‘Për ata që (s)’janë’

27 Prill, 2020 - 11:27 am

Në Kosovë ende nuk janë gjetur edhe 1641 persona të zhdukur në luftën e fundit. Sot, kur edhe shënohet Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë, familjarët e tyre ende përballen me ankthin që i ka ngulfatur tash e 21 vite, duke kërkuar një pikë drite në tunelin 21 vjeçar, shkruan KultPlus.

Duke reflektuar për këtë çështje, Eliza Hoxha solli këngën “Për ata që (s)’janë” përmes secilës ajo shpalos dhimbjen e familjarëve të personave të zhdukur. Me një tekst tejet prekës dhe nën tinguj rrëqethës, kjo këngë është si një lloj himni për personat e pagjetur.

Ndërsa, Koperativa projektoi dhe prodhoi videoklipin muzikor të kësaj kënge, duke paraqitur tregime të shkurtra e nostalgjike, kujtime të të zhdukurve dhe vetmisë. Kjo video trajton çështjen në një mënyrë mjaft poetike, duke e vendosur shikuesin në një gjendje emocionale dhe ndërgjegjësim për çështjen e personave të zhdukur.

Teksti i plotë i këngës:

Sa letra shkrova pa adresë ku t’i dërgoj
sa shume ditë kaluan sa shumë mall dhe lot që s’pushojnë
i gjallë a i vdekur asgjë më unë nuk di
por brenda meje ti, ende frymon çdo ditë

Rrëfen një nënë, rrëfen dhe një grua e një fëmijë
o sa shumë po lutem edhe unë po lutem tani
për ata që s’janë të humbur diku në pafund
rrëfen edhe kjo këngë
pa forcë që të bëj më shumë

Asgjë nuk kërkoj ky ankth t’më lëshoj
jam lodhur në pritje por s’mund të heq dorë
veç vendin ta di se ku prehesh ti
kurrë dhembje nuk do t’më pushoj
në fund dhe unë do t’ndjehem e lirë

Asgjë s’ka kuptim as kjo pritje që më shkatërrojë
dhembjen se ndalojnë as këto vargje që i këndoj
gjithnjë refuzoj të mendoj se ti më nuk je
e si unë të besoj kur peng i kësaj ndjenje kam mbet
të gjitha mi more, nga vetja ime ti
e un tani pres, të paktën veç diçka nga ti
e humbur në jetë me shpresën se do vish
bashkë me shumë të tjerë unë ende besoj vërtetë

Asgjë nuk kërkoj ky ankth t’më lëshoj
jam lodhur në pritje por s’mund të heq dorë
veç vendin ta di se ku prehesh ti
kurrë dhembje nuk do t’më pushoj

Asgjë nuk kërkoj ky ankth t’më lëshoj
veç vendin ta di se ku prehesh ti (x2)

Të gjithëve sa shumë na mungojnë

Asgjë nuk kërkoj ky ankth t’më lëshoj
jam lodhur në pritje por s’mund të heq dorë
veç vendin ta di se ku prehesh ti
kurrë dhembje nuk do t’më pushoj
në fund dhe unë do ndjehem e lirë

Asgjë nuk kërkoj ky ankth t’më lëshoj
veç vendin ta di se ku prehesh ti. / KultPlus.com

Të ngjajshme