Petrit Çeku: Nëse Beogradi zyrtar kërkon falje për krimet në Kosovë, unë do ta organizoj një koncert gratis në atë qytet

31 Dhjetor, 2017 - 8:00 pm

Edhe për nga fiziku i tij duket se është bërë për kitarë. Performancat e tij në skenë duken sikur shkrijnë trupin e tij bashkë me muzikën që sjellë, pasi që, të rrallë sikur Petrit Çeku përjetojnë me çdo lëvizje tingujt që sjellë nëpërmjet kitarës së tij. Në intervistën e dhënë për KultPlus, mu për festat e fundvitit ai shpalosë ngjitjen e tij në karrierë, prej fëmijërisë e deri më tashti. Çeku i cili ka lindur në Prizren, por që përfaqësohet si kitarist i Kroacisë ka prekur shumë shtete me performancën e tij, por për një koncert të mundshëm në Beograd, ai ka treguar për një kusht.

Ardianë Pajaziti
Fotografia në ballinë: Atdhe Mulla

KultPlus: Keni tash e sa vite epitetin e kitaristit më të kërkuar të brezit të ri në nivel botëror dhe një epitet i tillë arrihet vetëm me punë dhe përkushtim të madh, e kishit ëndërruar ndonjëherë se do të jeni kaq i adhuruar nga audienca?
Petrit Çeku:
Gjithmonë e kam konsideruar punën time si diçka delikate, disi private dhe aspak prestigjioze. Më vonë, gjatë zhvillimit tim profesional, fillova të kuptoj që të qenit interpretues i muzikës klasike shoqërohet me një prestigj të konsiderueshëm. Kjo gjë, natyrisht është e mirëseardhur, sidomos duke pasur parasysh qe përmasat e suksesit në botën e kitarës klasike nuk janë marramendëse. Numri i njerëzve që përcjellin dhe e çmojnë punën time mund të konsiderohet i vogël, por cilësia dhe pasioni i tyre është i pashoq. Megjithatë, burimi më i madh i kënaqësisë mbetet ajo që më bëri ta zgjedh këtë profesion në rend të parë – vet muzika.

KultPlus: Kur e ktheni kokën pas, cila pikë qëndron më shumë për arritjen tuaj në karrierë, talenti, puna dhe përkushtimi, apo fati që ju si i ri performuat para Xhevdet Sahatçiut?
Petrit Çeku:
Janë shumë faktorë që e mundësojnë krijimin e një karriere, por momenti kur prof. Sahatçiu më ftoi ta vazhdoj shkollimin në klasën e tij në Zagreb është kthesa më e rëndësishme në jetën time.

KultPlus: Guxoni të mendoni se çfarë do të ndodhte nëse nuk do ta takoje Xhevdet Sahatçiun?
Petrit Çeku:
Është e pamundshme ta imagjinoj atë skenar. Influenca e Xhevdet Sahatçiut shtrihet përtej bartjes sime në Zagreb. Ajo mund të detektohet në të gjitha elementet e identitetit tim artistik dhe personal.

KultPlus: Që sa kohë keni kitarën që tashmë e përdorni?
Petrit Çeku:
Luaj në instrumentet e lutajos Ross Gutmeier qe nga viti 2010. Për kuriozitet do t’ju tregoj një detaj: termin në gjuhën shqipe për ndërtues instrumentesh – lutajo, ma mësoi verën e kaluar kitaristi i madh, idhull i shumë kitaristëve e njëkohësisht intelektual me humor unik – Ehat Musa.

KultPlus: Sa kitara keni ndërruar deri më tashti, dhe cilat arsye janë që ju bëjnë të ndërroni një kitarë?
Petrit Çeku:
Më bëtë të numëroj (qesh). Nëse nuk gaboj i kam pasur 9 deri më tash. Kitara ime e parë ishte dhuratë për ditëlindje nga axha im, Luani. Unë, natyrisht si edhe shumë instrumentistë tjerë, jam në kërkim të një kualiteti në instrumentin tim, që është në përputhje me kriteret e mia muzikore. Por, nuk kam qejf ta ndërroj shpesh instrumentin dhe luaj vetëm në njërën kitarë, derisa vjen koha e ndërrimit.

KultPlus: Keni diçka speciale në kitarë (ndonjë mbishkrim, nëse po çfarë është)?
Petrit Çeku:
Kitara ime shpeshherë u duket kurioze njerëzve për shkak të vrimave që i ka në pjesën anësore të trupit. Kjo është një gjë relativisht e pazakontë, por përveç kësaj, çdo gjë është e zakonshme në kitarën time, përveç tingullit brilant dhe depërtues.

KultPlus: Ke provuar ndonjëherë ti biesh çiftelisë apo sharkisë?
Petrit Çeku:
Kam provuar çiftelinë dy a tri herë.

KultPlus: Si e shihni zhvillimin e kitarës klasike në Kosovë?
Petrit Çeku:
Shumëkush nuk është i vetëdijshëm që në vitet e fundit kitaristët kosovarë arrijnë suksese në nivel evropian. Këto suksese janë përsëri rezultat i pasionit, dijenisë dhe metodës çudibërëse të prof. Xhevdet Sahatçiut, i cili para 15 vitesh hapi katedrën e kitarës në Akademinë e arteve në Prishtinë. Kështu brenda një kohe të shkurtër, jo vetëm se në standardin më të lartë u edukua një numër i madh i kitaristëve, por u krijuan kuadro profesionale për edukimin e mëtejmë të kitaristëve të rijnë. Si rezultat, sot kemi një numër serioz të kitaristëve kosovarë që fitojnë çmime të larta në konkurse ndërkombëtare, si dhe studentë që u pranuan në klasat e profesorëve më të kërkuar në Evropë, në të cilat pranimi është shumë i vështirë. Xhevdet Sahatçiu gjithashtu themeloi Festivalin ndërkombëtar kitaristik në Pejë, ku deri më tash kanë ardhur të performojnë dhe ligjërojnë disa nga emrat më të mëdha të botës së kitarës. Duke qenë se edhe unë jam rritur në Kosovë, unë nuk mund t’ju përshkruaj rëndësinë e kësaj për gjeneratat e reja. Prandaj, mund të them se jam shumë krenar me kitarizmin në Kosovë. Duhet përmendur gjithsesi rëndësinë e Ehat Muses, si nukleus i gjithë këtij mikrokozmosi (siç e ka quajtur ai njëherë në një intervistë) kitaristik, si dhe Luan Sapunxhiun, i cili na ka përçuar dhe e ka mbajtur gjallë pasionin për kitarën përgjatë viteve 90 dhe ende vazhdon me të njëjtin intensitet.

KultPlus: Ndërkohë, ju keni marrë pjesë në shumë koncerte në vende të ndryshme të botës, cila audiencë mendoni se e ka shijuar më së miri performancën tuaj?
Petrit Çeku:
Niveli i kënaqësisë që mund ta shijojë audienca e muzikës klasike varet prej nivelit të edukimit muzikor. Kjo e fundit ndryshon nga vendi në vend, madje edhe brenda të njëjtit shtet. Muzika klasike, sidomos e luajtur në një instrument introvert sikur kitara, nuk e ka vetinë e “uzurpimit” të të gjitha shqisave dhe ndjesive të njeriut, siç e kanë disa zhanre tjera muzikore, ku dëgjuesi me apo pa vullnet kyçet në ritmin e muzikës së lëshuar me volum të lartë ose në melodinë e thjeshtë por të kapshme të hitit sezonal që përsëritet me volum të ulët, por në të gjitha radiot, televizionet dhe mediet tjera që na rrethojnë, duke na u implantuar pa vullnetin tonë në mendje. Muzika klasike është ndryshe. Ajo nuk imponohet madje as kur publiku vjen fare pranë saj, në sallën koncertale. Audienca duhet të japë krejt vëmendjen në përcjelljen e lëvizjeve të jashtëzakonshme që e bëjnë tingujt, shpeshherë disa prej tyre në të njëjtën kohë, në një koreografi jashtëzakonisht komplekse dhe të nënshtruar një morie rregullash që ne quajmë kontrapunkt. Kjo vëmendje ndoshta nuk e shpërblen dëgjuesin me një kënaqësi momentale, sikur në disa zhanre tjera, por i jep dëgjuesit një kthjelltësi mentale që me ngadalësi konzistente e përmirëson kualitetin e përgjithshëm e të të qenurit. Natyrisht, dikush që ka hyre në botën e kësaj muzike e di shumë mirë qe nuk ka kënaqësi më të madhe sa ajo qe e ofron dëgjimi i muzikës që përmban kontrapunkt ose ndonjë strukturë komplekse, por për këtë duhet durim.

KultPlus: Po për dallim prej shteteve të tjera, çfarë emocioni të sjellë paraqitja në Kosovë?
Petrit Çeku:
Duke iu falënderuar shkollave të muzikës, një traditë e trashëguar nga socializmi, audienca e muzikës klasike në Kosovë ka afinitet që ta kuptojë atë. Përveç kësaj, organizatorët e festivaleve të muzikës klasike si: Kamerfest, Remusica e DamFest, si edhe Filharmonia e Kosovës, bënë një punë të jashtëzakonshme në riformimin e publikut të rregullt në Kosovë, pas një mungese të jetës normale përgjatë viteve ’90. Konsideroj të rëndësishme të theksoj që këta organizatorë, në mesin e të cilëve kemi kompozitorët e interpretët tanë më të rëndësishëm, edhe pas 19 viteve ende e mbajnë jetën muzikore në Kosovë, në mungesë të një strukture shtetërore që e mirëmban atë. Çdo paraqitje e imja në kuadër të këtyre platformave ka qenë e veçantë për mua dhe publiku ka qenë i mrekullueshëm. Më duhet megjithatë të them një gjë që konsideroj që është e rëndësishme ta them, përkundër rrezikut që të hasi në keqkuptim: duartrokitjet më të shkurta për nga kohëzgjatja që i kam pasur ndonjëherë në jetë i kam pasur në Kosovë! Mos keqkuptoni, kjo nuk ka ndodhur ngase publiku kosovar nuk me çmon ose respekton. Përkundrazi, shpeshherë njerëzit që kanë qenë në publik, miqtë e familjarët, më kanë thënë gjëra si “sa shumë i ramë shuplakave”, “na u lodhen duart”, “sa shumë zgjati apllauzi”, etj. Madje, publiku kosovar e ka një veti që të ngrihet në këmbë dhe aplaudoje deri sa artisti kthehet një herë, por me kaq përfundojnë duartrokitjet, pothuajse përplasja e shuplakave është një aktivitet i zorshëm. Kam parë shumë koncerte tepër të mira në Prishtinë, të cilat përfundonin me një duartrokitje të tillë, që zgjat më pak se 1 minutë. Mendoj që kjo jep një reflektim jo real të publikut kosovar, i cili dikujt që nuk e njeh atë mund ti duket si injorant ndaj muzikës klasike. Më lejoni të them që duartrokitja optimale në një koncert ta zëmë të Filharmonisë së Kosovës do të duhej të zgjaste 5 deri 10 minuta. Dirigjenti dhe solisti të kthehen së paku nga 3 herë, pa marr parasysh se sa atraktive apo e pëlqyeshme mund të ketë qenë vepra. Do të kthehem në një gjë që desha të them në pyetjen e kaluar – publiku i muzikës klasike është pjesë aktive e interpretimit të saj dhe rrjedhimisht pjesë aktive e mirëmbajtjes së kësaj kulture që përcillet nga gjenerata në gjeneratë ndër shekuj. Prandaj, nëse jepni më shumë duartrokitje edhe interpretimi do të jetë më i pasionuar, sepse personi qe interpreton do ta ketë informatën e qartë qe publiku po e dëgjon dhe që mijëra orët e kaluara me instrument në dorë nuk kanë shkuar huq.

KultPlus: Në anën tjetër, paraqitja e juaj mund të krahasohet me një hipnotizim për audiencën, pasi që koncertet e juaja konsiderohen si koncerte me shpirt, çfarë emocioni të sjellë gjithë kjo vëmendje e audiencës?
Petrit Çeku:
Puna ime si interpret kërkon një balancim mjaft kompleks të disa mjeshtërive dhe diturive. Është esenciale që bazamenti i interpretimit të jetë i shtruar me dituri të thellë teorike të veprës. Kjo nënkupton leximin, kuptimin dhe deshifrimin e elementeve muzikore, zhvillimeve harmonike, formës muzikore, frazimit, e shumë gjëra tjera që kanë të bëjnë me vet materialin muzikor. Interpreti gjithashtu duhet bërë kërkime rreth kompozitorit të veprës, jetës së tij, sidomos rreth periudhës kur e ka shkruar veprën në fjalë. Të gjitha këto ndodhin paralelisht me “leximin” e veprës me instrument. Ky është një proces i ngadalshëm psiko-fizik, që duhet bërë me shumë kujdes, sepse gabimet e bëra në këtë fazë mund të lënë pasoja në zhvillimin e mëtejmë të interpretimit. Në këtë faze behet edhe ajo që ne quajmë gishtërim, me ç’rast caktohet se cili gisht e luan cilën notë. Të kthehen në pyetjen tuaj – shpeshherë, jo gjithmonë, muzika ka një dimension spiritual. Meqenëse nuk ekziston një metodë e establishuar për trajtimin e këtij dimensioni, unë e kam një metodë timen: mundohem që në këto raste të arrij njëlloj thjeshtëzimi të ekzistencës në elemente esenciale – tingulli, një tingull tjetër dhe ajo qetësia në mes. Rezultati i këtij trajtimi të muzikës shpeshherë është përshkruar si hipnotizues, gjë që është natyrisht hiperbolë, por unë jam shumë falënderues që interpretimi im ndonjëherë ka një efekt të jo përditshëm.

KultPlus: Ndërkohë, keni një emër më specifik për ndërkombëtarët- Petrit. Të pyesin për përmbajtjen e emrit?
Petrit Çeku:
Shumica e njerëzve mendojnë që emri im ka kuptimin e emrave Peter, Petar, Piotr, etj. Çuditen kur u them që është emër shpendi.

KultPlus: Ju tash e sa vite jeni edhe shtetas i Kroacisë dhe jeni deklaruar se ndiheni si kitarist kroat, po Kosova ku është në ndjenjat e Petritit?
Petrit Çeku:
Shkolla kitaristike e Zagrebit ka kualitet të veçantë dhe gëzon reputacion të madh në gjithë botën e kitarës. Unë, ashtu si edhe Xhevdet Sahatçiu që është njëri ndër krijuesit e saj, jam pjesë e kësaj shkolle dhe jam shumë krenar për këtë. Kosova është vendlindja ime së cilës i kthehem aq shpesh sa mund të thuhet që pjesërisht jetoj aty. Realiteti i saj, që është i njohur për të gjithë kosovarët, është edhe i imi.

KultPlus: Shumë shpesh keni përmendur vuajtjet që ju ka sjellë lufta, a keni performuar deri më tash në Beograd?
Petrit Çeku:
Kam miq të mirë në Beograd dhe gjatë një vizite e kam parë që është një qytet shumë interesant, por unë ende nuk kam pranuar që të performoj atje. Në qoftë se gjatë jetës sime Beogradi zyrtar kërkon falje për krimet në Kosovë, unë planifikoj ta organizoj një koncert gratis në atë qytet. Shpresoj që kjo do të ndodhë shpejt.

KultPlus: Nëse do të rrumbullakoje vitin 2017 me pak fjalë, çfarë solli ky vit tek ju?
Petrit Çeku:
Viti 2017 ishte viti i dashurisë pa kusht.

KultPlus: Dhe për fund, ju përgjatë muajit dhjetor u prezantuat me një koncert në Rjekë, kurse jemi në fillim të vitit 2018, çfarë do të sjellë Petrit Çeku brenda këtij viti?
Petrit Çeku:
Është interesante që koncerti im i fundit në vitin 2017 dhe i pari në vitin 2018 janë në Rjekë, ku nuk jam paraqitur asnjëherë më herët. Përveç kësaj, çdo gjë tjetër është e zakonshme – më pret një numër i konsiderueshëm i koncerteve, që dmth një numër edhe më i madh i orëve të kaluara më kitarë përballë mizave, si i thotë gjyshja ime, e që në fakt janë nota muzikore./ KultPlus.com

Të ngjajshme