Përkujtohet tenori i jashtëzakonshëm Gaqo Çako

7 Qershor, 2021 - 3:45 pm

Në kuadër të muajit të muzikës ministrja e Kulturës Elva Margariti ka kujtuar sot këngëtarin dhe artistin Gaqo Çako.

“Kujtojmë sot tenorin e jashtëzakonshëm Gaqo Çako, një nga përfaqësuesit më të denjë të interpretimit të muzikës lirike në Shqipëri”, shprehet Margariti.

Gaqo Çako, është një ndër emrat më të mëdhenj të muzikës lirike shqiptare. Artisti i përket atyre emrave që bënë historinë e kësaj muzike sikurse janë edhe Ramiz Kovaçi, Mentor Xhemali etj. Studimet për kanto i përfundoi në konservatorin” Çajkovski” të Moskës nën drejtimin e pedagoges dhe artistes Anna Soloviova. Për shkak të rezultateve dhe talentit të tij të rrallë menjëherë sapo u kthye në Shqipëri pas studimeve ai u emërua solist në “Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit” ku do të zhvillonte edhe repertorin e tij artistik.

Për tre dekada ai ka qenë edhe tenori solist në teatër ku edhe interpretoi mjaft role në vepra të mëdha në operat si “Traviata”, “Bohema”, “Rigoleto”, “Norma etj. Interpretoi edhe në opera të kompozitorëve shqiptar si “Mrika” e Prenk Jakovës, “Lulja e kujtimit” e Kristo Konos, “Pranvera” e Tish Daisë, “Heroina” e Vangjo Novës, “Skënderbeu” i Prenk Jakovës e “Skënderbeu” i Abdulla Grimcit, “Komisari” i Nikolla Zoraqit, “Zgjimi” i Tonin Harapit, “Toka e jonë” e Pjetër Gacit, etj,

Megjithëse ishte një këngëtar lirik, artisti këndoi edhe në rryma të tjera muzikore si në këngët popullore, këngët qytetare dhe në muzikën e lehtë duke marrë pjesë edhe në festivalet e fundvitit në RTSH. /atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme