Pianistja hungareze Alexandra Balog në edicionin e pestë të festivalit të muzikës kamertale “Skupi Kamerfest” në Shkup

30 Tetor, 2022 - 12:23 pm

Mbrëmjen e së martës, më 25.10.2022, në sallën kamertale të Filharmonisë nacionale të Maqedonisë së Veriut, u mbajt koncerti i gjashtë me rradhë në kuadër të edicionit të pestë të  festivalit të muzikës kamertale “Skupi KamerFest”, nën organizimin e shoqatës “Muza” – Shkup.

Kësaj rradhe publiku shkupjan kishte mundësin të ndëgjoj një pianiste të re me prejardhje hungareze, Alexandra Balog – formimi  muzikor i të cilës, përveç Budapestit, ka vazhduar edhe në Akademinë mbretërore të muzikës në Londër. Që në moshë të re karriera e saj artistike është e mbushur me koncerte recitale dhe të atyre të muzikës kamertale, është fituese e shumë çmimeve në shumë gara nacionale dhe internacionale – ndër to është edhe fituese e çmimit të parë në garat internacionale për piano Béla Bartók, në Graz të Austris, si dhe çmimin special në këtë garë për interpretuesen më të mirë të muzikës së Bartókut. Mysafire e saj në këtë koncert ishte një ndër pianistet më të njohura maqedonase, mbrenda por edhe jashtë vendit – Danica Stojanova.

Në bazë të karakterit kamertal me të cilin karakterizohet festivali “Skupi Kamerfest”, koncepti i këtij koncerti ishte i till që mundësoi jo vetëm interpretime solistike, por edhe interpretime të veprave për katër duar. Pianistja hungareze, Balog, e filloi koncertin me interpretimin e pesë kohëve (I. Molto moderato, II. Molto capriccioso, VI. Allegro moderato, molto capriccioso, VII. Sostenuto, rubato, VIII. Allegro) nga Improvizations op. 20 nga kompozitori i njohur hungarez, Béla Bartók. Paraqitja e saj solistike vazhdoi me intepretimin e veprave pianiste nga dy kolosët e periudhës së romantizmit, Franc Shubert dhe Frederik Shopen. Përzgjedhja e saj nga krijimtaria pianistike e Shubertiti ishin: Impromptu op. 142, no.1 dhe no.4 f-moll, Impromptu op. 90, no. 4. Ndërsa nga ajo e Shopenit: Mazurka op. 17, no.4 dhe Mazurka op. 24, no.1. Interpretimi i saj mund të përshkruhet si i pajisur me  finesë dhe elegancë, duke poetizuar lirikën muzikore në veprat e periudhës së romantizmit, përshtatur mjaftueshëm sipas karakterit dhe nevojës së vet veprës.  Pianistja Stojanova, në rolin e mysafires në këtë koncert, interpretoi tri kohë (I. Preludio-etida, Allegro, II. Rondo, IV. Presto) nga suita për piano op.7 e kompozitorit maqedonas Goce Kolarovski. Si pika më kulminante e koncertit, njëherësh edhe përmbyllja e tij ishin interpretimi i dy veprave për piano katër duar, nga pianistet Stojanova dhe Balog: 6 Grandes Marches, D.819, op. 40, no.2 dhe Military march, D. 733, no.1, nga F. Shubert.

Energjia bashkëpunuese kreative dhe projektimi dinamik i veprave nga të dyja pianistet u përcjell në mënyrën më të mirë të mundëshme deri tek publiku – që në këtë koncert ishte i pranishëm në numër të mjaftueshëm, element ky që flet mjaft për reputacionin që festivali ka fituar gjatë rrugëtimit të tij në këto pesë vite. “Skupi KamerFest” si një ndër festivalet kryesore, gjithmonë tenton të sjell artist të rinjë por të mundësoj hapsirë edhe për ata vendas, me qëllimin për përforcimin dhe begatimin e jetës kulturore, dhe skenës muzikore të qytetit të Shkupit.

Nga Nora Bajrami, muzikologe./ KultPlus.com

Të ngjajshme