Përmbyllet ‘Mik Festival’ në qytetin e Korçës

30 Korrik, 2021 - 6:29 pm

“Mik Festival” ka sjellë surpriza për spektatorët e qytetit të Korçës për 4 netë rresht. Ky festival, i cili është kthyer në një traditë, u organizua sërish nga sopranoja lirike Inva Mula duke ftuar miq dhe kolegë të saj europianë që janë instrumentistë dhe këngëtarë shumë të njohur.

“Ky edicion i katërt shpalosi ngjyra dhe zhanre të ndryshme. U nis me muzikën e vjetër gjermane dhe kubane, për të përfunduar me muzikën e vjetër greke dhe me interpretimin e grupit të Olen Çezarit me kulturën dhe muzikën italiane”, tha sopranoja Inva Mula.

Festivali u mbajt në ambientet e teatrit “A. Z. Çajupi” të Korçës nga data 26 deri më 29 korrik. Në fillim festivali u çel me muzikën gjermane nën interpretimin e Elda Laros në piano, në violinë Magdalena Heinz dhe Andre Robles, për të vijuar më pas me tingujt e muzikës kubane, tek sheshi i Pazarit të Vjetër.

Artistja Elda Laro tregoi se e ka pritur ftesën “me shumë emocion. E kam pasur shumë të vështirë sa herë kthehem në Shqipëri, pasi janë komplet emocione të tjera, sepse e ndjej veten me përgjegjësi sa herë jam përballë publikut shqiptar”.

Ky event përveç muzikës së klasit më të lartë botëror, promovoi gjithashtu edhe atraksionet turistike të qytetit juglindor. /atsh/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme