Orkestra e Filharmonisë së Kosovës vjen me koncert, pjesëmarrëse edhe pianistja e njohur Alba Shkreli

18 Prill, 2024 - 12:43 pm

Filharmonia e Kosovës ka bërë të ditur se më 27 prill do të mbahet koncerti i radhës i dirigjuar nga mjeshtri italo-britanik Dario Salvi, ku do të përfshihen dy vepra nga dy kompozitorë romantik.

Sipas njoftimit mbrëmja do të hapet me “Koncert nr. 1 për piano dhe orkestër” nga Chopin-i, me pjesëmarrjen e pianistes së talentuar shqiptaro-zvicerane Alba Shkreli, ndërsa pjesa e dytë do të sjellë Simfoninë Nr. 5 nga kompozitori gjerman Felix Mendelssohn.

Alba Shkreli është një vajzë 23-vjeçare, e cila është një nga pianistet më të dalluara të gjeneratës së saj në Evropë, dhe ka fituar konkursin “Steinway” në Zvicër.

Dirigjenti Dario Salvi do të rikthehet në Prishtinë për të drejtuar Orkestrën Simfonike, ndryshe nga koncerti i Orkestrës Frymore nëntorin e kaluar.

Ai është laureat i Çmimit Globi i Artë “Riccardo Drigo” për muzikë baleti në vitin 2023 dhe ka një diskografi me rreth 25 regjistrime në Naxos Records me mbi një milion dëgjues në vit në Spotify, si dhe gjysmë milion dëgjues në Apple Music./KultPlus.com

Të ngjajshme