Opera e Kosovës sjell perla të muzikës së kultivuar shqipe në koncertin tradicional dedikuar vlerave kombëtare

27 Qershor, 2025 - 7:11 pm

Vjollca Duraku
Foto: Arben Llapashtica

Opera e Kosovës mbrëmë ka mbajtur koncertin “Kosova në Tinguj”, si dedikim ndaj krijimtarisë së kompozitorëve të shquar shqiptarë, duke sjellë para publikut vepra të përpunuara artistike të cilat për vite me radhë kanë ushqyer shpirtin e adhuruesve të muzikës shqipe, shkruan KultPlus. Ky koncert është mbajtur në  kuadër të Konferencës Ndërkombëtare të Shoqatës Evropiane të Kartës për Rini (EYCA), me një program të përqendruar në veprën e kompozitorëve shqiptarë.

Nën drejtimin e maestro Edon Ramadani, në skenë interpretuan sopranot Adelina Paloja, Kaltrina Miftari dhe Zana Abazi Ramadani, të cilat dhuruan emocione të jashtëzakonshme përmes perlave të njohura shqiptare, që tashmë janë pjesë e rëndësishme e programit të Operës së Kosovës.  Ndërkaq, instrumentistët Ëmbla Dana- flaut dhe Lum Haxhijakupi- klarinetë, me interpretimin e tyre i dhanë koncertit një shije të veçantë artistike, duke e plotësuar koncertin në çdo pikëpamje.

“Suita për vepër harkore” e Valton Beqirit nisi mbrëmjen që shpërthente në tinguj të këndshëm, përmes emetimit të lehtë e të butë të notave muzikore, duke dhënë ndjesinë e një harmonie të paparë. Një kombinim i ngjyrave të tingujve së bashku me zërat e fuqishëm sopranove dhe krijimeve të më të zëshmëve të kohës jepte një atmosferë kompakte e cila herë të dërgonte thellë në mallëngjim, herë në soditje të thellë, e herë në një lumturi të madhe sa herë që i këndohej pranverës, luleve, kroit, ndarjes, dashurisë dhe lumturisë.

Sopranoja Adelina Paloja përmes interpretimit të saj brilant i dha koncertit një dimension tjetër. Përveç zërit të saj kristal sopranoja emetonte rreze që jepnin ngrohtësi në shpirtin e çdonjërit.  Me veprat “Pranvera filloi me ardh”- Tonin Harapi, “Mallëngjimi”- Rashid Krasniqi u zgjuan emocione thellësish të ndjera, përderisa vepra “E kujtoj at’ takim” e kompozitores Pranvera Badivuku nxirrte në pah edhe zotësinë vokale të artistes Paloja, e cila me aurën e saj rrezatuese i jep ngjarjeve sharm dhe ëmbëlsi kudo ku interpreton.

Kurse, sopranoja Kaltrina Miftari me veprat “Asaman”- Tradicionale, “Lamtumirë”- Muharrem Qena, “Kroi i fshatit tonë”- Kristo Kono dha një interpretim të fuqishëm që përkthehej në duartrokitje dhe në ovacione të fuqishme. Me një prezencë që përqonte paqe, kombinuar me zërin e fuqishëm, sporanoja Miftari depërtonte në zemrat e adhuruesve të muzikës klasike që me shumë ëndje e ndiqnin koncertin e mbajtur në Atelienë e Pallatit të Rinisë.

Ndërsa, Zana Abazi- Ramadani me një elegancë të theksuar çdo lëvizje të saj e përkthente në finesë. Ajo dha një interpretim të jashtëzakonshëm me veprat “O moj bukuroshe”- Tradicionale, “Me lule të bukura”-Tish Daija dhe  “Agimet shqiptare”- Avni Mula. Secila notë dukej se buronte nga një thellësia e një esence, që vetëm nëpërmjet zërit mund të shprehej në autenticitetin e saj më të plotë.

“Sa bukur na ka dal’ nusja” nga Thoma Simaku dhe “Baresha” e Rexho Mulliqit ishin mëlmesat që i dhanë koncertit një shije vërtetë të veçantë. Kurse “Valsi i lumturisë” i kompozuar nga Avni Mula erdhi si kurorë në këtë mbrëmje magjike të perlave shqiptare të kënduara nga tri sopranot e njohura. Prania e kompozitores Pranvera Badivuku qe një moment i veçantë i mbrëmjes, të cilin e vulosi entuziazmi dhe duartrokitjet e publikut në shenjë mirënjohjeje ndaj krijimtarisë së saj dhe të kompozitorëve të saj.

Pas koncertit, në një prononcim për media dirigjenti Edon Ramadani tha se ishte kënaqur me perforancën e Orkestrës së Operës së Kosovës, duke theksuar edhe shkëlqimin e sopranove të njohura.

“Arsyeja e mbajtjes së këtij koncerti është inicuar nga një vizitë e disa gazetarëve të huaj, pas së cilës menduam që është shumë e nevojshme të merremi me repertorin tonë. Kështuqë i mblodhëm disa aranzhime, i punuam enkas për atë koncert. Po e shohim që kjo po pëlqehet shumë nga publiku dhe në të njejtën kohë ne po e rrisim opusin e aranzhmaneve për këtë formacion të caktuar për ta prezantuar kulturën tonë muzikore edhe jashtë vendit. Veçori e këtij koncerti ishte vepra e parë “Suitë për orkestër harkore” e cila ka qenë premierë në Kosovës, pas premierës në Japoni. Interpretimi i përbashkët me të rinjtë e Orkestës së Operës së Kosovës është një kënaqësi e madhe. Vërtetë e patëm një energji shumë të bukur në skenë, që besoj u transmetua edhe te publiku”, ka thënë dirigjenti Ramadani.

Ndërsa, sopranoja Zana Abazi- Ramadani ka thënë se është e rëndësishme që këto perla shqiptare të prezantohen edhe në vende të ndryshme të botës.

“Dua t’i falënderoj kompozitorët dhe aranzhuesit Edon Ramadani dhe Valton Beqiri, pasi falë tyre patëm mundësi t’i këndojmë këto vepra, sepse nuk janë të lehta edhe për nga ana e interpretimit. Këto këngë lirike janë kthyer pothuajse në këngë operistike. Interpretimi i tyre për mua është kënaqësi e veçantë sepse jemi rritur me ritmet dhe meloditë tona, gjë që e bën këndimin dhe interpretimin më të afërt me ne. I falënderoj edhe organizatorët e Operës së Kosovës për mbështetjen e artistëve të rinj. Dëshiroj që këto vepra të transmetohen edhe në Evropë, në mënyrë që t’i tregojmë edhe vendeve të tjera që Kosova ka kulturë shumë më të madhe, dhe shumë më me vlerë se sa që ata njohin”, ka thënë sopranoja Abazi Ramadani.

Ndërkaq, sopranoja Adelina Paloja ka thënë se ndihet e përmbushur pas interpretimit të veprave të bukura shqipe, pasi sipas saj kultivimi dhe interpretimi i tyre është obligim për çdo artist.

“Përherë është një emocion i mrekullueshëm kur bashkëpunojmë me institucionin e ri, por jo edhe aq të ri, sepse dihet që gjenerata e gjenerata kanë kontribuar në formimin e institucionit të Operas së Kosovës. Pikërisht në thelbin e kësaj ne kemi përzgjedhur sonte një repertoar shqiptar i cili pritet me shumë kërshëri nga audienca e Kosovës në përgjithësi, por edhe nga audienca e rajonit. Sot ishte edhe konferenca e të rinjve evropianë, dhe audiencës sonë besnike iu bashkangjitën edhe ky kast i publikut që me një ëndje të jashtëzakonshme e kanë mirëpritur këtë koncert, ku u interpretuan disa nga veprat më të bukura të muzikës tonë të kultivuar artistike. Jam e lumtur dhe e përmbushur që pas një agjende të ngjeshur që pata jashtë vendit, të kthehem pranë këtij publiku dhe ta transmetojmë me zemër plotë muzikën tonë të bukur shqipe, të cilën e kemi obligim që ta interpretojmë dhe ta plasojmë përpara një audience të tillë”, ka thënë sopranoja Paloja.

Sopranoja Kaltrina Miftari ka thënë se veprat të cilat u interpretuan në koncert janë pasuri e popullit shqiptar, dhe si të tilla duhet të ruhen dhe të zhvillohen edhe më tej.

“Ishte një mbrëmje e veçantë, ku pata rastin të interpretoj disa prej veprave më të dashura shqipe. Gjithmonë ndihem mirë kur këndoj muzikën tonë, këto vepra kanë një vend të veçantë te unë. Publiku e ndjeu këtë muzikë po aq sa ne në skene, dhe kjo është gjëja më e bukur. Është shumë e rëndësishme. Veprat shqiptare janë pasuri e jona dhe duhen interpretuar me dashuri e kujdes. Vetëm kështu mund ta ruajmë dhe zhvillojmë kulturën tonë muzikore”, ka përfunduar sopranoja Miftari.

Ky koncert që synohet të kthehet në një koncert tradicional të Operës së Kosovës paraqet një përpjekje të institucionit për të promovuar repertorin kombëtar dhe për të afirmimuar vlerat muzikore vendore./ KultPlus.com

Të ngjajshme