Orkestra e Filharmonisë së Kosovës interpretoi në këmbë, një pjesë e publikut iu bashkua atyre (FOTO)

2 Prill, 2018 - 11:29 am

Gili Hoxhaj

Edicioni i 13-të i Festivalit DAM po vazhdon t’i shërbejë plot tinguj e befasi publikut të Prishtinës. Në mbrëmjen e katërt të këtij festivali, publiku ishte mbledhur tek Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë për të dëgjuar koncertin e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, pranë të cilëve për të tretën herë erdhi dirigjenti amerikan Gregory Charette.

Rrugëtimi i mbrëmshëm muzikor u hap me veprën e kompozitorit nga Prishtina, Blond Krasniqi. Orkestra e Filharmonisë me dirigjentin amerikan arritën ta zbërthejnë këtë vepër e cila do të mirëpritej me duartrokitje prej publikut. Koncerti do të kulmonte me interpretimin e Lisa Sahatçiut. Orkestra po mirëpriste një nga solistet më të reja në moshë, e vet ardhja e saj në skenë e përcjellë me buzëqeshje ngjalli duartrokitjet e publikut. Në çdo zbërthim të veprës, sa herë që duart e saj preknin tastet e pianos dëshmonin se Lisa Sahatçiu ishte një emër premtues ani pse numëronte vetëm 13 vite jetë. Ndonjëherë të dy duart e saj përplaseshin njëherazi sa në njërën anë, sa në tjetrën anë të pianos duke ngjallur një magji tingujsh. Lisa Sahatçiu rrëmbeu duartrokitjet më të forta të mbrëmjes. Për ta sjellë para publikut veprën e Camille Saint, ajo tha se i janë dashur gati shtatë muaj përgatitje. Ajo tha se vepra që interpretoi mbrëmë është një nga veprat më të vështira që ajo ka luajtur deri më tani por kjo e inspiron që edhe më tutje ta sfidoj vetën në vepra të tjera.

“Këtë vepër kam filluar ta praktikoj që nga muaji i shtatorit, këtë vepër e kam zgjedhur së bashku me mësuesen time dhe ka qenë një sfidë e madhe për ta zgjedhur e në të njëjtën kohë edhe për ta praktikuar. U ndjeva mjaft mirë pasi që dhe publiku ishte mjaft i madh dhe kjo ishte hera ime e parë që po interpretoja me Filharmoninë e Kosovës”, tregoi Sahatçiu për KultPlus.

Për dirigjentin amerikan Gregory Charette interpretimi i saj ishte fantastik përkundër moshës që ajo ka. Ai tha për KultPlus se pianisten e re, e pret një e ardhme shumë e ndritur.

Menjëherë pas saj në skenë erdhi flautistja Eklejda Zajmi – Gorani. Ajo do të qëndronte për jo pak kohë para publikut ku do të interpretonte “Koncert për flaut dhe orkestër, Op.39” të Lowell Libermann. Rrethuar nga tingujt e orkestrës, tingujt në sallë shpesh do të përqendroheshin tek tingulli i flautës. Flautistja Zajmi- Gorani tregoi se nata e mbrëmshme i ka falur një eksperiencë të mrekullueshme ndërkohë që tregoi për KultPlus, se ajo numëron gati një vit pritje për ta luajtur këtë vepër.

“Është një vepër që më ka dhënë impresionon, vepër kontoperane, ka shumë kërkesa për instrumentin e flautit por për mua ka qenë shumë sfiduese dhe më ka pëlqyer se si kompozitori Libermann e ka trajtuar orkestrën, solistin dhe vendosjen e tingujve në flaut”, u shpreh ajo.

Përkundër dy interpretimeve të mahnitshme, pas një pushimi të shkurtër Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të kthehej por jo në pozicionet e zakonshme. Ata do të qëndrojnë në këmbë për të dhënë gjysmë orë interpretim të një prej veprave më të njohura të Terry Riley. Vepra “In C”, e punuar për ansambël të madh daton që nga viti 1964 dhe e ka dominuar muzikën moderne për shumë vite. Vet vepra si e tillë bëri që Orkestra e Filharmonisë për gjysmë ore të sjellë një lojë plot gjallëri për publikun, një pjesë e të cilëve do t’u bashkohej atyre. Derisa të gjithë interpretonin në instrumentet e tyre, ata lëviznin nga një pjesë, në pjesën tjetër të sallës të rrethuar nga publiku në katër anët.
Përveç kësaj, ata do të shkëmbenin instrumentet në mes vete e në disa raste edhe me pjesëtarët e audiencës duke i bërë publikun pjesë të interpretimit. Dirigjenti Charette përsëri do të ndodhej përballë orkestrës por tanimë në piano, aty ku do t’u bashkoheshin edhe fëmijë që kishin ardhur në koncert. Ai tregoi për KultPlus se për herë të parë ishte takuar me publikun prishtinas me anë të këtij festivali dhe kjo e bën të ndihet si të kthehet në shtëpi.

“Çdo herë që unë vij, ne me orkestrën planifikojmë një koncert të tillë. Java e kaluar ishte shumë e stresuar pasi që vepra është e tillë që kërkon shumë improvizime dhe nuk ka dirigjent pasi që unë luaj në piano dhe në fund mund të them se jam i kënaqur me këtë performancë, jo vetëm me interpretimin por edhe me mënyrën e reagimit të publikut pasi që disa nga pjesëmarrësit na u bashkuan, ne themi se kjo nënkupton “ne i thyem muret”, kështu që ne i thyem muret sonte” u shpreh dirigjenti Charette.

Festivali ndërkombëtar DAM sonte do të sjellë koncertin e radhës “Klubi 90” i cili fillon nga ora 18:30 ku do të interpretojnë solistë të rinj për të vazhduar në ora 20:00 me koncertin “Upriver”, ku do të interpretoi Armel Dupas nga Franca. Të dy koncertet mbahen ne Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare. / KultPlus.com

Të ngjajshme