14 Gusht, 2025 - 2:30 pm
Muzika me gjethe bën pjesë në zhanrin e pasur të instrumenteve aerofone. Gjethi prodhon melodinë përmes dridhjes së ajrit. Ky instrument muzikor quhet “picanjë”. Picanjat mund të bëhen nga fletë bari të gjëra dhe të trasha, me gjethe të mprehta misri të lagur të futura në mënyrë vertikale mes dy gishtave të mëdhenj. Tingulli prodhohet duke fryrë ajrin përgjatë majës së mprehtë të “picanjës”. Edhe gjethet e pemëve të tjera mund të përdoren për picanjë.
Disa fshatarë e palosin gjethen më dysh ose e rrotullojnë për të formuar një gjysmë-rreth, e vendosin në gojë dhe “kërcasin” me të duke prodhuar një larmi tingujsh cicërime. Disa mjeshtër të folklorit dinë si të nxjerrin gjithfarësoj tingujsh nga gjethe të specieve të ndryshme, si ahu, gorica dhe arra, duke e mbajtur gjethen nga skajet dhe duke e mbajtur të qëndrueshme në tension të barabartë, pastaj duke fryrë ajrin mbi majën e saj. Lartësia e tingullit ndryshon sipas tensionit të gjethes dhe sipas presionit të frymës. Gjethi shermashek (hedera – bimo kacavjerrëse) është përdorur dikur si një nga veglat muzikore të ahengut shkodran. Sot, gjethi përdoret kryesisht në viset veriore dhe verilindore malore, transmeton KultPlus.
Në krahinën e Dukagjinit, gjethi i pemës, ose siç quhet ndryshe lepushtër, ka pasur një histori të gjatë tradicionale si instrument, duke shoqëruar këngët e barinjve, këngët malësore, vallet popullore solo me fyell, lahutë ose zymare. Në muzikë, ky instrument i hollë dhe i veçantë bën pjesë në familjen e instrumenteve frymorë (me erë).
Gjethi i arrës ose ai i ahut është zakonisht më i përshtatshëm si instrument, zakonisht një gjethe e drejtë, pa dhëmbëza dhe e zakonshme.
Një tipar dallues i këtij instrumenti natyral si kallam i hollë është tingulli i tij, që nuk mund të imitohet nga asnjë instrument tjetër. Përveç motiveve këngësore, muzika me gjethe ka imituar edhe cicërima të ndryshme zogjsh. Një tjetër veçori është se nuk ka një regjistër të veçantë si instrumentet e tjera, përfshirë zymaren, fyellin apo lahutën, prandaj lejon të luhet në çdo lloj regjistri muzikor./KultPlus.com