Pianisti Agron Shujaku do të prezantojë projektin “Teknika e Koordinuar Pianistike”

22 Prill, 2024 - 9:04 pm

Pianisti i njohur Agron Shujaku do të paraqitet me prezantimin e projektit “Teknika e Koordinuar Pianistike”, prezantim që do të bëhet në KultPlus Caffe Gallery, të mërkurën prej orës 20:00, shkruan KultPlus.

Objektiv kryesor i këtij projekti është realizimi i mësimeve , video incizimeve të cilat janë të ndara në lëndë ku secila video në mënyrë të veçantë e adreson një problem të veçantë të teknikës pianistike dhe synon që të ofrojë sugjerime për zgjidhjen e problemeve përmes këshillave praktike se si adresohen. 

Nxënësit  e pianos të gjitha shkollave muzikore në Kosovë, përmes video materialeve të përpunuara  të publikuara në Youtube do të kenë mundësi të arrijnë njohuri të reja rreth teknikës pianistike. Përveç studentëve të pianos po ashtu mësimdhënësit dhe të gjithë entuziastët do të përfitojnë nga mësimet e pianos në këtë metodë pasi njohuritë praktike mund të zbatohen menjëherë në praktikë si ergonometria e qëndrimit në piano,  përdorimi i gishtërinjve, parakrahut, nyjës dhe pjesëve tejra të aparatit pianistik me qëllim të integrimit të lëvizjeve lehtësuese.

Ky projekt përpiqet të ndihmojë pianistët e rinj që të luajnë piano me lehtësi dhe të ndihmojnë mësuesit e pianos në zhvillimin e metodologjisë për lehtësimin e punës pedagogjike. Ky projekt ka për qëllim prezantimin dhe njohjen e pianistëve me metodën e teknikës së koordinuar të pianos e cila ka për bazë teknikën Taubman me  qëllim të arritjes së teknikës së konsoliduar për  pianistët e cilido zhanri të cilët kanë vështirësi teknike në interpretimin e pianos. Ky projekt është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte. / KultPlus.com

Të ngjajshme