Pianistja Anila Aliu pranohet në universitetin prestigjioz në ShBA në klasën e pianistit të nominuar për Grammy Awards

16 Mars, 2023 - 11:28 am

Pianistja Anila Aliu, e cila ka fituar vëmendjen e kritikëve të muzikës klasike në vendin tonë dhe jo vetëm, është pranuar në një nga universitetet më prestigjioze në botë. Ajo ka fituar bursë të plotë 100% në universitetin prestigjioz “Roosevelt University- Chicago College of Performing Arts” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në klasën e pianistit me famë botërore (i nominuar i Grammy Awards) Prof. Adam Neiman, shkruan KultPlus.

Anila Aliu është një pianiste e talentuar me një karrierë të shkëlqyer. Ajo ka marrë pjesë në shumë konkurse të ndryshme nëpër botë dhe ka fituar shumë çmime. Ajo është gjithashtu e njohur për shfaqjet e saj në skenat kryesore të muzikës klasike në Kosovë.

Përtej suksesit në vendin tonë, Anila ka qenë gjithmonë e gatshme për të sfiduar veten në nivele më të larta. Duke ndjekur ëndrrën e saj për të vazhduar studimet në muzikë, ajo aplikoi për të hyrë në “Roosevelt University- Chicago College of Performing Arts” në ShBA. Pas një procesi të zgjedhjes intensiv, ajo u pranua në programin e muzikës për pianistët dhe ky triumf atë e ka bërë jashtëzakonisht të lumtur.

“Të dashur miq, pas shumë viteve studimi në Kosovë e në Evropë, jam e lumtur dhe e emocionuar të ndaj me ju lajmin që së shpejti do jem studente e një prej universiteteve më prestigjioze në botë “Roosevelt University- Chicago College of Performing Arts” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me bursë të plotë 100% dhe pikë maksimale në nivelin “Performance Diploma” në klasën e pianistit me famë botërore (i nominuar i Grammy Awards) Prof. Adam Neiman”, ka shkruar Aliu.

Anila Aliu tashmë po planifikon të udhëtojë në SHBA për të filluar aventurën e saj të re akademike. Ajo është e vendosur të ndjekë pasionin e saj dhe të arrijë në nivele më të larta në fushën e muzikës klasike. Për të gjithë ata që kanë ndjekur karrierën e saj deri më tani, ka ardhur radha që tashmë ta mbështesim rrugën e re që Anila do të ndjek jashtë Kosovës.

“Faleminderit të gjithëve për mbështetjen e dhënë gjatë tërë këtyre viteve, veçanërisht prindërve të mi, familjes, profesorëve që më ndihmuan të jem këtu ku jam sot dhe tërë miqve e dashamirëve për përkrahjen dhe dashurinë e vazhdueshme.

Së shpejti do filloj një kapitull të ri, larg shtëpisë, larg Kosovës sime. Por, jam gati të jap maksimumin tim për tu bërë versioni më i mirë i vetes dhe për të hapur dyer të reja edhe në një kontinent tjetër”, shprehet Anila. / KultPlus.com

Të ngjajshme