estetik për publikun e Prishtinës.

Në duart e saj, secila vepër u shndërrua në një rrëfim dramatik, ku forca dhe ndjeshmëria bashkëjetonin në çdo frazë; një pikturë e gjallë e shpirtit të kompozitorit. Ajo gdhendi tinguj që rrëshqisnin butësisht si hije nate mbi harqet, duke krijuar një përhumbje të ëmbël, melankolike dhe intime. Interpretimi i saj ishte si një kujtim i ngrohtë, i thjeshtë në dukje por i mbushur me ngjyrime të heshtura, që ndizeshin lehtë mes harmonive të harqeve, duke e kthyer veprën në një copëz të vogël kohe të ndalur. Ndërsa koncerti lëvizte drejt temperamentit të gjallë, loja e saj mori ngjyra teatrale, të mprehta dhe plot ngarkesë dramatike, duke ruajtur gjithmonë elegancën e premtuar nga fillimi. Ajo përfundoi interpretimin e saj me një gjurmë të pashlyeshme, ku çdo vepër e kaluar përmes duarve të saj u shndërrua në një rrëfim poetik – të fortë, të ndjerë, dhe të paharrueshëm.

Për të folur më shumë rreth pjesëmarrjes së tij në kuadër të Operës së Kosovës, për KultPlus foli vetë dirigjenti Oleg Arapi.

“Ishte një kënaqësi për mua, bashkëpunimi me Orkestrën e Operës së Kosovës. Ky bashkëpunim u realizuar falë pianistes të talentuar shqiptare nga Kosova, Lule Elezi, me të cilën kam pasur kënaqësinë të bashkëpunojë në disa koncerte në Prizren dhe Tiranë. Një falënderim shumë të madh për istrumentistët e talentuar të orkestrës, të cilët me përkushtim dhe profesionalizëm, performuan një program të bukur muzikalisht dhe të vështirë teknikisht, për një periudhë shumë të shkurtër kohe. Performanca e pianistes Lule Elezi, u duartrokit pa fund nga spektatorët artëdashës.”

Gjithashtu, pianistja Lule Elezi për KultPlus tregoi përshtypjet e saj rreth koncertit.

“Ishte një mbrëmje shumë e veçantë për mua, sepse isha solistja e parë instrumentiste që performova me Orkestrën e mrekullueshme të Operës së Kosovës, nën dirigjimin fantastik të Maestro Oleg Arapi. Me Maestro Oleg Arapi kam pasur kënaqësinë të bashkëpunojë edhe më herët, me koncertet që i kemi mbajtur në Prizren dhe disa koncerte në Tiranë, dhe e vlerësojë maksimalisht punën e tij të palodhur dhe shumë, shumë profesionale. Falënderoj përzemërsisht stafin e Operës së Kosovës, e në veçanti kryetaren e Bordit, Rreze Kryeziu Breznica dhe drejtorin, Meriton Ferizi për organizimin e shkëlqyer të këtij koncerti, të cilët u përpoqën shumë që kjo mbrëmje të kishte këtë glamor.”

Fotografitë: Arben Llapashtica/ KultPlus.com

Të ngjajshme