Orkestra e Fëmijëve të Prishtinës më 20 qershor mban koncert artistik në Gjilan

18 Qershor, 2025 - 3:45 pm

Orkestra e Fëmijëve të Prishtinës “Amadeus”  ka njoftuar se më 20 Qershor do të mbajë koncert artistik në qytetin e Gjilanit, shkruan KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur me anë të një shkrimi në rrjetin social Facebook.

“Data 20 Qershor tashmë po shëndrrohet në datë të veçantë për ne, ngase tash e 3 vite, kjo datë ka shënuar koncerte të rëndësishme të udhëtimeve tona, duke filluar nga 20 Qershori 2023, koncerti inaugurues në Prishtinë, 20 Qershori 2024, koncerti përmbyllës në Prizren, dhe këtë vit, do udhëtojmë në Gjilan”, thuhet në njoftim.

Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje në këtë koncert me program të pasur artistik, i cili iu paraprinë Garave Botërore të Orkestrave në Vjenë.

“Ky koncert përveç programit, do të shfaqë punën dhe përkushtimin e dirigjentit Vehbi Shosholli dhe punën e muzicientëve tanë të rinj të cilët këtë verë do të përfaqësojnë Kosovën në Garat Botërore të Orkestrave në Vjenë”, thuhet në njoftim.

Koncerti mbahet më 20 Qershor, në ora 19:00, në sallën koncertale të Shkollës së Muzikës – Gjilan./ KultPlus.com

Të ngjajshme