Orkestra e Filharmonisë së Kosovës dhe ReMusica sollën edhe një bashkëpunim të fuqishëm

30 Maj, 2018 - 2:00 pm

Alberina Haxhijaj

Festivali ReMusica dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, dirigjuar nga Toshia Yanagisawa dhe shoqëruar nga violinisti Marc Bouchkov sollën mbrëmë një koncert të përbashkët, programi i të cilit ishte mjaft sfidues. Ky koncert ngërtheu në vete vepra të kompozitorit Rexho Mulliqi, Felix Mendelssohn dhe Sergei Prokofiev, shkruan KultPlus.

Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Prishtinës “ReMusica” është bërë traditë bashkëpunimi i këtij festivali me Filharmoninë e Kosovës. Bashkëpunim ky të cilin Filarmonia tashmë e ka traditë edhe me festivalet e tjera të njohura në Kosovë. Kështu mbrëmja e katërt e edicionit të 17-të të festivalit ReMusica bëri së bashku përsëri këtë dyshe.

Koncerti i cili u mbajtë mbrëmë në kuadër të festivalit solli një program mjaft interesant dhe sfidues si për dirigjentin, violinistin e po ashtu edhe për orkestrën e Filharmonisë. Fillimi i këtij koncerti e që ishte simfonia Nr.1 nga kompozitori shqiptar Rexho Mulliqi bëri hapjen e këtij koncerti duke shënuar edhe 95 vjetorin e lindjes së kompozitorit.

Kreacioni i simfonisë së parë siç e quan kompozitori e të cilën e ka lënë vetëm me një kohë, duke e vazhduar me simfoninë numër dy ku e ka vendosur edhe pianon, solli një rrugëtim jashtëzakonisht delikat bazuar edhe në kohën kur është shkruar kjo vepër.

E cila ka qenë sfiduese për dirigjentin Toshia Yanagisawa, pasi që tingujt të cilët janë në veprën e kompozitorit Rexho Mulliqi ai nuk i kishte dëgjuar më parë, kjo për shkak të dallimeve kulturore e të cilat sigurisht që vërehen dhe lënë gjurmë edhe në punët e kompozuesve.

“Jam shumë i lumtur që pata mundësin të dirigjoj simfoninë numër 1 të këtij kompozitori shqiptarë. Tingulli i kësaj vepre është shumë interesant për mua pasi që nuk është një tingull që mund ta gjejë edhe në vendin tim, nuk është në kulturën tonë”, u shpreh ai për KultPlus.

Vepra e dytë solli në skenë violinistin Marc Bouchkov i cili edhe bëri hapjen e këtij festivali duke sjellë tinguj të fuqishëm së bashku me kitaristin Petrit Çeku. Kësaj radhe para të pranishmëve në Sallën e Kuqe erdhi kompozitori Feliz Mendelssoh. Kjo vepër tingëlloi edhe më fuqishëm pikërisht përmes lojës së violinistit, duartrokitjet për të cilin nuk kishin të ndalur.

“Violinisti ndonjëherë ka tinguj shumë të fortë ndërsa ndonjëherë shumë të ndjeshëm. Ai jo vetëm që luan por edhe e dëgjon orkestrën dhe kjo e ka bërë shumë të lehtë bashkëpunimin. Ndonjëherë kemi instrumentistë të cilët nuk e dëgjojnë orkestrën por luajnë kryesisht vetëm dhe në ato raste është shumë e vështirë krijimi i një lidhje në mes të solistit dhe orkestrës dhe një dhimbje kjo për dirigjentin. Kuptohet këtë problem nuk e kisha sonte, kishim një solistë fantastik dhe jam shumë i lumtur”, tregoi tutje dirigjenti Toshia Yanagisawa, për KultPlus.

Pjesa e dytë e këtij koncerti iu dedikua një kompozitori tjetër. Kësaj radhë vëmendjen e mori kompozitori Sergei Prokofiev. Duke shënuar edhe 65 vjetorin e vdekjes së tij, erdhën pjesë nga suita nr.1 dhe nr.2 nga baleti “Romeo dhe Xhulieta”. Një përzgjedhje e dirigjentit, e cila ka qenë një sfidë për Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës.

“Sergei Prokofiev është kompozitor i shekullit 20-të. Orkestra ka evoluar dhe krahas rritjes së sektorëve është avancuar edhe gjuha shprehëse e kompozitorëve, në veprat e tyre kanë futur elemente shumë komplekse e që kërkojnë përgatitje të jashtëzakonshme teknike dhe artistike profesionale të çdo muzikanti në orkestër. Me një fjalë ka qenë një sfidë realizmi i veprave të fundit dhe mendoj që më të vërtetë është arritur një sukses nga orkestra”, u shpreh ai.

Dita e pestë e Festivalit ReMusica po vazhdon të sjellë në Prishtinë ngjarje të shumta dhe atraktive për publikun. Sonte duke filluar nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare do të jetë koncerti autorial nga Donika Rudi./ KultPlus.com

Të ngjajshme