Ozzy Osbourne anulon të gjithë koncertet, karriera e tij nëpër turne ka marrë fund

2 Shkurt, 2023 - 11:02 am

Ozzy Osbourne ka lajmëruar se ka anuluar të gjithë koncertet e tij të planifikuara duke shtuar se karriera e tij nëpër turne ka mbaruar, pasi tashmë ai nuk është më në gjendje fizike për këtë. 74-vjeçari ka pësuar një aksident 4 vite më parë, pas të cilit ka dëmtuar shpinën dhe nuk mund të përballojë më të bëjë turneun.

“Qëllimi im i vetëm gjatë kësaj kohe ka qenë të ngjitem në skenë. Zëri im është mirë. Megjithatë pas tre operacionesh, trajtime qelizash staminale,  pafund terapi fizike dhe pas trajtimit të fundit Cybernics, trupi im është ende i dobët fizikisht”, ka thënë këngëtari.

Gjatë karrierës së tij, e cila nisi si anëtar i bandës heavy metal Black Sabbath, Osbourne ka fituar çmimin Grammy edhe për punën individuale, por edhe si anëtar i bandës prej të cilës u largua në vitin 1978.

Legjenda e heavy metal ka vuajtur nga disa sëmundje vitet e fundit. Në janar të 2020 ai u diagnostifikua me Parkinson, në 2022 u infektua nga Covid-19 dhe vetëm dy muaj më vonë ju nënshtrua një operacioni.

Tashmë këngëtari do të këndojë pa pasur nevojën të lëvizë nga një vend në tjetrin.

Deklaratën e tij Osbourne e ka mbyllur duke falenderuar familjen e tij, bandën muzikore, mikun e tij prej shumë vitesh, Judas Priest si dhe fansat e tij për përkushtimin e pafund, besnikërinë dhe mbështetjen të cilët sipas këngëtarit i kanë dhënë atë jetë që ai nuk e kishte ëndërrruar kurrë./tvklan.al / KultPlus.com

Të ngjajshme