Orkestra e RTSH në 4 korrik, program me vepra të kompozitorëve shqiptar dhe të huaj

3 Korrik, 2025 - 1:09 pm

Në vijim të stinës koncertore, Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar do të vijë me një koncert të veçantë në sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Ky event do të sjellë në skenë kryeveprat e kompozitorëve të mëdhenj, duke nisur me Suitën nga baleti “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” nga Nikolla Zoraqi, frymëzuar nga romani i Ismail Kadaresë.

Më pas, publiku do të shijojë magjinë muzikore të Georges Bizet me Suitën Opus.22 për orkestër dhe Adagio për kuartet orkestror nga Guillaume Lekeu, një pjesë e pasur me emocione dhe nuanca të holla.

Vincent d’Indy është një kompozitor shumë i rëndësishëm, sikurse Lekeu apo Bizet, që vijnë me një vepër të një natyre tjetër. Gjithë kësaj atmosfere i vëmë edhe një vepër tonën, pikërisht sepse sivjet është viti i parë i ndarjes së Kadaresë nga kjo jetë,” tregon dirigjenti Zhani Ciko.

Kulmi i koncertit do të jetë interpretimi i Simfonisë për orkestër dhe piano Opus.25 nga kompozitori Vincent d’Indy, ku do të interpretojë pianisti i njohur francez Pascal Gallet.

4 korriku është një ditë shumë e veçantë, sepse për herë të parë do të luhet në Shqipëri simfonia për orkestër dhe piano nga kompozitori francez Vincent Dindy. Personalisht jam shumë i kënaqur që po e luaj këtë muzikë me maestro Zhani Cikon dhe orkestrën tuaj të mrekullueshme. Ata janë të jashtëzakonshëm. E vlerësoj shumë mundësinë që do të performoj me ta në skenë,” thotë pianisti Gallet.

Nën drejtimin e dirigjentit Zhani Ciko, ky koncert premton emocione për të gjithë dashamirësit e muzikës klasike. Koncerti do të vijë për publikun në datën 4 korrik.

Gazetare: Katerina Kule /rtsh.al/ KultPlus.com

Të ngjajshme