Orkestra e Filharmonisë së Kosovës solli mbrëmë një koncert të nivelit evropian

24 Tetor, 2018 - 12:53 pm

Alberina Haxhijaj
Fotografitë janë realizuar nga: Adi Beqiri.

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës ka mbajtur mbrëmë koncert në kuadër të bashkëpunimit me festivalin KamerFest 2018, shkruan KultPlus.

Dirigjenti Gregory Charettte është rikthyer në Prishtinë për herë të katërt për të punuar së bashku me orkestrën e Filharmonisë së Kosovës. Kësaj radhe ai dhe ekipi i instrumentistëve përzgjodhën për të sjellë tre kompozitorë. Mbrëmja filloi me premierën e veprës “Uverturë shqiptare” të dirigjentit kosovar, Hajrullah Syla. Vepra shënoi vetëm fillimin e një mbrëmje e cila u konsideruar magjike nga të pranishmit.

Kompozitori Syla tregoi për KultPlus se kjo vepër është kompozuar këtë vit.

“Sonte ishte një interpretim mjaft i mirë i veprës sime nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës. Dua t’i përgëzojë për punën e bërë, falënderoj posaçërisht dirigjentin Gregory Charette për punën e tij mjaft të madhe që ka bërë gjatë këtyre ditëve. Për mua si kompozitor ishte mjaft e rëndësishme që ta dëgjoj veprën time dhe sigurisht kjo të shtyn që të punosh sa më shumë”, tha ai.

Koncerti vazhdoi me kompozitorin “Max Bruch” dhe koncertin e tij për violinë dhe orkestër nr.1 në g-mol op.26. Kjo vepër solli në skenë violinistin e talentuar Rudens Turku. Ai ka lindur në Tiranë dhe ka emigruar për në Gjermani në moshën 14 vjeçar ku edhe i mori hapat e parë sa i përket studimeve për muzikë. Tani ai luan nëpër sallat koncertale më të njohura të botës dhe është fitues i disa çmimeve. Pikërisht violinisti Rudens Turku me lojën e tij në violinë përmes tingujve shumë elegantë, optimist, precizë si dhe shumë të këndshëm rrëmbeu të pranishmit duke i dhënë këtij koncerti një ngjyrim krejtësisht tjetër.

“Çdo orkestër në gjithë botën ka tiparet e veta dhe ato specifikat pasi që edhe njerëzit që janë brenda një shteti kanë atë tingullin e tyre. Këtu në Kosovë njerëzit janë shumë të gatshëm të mësojnë dhe të punojnë me shumë seriozitet, diçka që edhe me ka pëlqyer. Ardhja në Kosovë por edhe në Shqipëri në vitin 2015 për herë të parë është diçka prekëse, sigurisht duke e ditur edhe çka ka përjetuar ky komb. Tani vijmë në një shtet i cili është i pavarur dhe duke u munduar që të krijojë diçka kaq të bukur përmes muzikës, e cila është diçka që na lidhë të gjithëve dhe na bënë që të punojmë së bashku pa pasur dallime”, u shpreh ai për KultPlus.

Në anën tjetër ai vlerësoi lartë edhe punën që po bëjnë festivalet në Kosovë duke sjellë artistë të ndryshëm pikërisht në skenën modeste të Kosovës. Sipas tij kjo në një mënyrë është edhe një vitaminë ushqyese për artistët në Kosovë në mënyrë që ata të krijojnë kontakte dhe të njihen edhe me artistë të tjerë. Mirëpo sipas tij ky është një bashkëpunim i dyanshëm pasi që edhe artistët e huaj që vijnë në Kosovë arrijnë që të njohin një komb të ri dhe muzikantë të aftë të cilët kanë shumë potencial.

Ky koncert solli një program shumë intensiv në krahasim me tre koncertet që dirigjenti Gregory Charette ka punuar më parë me orkestrën e Filharmonisë së Kosovës. Prandaj sipas tij e rëndësishmja e këtij koncerti mbetet te fakti se që publiku ka parë një violinist të kalibrit të lartë por gjithashtu ka parë edhe një orkestër e cila mund të përcjellë një solist të tillë.

“Kemi pasur një solist të nivelit të lartë dhe ai na ka trajtuar si një orkestër të nivelit të lartë evropian, diçka që ka qenë shumë e mirë por që ka pasur edhe vështirësi pasi që orkestrës i është dashur që të mësojë sesi të lëvizë së bashku me tingujt e tij dhe të njëjtën gjë është dashur që ta bëjë edhe unë, pra të lëvizim së bashku. Ishte një proces i ushtrimeve shumë i vështirë mirëpo sonte mendoj sa ka ndodhur me të vërtetë magjia dhe është shumë mirë që kemi arritur ta shfaqim këtë tek publiku”, pohoi dirigjenti për KultPlus.
Pjesa e fundit i takoi kompozitorit Nikolai Rimsky- Korsakov dhe suitës simfonike “Sheherzadja”, op. 35. Një vepër e cila nënkupton të jesh i gatshëm për të mbajtur ritmin e një maratone për 40 minuta. Një ritëm të cilën arritën që ta mbajnë instrumentistët e Filharmonisë së Kosovës dhe dirigjenti Charette, rezultat ky i cili sipas tij vjen pas punës së madhe që është bërë këto javët e fundit.

“Kemi punuar shumë këtë javë dhe mendoj se në pjesë të caktuar është vërejtur që orkestra ka filluar që të zhvillojë një zë, një tingull, një ndjenjë të ansamblit. Ka akoma punë për të bërë por pas çdo koncerti jam shumë optimist”, përfundoi dirigjenti Charette.

Sonte në kuadër të KamerFest 2018 duke filluar nga ora 20:00 do të mbahet koncerti i laureatëve të garave ArsKosova 2017 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com

Të ngjajshme