Pianisti Giovanni Bellucci, me vepër premierë bëri hapjen e Chopin Piano Fest

9 Prill, 2019 - 3:03 pm

Fotografitë: Arben Llapashtica

Edicionin e tij të 10-të, festivali Chopin Piano Fest e nisi mbrëmë me një mbrëmje të veçantë. Ky edicion jubilar do të jetë një rikapitulim i cili do të sjellë artistët të cilët lanë gjurmë në Prishtinë dhe në festival gjatë këtyre 10 viteve. E një prej tyre është edhe pianisti i njohur botëror Giovanni Bellucci, i cili mbrëmë kishte ardhur në këtë festival për të sjellë një interpretim krejt ndryshe dhe të sjellë për publikun e kryeqytetit vepra që si kishte luajtur më herët, shkruan KultPlus.

Hapjen e festivalit Chopin Piano Fest e bëri një dokumentar i shkurtër i realizuar nga Besa Luzha, drejtoresha organizative e festivalit dhe nga Lejla Pula, drejtoresha artistike.

Dokumentari përfshinte rrugëtimin 10 vjeçar të festivalit, duke filluar me angazhimet, përkrahjet, problemet dhe suksesin e tij.

Në dokumentar ndër të tjerë u prezantuan edhe ata që kanë dhënë përkrahje të vazhdueshme për Chopin Piano Fest e të cilët ndanë përvojat e tyre gjatë këtij rrugëtimi si dhe u shprehen se sa e pabesueshme është gjithë kjo rrugë që kanë bërë bashkë dhe sot po festojnë vitin jubilar.

Pas shfaqjes së këtij dokumentari i cili zgjati diku rreth 20 minuta, fjalën e morën Besa Luzha dhe Lejla Pula për të bërë edhe hapjen zyrtare të këtij edicioni.

Ato kryesisht u shprehen falënderuese ndaj gjithë atyre që i përkrahen gjatë këtyre 10 viteve punë me këtë festival .

Një fjalim shumë të shkurtër për këtë ngjarje kulturore e mbajti edhe Ambasadori i Italisë Piero Cristoforo Sardi i cili në pika të shkurtra u shpreh se angazhimi për këtë festival ishte jashtëzakonisht i çmueshëm dhe ai premtoi se do të vazhdojnë ta përkrahin Kosovën më ngjarje kulturore.

Pas këtyre fjalimeve, në sallë mbizotëroi heshtja për 2 minuta, për të sjellë në skenë pianistin e njohur Giovanni Bellucci.

Me një përqendrim vetëm në një pikë të pianos, ai filloi lëvizjen e gishtave për të sjellë tingujt thumbues në sallën e mbushur përplot artdashës e artistë të shquar, ku duartrokitjet e brohoritjet e tyre për pianistin ishin të gjata.

Një emocion i papërshkrueshëm për pianistin e njohur italian, i cili dhuroi një interpretim jashtëzakonisht frymëzues për të gjithë artistët dhe të pranishmit që e çmojnë e luajnë instrumentin e pianos.

Me një vështrim të gjerë, me një luhatje të kokës, me një qetësi të butë, ai shikonte tërë sallën të mbushur plotë, e me gishtërinjtë e dorës ai vazhdonte të sillte tingujt në sallë, përderisa me këmbë shtypte petalet e ku djersët vazhdimisht i rrjedhin përtej ballit.

Bellucci përgjatë një ore interpretim të veprës së njohur të kompozitorit Hector Berliozit ai vazhdoi me interpretimin e veprave të tjera si të kompozitorëve F.Chopin, F.Liszt, G.Verdi dhe V.Bellini.         

Pas gjithë kësaj performance të mrekullueshme të pianistit të njohur botëror, i cili u mirëprit tejet mirë nga publiku, salla filloi të zbrazej, e pianisti sikur po pushonte për 2 minuta sa për tu rikthyer për të biseduar me gazetarët që po e prisnin për intervistë.

Ai, në një prononcim për KulPlus, tregoi shumë gjëra rreth jetës së tij profesionale qysh prej fëmijërisë së tij duke i bashkangjitur edhe disa argumente se sa e njeh kulturën kosovare.

“Unë shumë vonë kam filluar të luaj piano sepse nuk kam pasur të afërt që kanë mundur të ma mësojnë muzikën klasike. Në moshën 14 vjeçare kam filluar të luaj piano gjë që është shumë vonë për tu bërë për një pianist profesional. Unë fillimisht nuk kam pasur piano, dhe asnjëherë se kam pasur atë ndjenjën se si është të luash me piano, e sot mua ende më duket tërheqëse, unë se kam atë dashurinë magnetike si pianistët e tjerë të luaj në stacionet e trenave apo edhe në aeroport”, tha për KultPlus Giovanni Bellucci. 

Përveç profesionit që e udhëheqë ai tregoi edhe entuziazmin rreth arteve të tjera që ai veç se i kishe provuar më herët.

‘Unë ndoshta nuk kam lindur si pianist, në kuptimin për tu bërë muzicient, por pastaj isha i shtyrë nga studimet dhe kështu përfundova si pianist. Unë gjithmonë kam pasur interes rreth arteve tjera, unë kam qenë piktor më herët e sot më pëlqen të punoj me aktorët e filmave të kinemave e shumë e gjëra të tjera, por jo që ta studioj pianon gjithë kohën, ndoshta nuk duhet ta them por është e çuditshme, më pëlqen muzika por jo ta mendoj 24h’, tha tutje Bellucci.

Krejt për fund, pianisti Bellucci kishte edhe një mesazh. Ai tha se “nuk mendoj se jeta i jepet një pianos, fatkeqësisht varet nga ti dhe nga publiku, sepse kur luan për ta është një ëndërr shumë emocionuese.”.

Ambasadori italian, Piero Cristoforo Sardi për KultPlus tha se bashkë me organizatorët kanë vendosur të sjellin artistin Bellucci në hapjen e këtij festivalit sepse në vitin e kaluar është vlerësuar jashtëzakonisht mirë.

“Bellucci është një nga artistët më të njohur jo vetëm në Itali por edhe në skenën evropiane të muzikës, kështu që organizatorët kanë vendosur që ta përcjellin suksesin e mbylljes së vitit të kaluar në hapjen e këtij edicioni, ne jemi shumë të lumtur që bashkëpunojmë që 10 vite me këtë festival dhe gjatë këtij festivali do të bashkëpunojmë edhe në koncerte të tjera dhe në koncertin përmbyllës”, u shpreh Ambasadori italian. 

Drejtoresha artistike, Lejla Pula tregoi se e veçanta e kësaj mbrëmje ishte se Belluci ka përzgjedhur një vepër  madhështore simfonike të kompozitorit Hector Berliozit e cila është e interpretuar me rastin e 100 vjetorit të vdekjes së tij dhe është një simfoni shumë e gjatë e cila zgjat gjashtëdhjetë minuta.

“Kjo vepër ishte premierë sonte në Prishtinë, ne jemi të privilegjuar që edhe publiku sonte ka pasur rastin ta dëgjoj”, tha Lejla Pula.      

Chopin Piano Fest gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 15 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e dytë e këtij festivali, vjen më datë 10 prill ku do të interpretojë pianisti francez Eric Ferrer. / F. Byqmeti / KultPlus.com

Të ngjajshme