16 Korrik, 2025 - 10:00 am
Një nga historitë më prekëse dhe frymëzuese në botën e muzikës klasike lidhet me pianistin austriak Paul Wittgenstein, i cili, pas humbjes së dorës së djathtë në Luftën e Parë Botërore, jo vetëm që nuk e la pasionin për pianon, por nisi një epokë të re në muzikën klasike: kompozimet për dorën e majtë të vetme.
Historia e Wittgenstein është një dëshmi e forcës së vullnetit dhe pasionit të pashuar për artin.
Pasi u plagos rëndë në betejën e Galicisë dhe humbi dorën e tij të djathtë, një fat tragjik i përbashkët për shumë ushtarë të asaj kohe ai u burgos në një kamp në Siberi. Aty, në mungesë të një pianoje, ai vizatoi me qymyr tastierën e një pianoje mbi një arkë të kthyer përmbys dhe nisi të stërvitej me dorën e majtë, shkruan The Guardian.
Pas kthimit në Vjenë në vitin 1915, Wittgenstein nuk u dorëzua. I ndihmuar nga pasuria dhe lidhjet e fuqishme të familjes së tij aristokrate,ishte vëllai i filozofit të famshëm Ludwig Wittgenstein ai nisi të porosiste vepra të reja nga disa prej kompozitorëve më të mëdhenj të kohës. Mes tyre ishin Prokofiev, Strauss, Britten, Hindemith, Korngold dhe natyrisht, Maurice Ravel.
Konkretisht, Koncerti për Piano për Dorën e Majtë nga Ravel, i kompozuar në vitet 1929-30, u bë një nga veprat më të njohura të këtij repertori. Kjo vepër është një shembull i shkëlqyer i mjeshtërisë në orkestracion dhe virtuozitetin që mund të shfaqet edhe me një dorë të vetme, përcjellë KultPlus.
Por Wittgenstein nuk ishte gjithmonë dakord me kompozitorët. Ai refuzoi të interpretonte Koncertin nr. 4 të Prokofiev-it, duke thënë se “logjika e brendshme e veprës nuk më është e qartë.” Ndërkohë, bëri ndryshime në partiturën e Ravel-it për premierën, gjë që zemëroi kompozitorin francez, i cili më pas u pajtua me të pasi Wittgenstein pranoi ta interpretonte veprën siç ishte shkruar fillimisht.
Sot, mbi 3,000 vepra janë kompozuar për dorën e majtë, një numër shumë më i lartë se për dorën e djathtë. Kjo jo vetëm për shkak të sfidës teknike, por edhe për faktin se gishti i madh i dorës së majtë (më i forti) projeksionon melodinë më me qartësi sesa gishti i vogël i dorës së djathtë që përdoret zakonisht në repertorin standard.
Në vitin 2025, gjatë edicionit të sivjetshëm të Proms në Mbretërinë e Bashkuar, një pianist i lindur pa dorën e djathtë do të interpretojë pikërisht këtë koncert legjendar të Ravel-it. Ai, një nga shumë pak solistë në botën klasike me një aftësi të kufizuar fizike, e sheh këtë si një nder dhe si një mundësi për të frymëzuar të rinjtë që të eksplorojnë këtë pjesë të jashtëzakonshme të historisë muzikore.
Ai gjithashtu planifikon të performojë edhe veprën e Prokofiev-it që Wittgenstein refuzoi, si dhe koncertin e mrekullueshëm të Korngold për dorën e majtë. Nëpërmjet këtij rrugëtimi, ai synon të mbajë gjallë trashëgiminë e Paul Wittgenstein dhe të çojë më tej historinë e një repertori që lindi nga tragjedia, por që sot ndriçon me talent dhe guxim./KultPlus.com