Përfundon edicioni i 14-të i DAM festivalit, solli në Prishtinë rrymat kulturore evropiane

1 Prill, 2019 - 9:58 pm

Edicioni i 14-të i Festivalit DAM përfundoi mbrëmë nën tingujt e muzikës së kuartetit italian”Quartetto di Cremona“. Ky edicion zgjati gjashtë netë dhe solli para publikut koncerte të ndryshme të muzikës klasike dhe eksperimentale, shkruan KultPlus.

Në mbrëmjen e fundit të këtij edicioni publiku dëgjoi pjesë të përzgjedhura nga repertori i grupit të njohur ”Quartetto di Cremona”. Për shkak të bashkëpunimit me Institutin Italian për Kulturë dhe Ambasadën Italiane, ata në fillim sollën një vepër të kompozitorit italian Giacomo Puccini. Pastaj,  Prishtinës i dhuruan një pjesë bashkëkohorë të kompozitorit Bela Bartok dhe sigurisht mbrëmjen e mbyllën me Beethovenin, kompozitor i cili është në gjakun e këtij kuarteti. Një përzgjedhje kjo e veçantë duke marrë parasysh se repertori i tyre përfshinë vepra nga periudha e Hydn-it e deri tek muzika bashkëkohore.

“Quartetto Di Cremona” për momentin janë duke e bërë ‘ciklin e Beethovenit’ në kuadër të cilit po promovojnë veprat e këtij të fundit të cilat ai i ka kompozuar për kuartet harqesh. 19 vite pas themelimit të tyre, anëtarët e këtij grupi vazhdojnë që të bëjnë muzikë së bashku nëpër vende të ndryshme të botës. Sipas Cristiano Gualcoarsyeja prapa kësaj është repertori mahnitës që ekziston për një formacion të tillë.

“Ne jemi gjithmonë në një aeroplan apo në udhëtim dhe kjo sigurisht që është sfiduese, jetë e vështirë mirëpo ne bëjmë atë që na pëlqen, luajmë muzikën që e duam. Repertori për kuartet, nëse flasim për harqe është shumë i pasur. Veprat e kompozuara nga Beethoveni janë pjesët më të mira të tij, këtë e ka menduar edhe vet ai gjatë kompozimit. Pastaj kemi Shostakovich, Mozart apo Brahms. Të gjithë ata kanë dhënë maksimumin e tyre kur kanë kompozuar për kuartet, sepse këto kompozime janë shumë të vështira pasi që janë vetëm për instrumente dhe nuk ka orkestër, për këtë arsye çdo gabim sado i vogël reflekton”, tha ai për KultPlus.

Mirëpo fatin për të udhëtuar sikur grupi “Quartetto Di Cremona”  nuk e kanë edhe muzikantët e Kosovës. Gualco theksoi se zgjidhja më e mirë për të kaluar pengesën e vizave që ekziston në Kosovë,  për muzikantët mbetet muzika.

 “Muzika është mënyra më e mirë për të kaluar problemet me viza. Njoh shumë muzikant të cilët edhe më parë për shkak të ngjarjeve historike nuk kanë mundur që të dalin jashtë vendit të tyre, mirëpo me muzikë ata ia kanë arritur. Edhe unë kur kam filluar që të luajë në violinë nuk e kam ditur që në të ardhmen do të udhëtoj kaq shumë. Prandaj, për muzikantët e rinj mesazhi im do të ishte që të ushtrojnë shumë dhe të punojnë, pasi që kjo është një mundësi e mirë për të performuar edhe jashtë vendit, sepse mund të marrin ftesa të ndryshme. Pra muzika mbetet mënyra më e mirë për të depërtuar”, tha ai.

Për krijimin e një festivali të tillë duhet shumë punë e përkushtim, mirëpo kjo u arrit fal stafit të DAM festivalit të cilët kanë bërë një punë të shkëlqyer.

Drejtoresha ekzekutive e festivalit Rreze Kryeziu-Breznica  mbrëmë gjatë mbylljes tha se edhe përkundër vështirësive dhe sfidave që i hasin  gjatë punës, prapë ia dalin që të  sjellin më të mirën tek publiku, sepse ky festival është bërë pjesë e jetës së tyre.

”Për ne si organizatorë, ky festival është bërë pjesë e jetës sonë, më shumë sesa një punë apo një aktivitet të cilin e bëjmë, sepse është çështje profesioni. Mbështetja financiare dhe sallat mbesin dhe vazhdojnë me mbet  njëra prej problematikave kryesore të cilat ne i posedojmë prej edicionit në edicion, megjithatë mundohemi që ti tejkalojmë edhe kjo tregon se rezultati final po arrihet. Derisa i kemi 14 edicione po kuptohet që ne po i tejkalojmë sfidat  dhe shpresoj që ky motivim dhe kjo dashuri  me na mbajt tutje.” tha Kryeziu për KultPlus.

Artistët nga shumë vende të botës përgjatë këtij edicioni vijnë në Prishtinë për të shpalosur punën e tyre para publikut, dhe një gjë e tillë kërkon një pritje adekuate e cila sipas Kryeziut  është e vështirë.

“Është e vështirë sepse ne nuk arrijmë që të ju krijojmë kushte adekuate dhe do ti trajtojmë denjësisht, ashtu siç duhet të trajtohet një artist i nivelit të cilët janë artistët që parakalojnë nëpër festival. Megjithatë ne tashmë kemi krijuar një lloj rrjetëzimi edhe me festivale të tjera edhe me artistë ndërkombëtar dhe falë edhe ndihmës së tyre ky festival vazhdon që të realizohet” tha ajo.

Laramania e festivalit vjen si rezultat i shkëmbimeve kulturore, ku krahas koncerteve, shpesh herë në kuadër të festivalit vijnë edhe pedagogë si dhe mbahen edhe masterklasa duke sjellë kështu edhe në Prishtinë rrymat kulturore evropiane./ KultPlus.com

Të ngjajshme